LAJMI I FUNDIT:

Kosova pas zgjedhjeve vendore

Dolën më në fund rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për pushtetin vendor në Republikën e Kosovës. Vërehet se rezultati pa përfshirë shifrën e ulët të pjesëmarrjes së qytetarëve nuk ka ndryshuar aq shumë nga zgjedhjet e kaluara të vitit 2007 me disa përjashtime, që për një grusht subjektesh politike janë të një rëndësie të veçantë.

Për sa iu përket dy partive kryesore në Kosovë të cilat edhe përbëjnë koalicionin aktual qeverisës PDK-së dhe LDK-së, rezultati i tyre në vështrim të përgjithshëm është i kënaqshëm, megjithëse pa mëdyshje të dyja partitë do të kishin pasur dëshirë që ky rezultat të shumëfishohet.

Kështu PDK-ja e ruan fuqishëm primatin e të qenit parti e parë në Kosovë, shton disa mijëra vota më shumë, dhe fiton edhe një grusht këshilltarësh më shumë nëpër Kuvendet Komunale të Kosovës. Kjo dmth se PDK-ja kryesisht shihet nga shumë qytetarë si partner i besueshëm për qeverisje, dhe se puna e saj e deritanishme është brenda suazave të përgjithshme të kuptimit politik nga elektorati.

LDK-ja po ashtu rriti numrin e votave të veta, megjithëse kurrkund në krahasim me zgjedhjet e para, apo të dyta në Kosovë. Kështu në këtë subjekt u bë ajo që shumë nga njerëzit e saj të lartë kanë shpresuar, ndalja e rrjedhjes së votës së elektoratit të tyre, dhe njëfarë lloj stabilizimi rreth çerekut të elektoratit kosovar.

Por si PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja, patën edhe në këto zgjedhje delet e tyre të zeza, respektivisht rezultatet e dobëta dhe dëshpëruese të tyre. Kështu për shembull, PDK-ja akoma vazhdon të lëngoj fort nga votat shumë të pakta në Dukagjinin verior dhe qendror, ku rezultati i kësaj partie lë shumë për të dëshiruar.

Në Deçan dhe Gjakovë kandidatët e PDK-së mezi morën rreth 2% të votave, ndërsa listat e tyre për këshilltarë komunal mezi kaluan 6%. Ndërsa, në Junik e Pejë rezultati ishte po ashtu mjeran, edhe pse pak më trimërues sesa në dy komunat e para-përmendura. E sa i përket Prishtinës, PDK-ja doli me një rezultat habitës edhe për vet kandidatin e saj për kryetar komune, sepse rrëshqitjen në pozitën e tretë nuk e kishin paramenduar.

LDK ndërkaq, pësoi edhe ajo dobësi të konsiderueshme. Dobësimi i votës së kësaj partie nëpër disa komuna solli një disbalancim të elektoratit të saj, i cili u manifestua më së keqi në komunën e Gjakovës ku dikur LDK-ja e mbante primatin si partia e pa kontestueshme e komunës, me kandidatin e tyre që arriti të marr aq pak vota saqë nëpër qytet ky njeri që e njeh e gjithë Gjakova si një punëtor shëndetësore dhe një ish deputet në Kuvendin e Kosovës, po quhet tashmë “Doktor 5%-shi”.

Valles së fitimtarëve, kësaj radhe iu bashkua edhe AAK-ja e cila dyfishoi votën në gjithë Kosovën, duke bërë depërtime të vyera nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, dhe duke shpërndarë qenësinë e vet jashtë Dukagjinit ku edhe është pritur që të marrë edhe numrin më të madh të votave.

Depërtimi i AAK-së në Therandë, Vushtrri (edhe pse këtu ka kontestime sepse votat e partisë më shumë po quhet votat e kandidatit që AAK e paraqiti për kryetar) Kaçanik, Dardanë etj., ia dhanë profilin kësaj partie si shtetërore, e jo më rajonale, edhe pse as AAK-ja nuk po e gjen dot ujin e jetës në kryeqytet.

Ndërkaq, humbësit e mëdhenj dolën të ishin AKR, LDD dhe ORA. Ashtu edhe siç e kam thënë edhe në zgjedhjet e para dy viteve më parë, një pjesë e elektoratit të këtyre partive i përkasin grupit të qytetarëve të lëkundur politikisht, të cilët mbushin mendjen se për kënd të votojnë vetëm kur të janë në sallën e votimit.

Ky grup njerëzish kërkon çdoherë diçka të re, diçka më ndryshe ngaqë ka pasur më parë, dhe në zgjedhjet e kaluara pikërisht këtë ua ofruan këto parti politike. Tani kur ngazëllimi ka rënë, dhe befasia zgjedhore nuk është më ata iu kthehen LDK-së dhe PDK-së si votues të lëkundur, por shkojnë dhe i kapen fort AAK-së në shtatin e saj politik, për shkakun e ndryshimeve kadrovike, dhe atyre të kulturës politike që AAK përçoj në këto zgjedhje.

Megjithëse ky grup votuesish janë të lëkundur, ata prapë se prapë bëjnë një numër të madh njerëzish që çon edhe në ndryshime të konsiderueshme në maketin politik në çdo vend. Kjo u dëshmua me këto zgjedhje edhe në Kosovë.

Tani, pas mësimit të rezultatit, detyrë për të gjitha partitë politike, del mbajtja e këtij elektorati, si dhe rritja e tij. Përderisa partitë e mëdha PDK, LDK dhe AAK që fituan mbi 15% të votave, qe sipas kritereve politike te liberal-demokracisë çdo parti që fiton në një vend mbi 15% të votave, flet në emër të një elektorati me përmasa kombëtare) mendojnë ta ruajnë këtë elektorat pikë së pari, e pastaj edhe ta rrisin atë, partitë e vogla, duhet të përqendrohen në rritjen e mbështetësve të tyre sepse përndryshe iu kanoset edhe zhbërja.

AKR-ja për shembull, nuk duhet që fushatën ta udhëheq me të gjitha forcat në vetëm tre komuna (siç edhe kemi qenë dëshmitarë, Prishtina, Mitrovica dhe Gjakova ishin pikat e privilegjuara të AKR-së në këto zgjedhje) LDD-ja të mendojë seriozisht se çka në të vërtetë përfaqëson, sepse doktrinën Rugoviane nuk po e heqin nga goja as në LDK, kurse ORA përfundimisht të shoh pozitën se ku ishte dhe ku doli, e të bëhet lokomotivë e bashkimit të forcave të majta në Kosovë, ku bashkë me PSDK-në, dhe PSK-në do të krijonin një bllok votuesish stabil, por edhe në rritje, për shkak të apelit që e majta i jep njeriut dhe shoqërisë së shëndoshë.

Një parti e bashkuar nga këto tre subjekte do të mund të dilte edhe në zgjedhjet parlamentare të ardhshme e bindur se do të fitonte minimumin e 5% për të hyrë në Kuvendin e Kosovës. Të ndarë kështu siç janë ndërkaq, zor se do të arrinin 5% të tri këto parti.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për PSHDK-në e cila doli e ndarë në zgjedhje dhe humbi elektorat ndjeshëm në krahasim me zgjedhjet kur ky subjekt udhëhiqej nga një njeri, dhe mbronte konservatizmin shoqëror. Kurse e fundit, në këto zgjedhje u panë LB dhe LIB forca këto politike që dikur ishin të bashkuara por se kësaj here vendosen që ndarazi të masin forcat në zgjedhje. U pa se komunat nga vijnë kryetarët e këtyre partive kanë admirim për njeriun e tyre për çka edhe votuan ndjeshëm për ta, tani atyre iu del detyrë që si forca nacionaliste që duan ta bashkojnë kombin shqipëtar, së pari të bashkohen mes veti ashtu që vota e tyre të mund të shpërndahet në më shumë se në Rahovec e Kastriot, por të marri pjesë më të mëdha të zgjedhësve që ndjekin politiken e tyre, por që duke i parë të ndarë ngurrojnë që të votojnë për ta.

Dhe në fund, habit fakti se me gjithë problemet e panumërta në ambientin ku jetojmë, votuesi kosovar, vazhdon ti neglizhoj alternativat ambientaliste, duke kthyer veshin e shurdhër përballë dy partive ambientale të Kosovës. Ndoshta, votuesit duan që PGJK dhe PAK edhe ata të bashkohen në një, ashtu që të jenë më konkurrent në alternativen e tyre.

(Autori është ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Glasgow të Britanisë së Madhe. Shkrimi është pjesë nga referati i autorit në dëgjimin shkencor “Kosova në fund të vitit 2009” mbajtur në Qendrën për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Glasgow-t me datë 3 dhjetor 2009)