LAJMI I FUNDIT:

Kosova pa sigurime shëndetësore – deri kur?!

Pas vitit 1999 shëndetësia në Kosovë si sistemet tjera ka pësuar kolaps si në aspektin organizativ, por edhe atë financiar. Derisa në sistemin e kaluar ka ekzistuar sistemi i sigurimit shëndetësor, që nga paslufta e këtej financimi shëndetësor për shkak të specifikave të veta ka kaluar në financimin e bazuar në taksa. Edhe pse reforma e financimit në shëndetësi ne dekadën e fundit ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet i agjendës së partive politike kryesisht në fushata parazgjedhore, ende deri më sot nuk ka pasur ndryshime në mekanizimin e financimit shëndetësor. Në anën tjetër sektori shëndetësor në Kosovë mbetet i financuar nga tatimet, ndërsa burimet private vlerësohet të kontribuojnë me rreth 40 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për shëndetësi.

Tani për tani Kosova sa i përket financimit shëndetësor ka sistemin më të lehtë për tu administruar. Mbulimi i popullatës me shërbime shëndetësore në këtë sistem është uniform. Por financimi për shëndetësi mbetet shumë i ulët pavarësisht mënyrën e pagesës. Në vitin 2004 Banka Botërore ka vlerësuar se për shëndetin e secilit person janë shpenzuar vetëm 81 euro në vit. Nga kjo shumë 45 euro janë shpenzuar nga buxheti qeveritar, 4 euro nga donatorët, ndërsa 32 euro janë shpenzimet nga xhepi i vetë qytetarëve. Tani ky financim ka arritur diku mbi 120 euro, por niveli financimit të shëndetësisë mbetet dyfish më i ulët se sa në vendet e rajonit. Kur dihet se niveli i financimit në shëndetësi për person në rajon është me disa qindra euro, ndërsa në shtete evropiane është më mijëra euro, atëherë mund të konkludojmë se shëndetësia kosovare është më së paku e financuar në të gjithë Evropën.

Mungesa e deri tanishme e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore dhe ndarja e buxhetit të tanishëm për shëndetësi e ka krijuar situatën që shërbimet shëndetësore të mos jenë në nivelin e kërkuar kualitativ. Bazat e një reforme financiare ende nuk nisën edhe pse ligji i Shëndetësisë i vitit 2004, ofronte bazë për këtë. Tre vjet më vonë në prill të vitit 2007, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Sigurime Shëndetësore ku financimi shëndetësor do bëhej kryesisht nga tatimet në pagë. Mirëpo fatkeqësisht Ligji nuk u nënshkrua nga PSSP-ja dhe si i tillë është rikthyer për rishikim që në fakt nënkuptonte, nisjen e punimit të tij nga fillimi.


Gjatë vitit 2009-2010 Ministria e Shëndetësisë ka draftuar edhe njëherë këtë Projektligj dhe pas disa muajsh pune dhe konsultimesh të ndryshme, ky Projektligj është proceduar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, e cila për shkak të rrethanave politike të krijuara në vend, sidomos pas shpërndarjes së, vazhdon ta mbajë në sirtar.Sipas këtij projektligji Sigurimi Shëndetësor në Republikën e Kosovës, do të organizohet dhe zbatohet si sigurim shëndetësor i obligueshëm dhe vullnetar, ku sigurimi shëndetësor i obligueshëm është i detyrueshëm për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës.

Me krijimin e Sistemit të sigurimeve do të ndërrohet rrënjësisht sistemi shëndetësor dhe shërbimet do të jenë më të mira përkitazi edhe një rritje e financimit për shëndetësinë dhe një përmirësim të gjendjes ekonomike të punëtorëve shëndetësorë. Në të njëjtën kohë xhepi i pacientëve nuk do të varfërohej si tani, sepse sigurimi i obligueshëm do mbushej më shumë nga popullata e shëndoshë për të shërbyer për rastet e shëndetit të prishur të kësaj popullate.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Qendrën për Hulumtime Shëndetësore (QHSH), ditë më parë organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën “Kosova pa sigurime shëndetësore – Deri kur?!”, ku të pranishmit nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, politikanë dhe ekspertë kanë diskutuar rreth mungesës së sigurimeve shëndetësore dhe ligjit që rregullon këtë çështje. Nga kjo tryezë dolën disa rekomandime për Qeverinë e Kosovës në mënyrë që ajo të ketë vizion të qartë rreth asaj se çfarë sigurimi shëndetësor do ishte më i përshtatshëm si në aspektin organizativ dhe financiar. Procesi ligjor për sigurimin shëndetësor u rekomandua të jetë i vazhdueshëm dhe i hapur ndaj përvojave që do të fitohen gjatë procesit.

Përdorimi i burimeve tjera financiare përmes taksave direkte dhe indirekte në disa produkte si duhani, alkooli, të destinuara kryesisht për shëndetësinë mund të shërbenin si burime shtesë për rritjen e financimit. Modeli i funksionimit të Trustit Pensional të Kursime si Agjenci e pavarur, mund të shfrytëzohej si model për sistemin e ardhshëm të sigurimit shëndetësor. Qartësimi në detaje i pakos së shërbimeve dhe ristrukturimi i sistemit të ofrimit të kujdesit shëndetësor, u rekomandua që të shkojë paralelisht me reformimin financiar. Në këtë tryezë po ashtu u kërkua që parapërgatitja me kohë e infrastrukturës profesionale – menaxheriale dhe teknike si dhe krijimit te sistemit te informimit shëndetësor. Miratimi i Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore dhe zbatimi i skemës së sigurimeve kërkon konsensus sa të gjerë në vend: të institucioneve vendimmarrëse politike, sindikatave, shoqërisë civile dhe qytetarëve dhe një dialog të vazhdueshëm në rrugën e reformimit të këtij sektori të shoqërisë. Shumica e njerëzve në Kosovë, presin gjatë këtij viti lajme të mira nga Qeveria dhe Kuvendi i ardhshëm.

(Autori është kryetar i Qendrës për hulumtime shëndetësore)

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori