LAJMI I FUNDIT:

KFOR: Nuk ka indikacione për përkeqësim të situatës

KFOR: Nuk ka indikacione për përkeqësim të situatës

Në një konferencë për media, të fundit për këtë vit, zyrtarë të KFOR-it thanë se misioni i tyre mbetet i njëjtë, ruajtja e paqes dhe qetësisë në Kosovë nën mandatin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Zëdhënësi i forcave paqeruajtëse, Adriano Graziani, tha se trupat e KFOR-it do të ndihmojnë policët ndërkombëtarë të misionit EULEKS nëse nga ata kërkohet ndihmë.

Mirëpo sipas tij, tash për tash kjo ndihmë nuk duket të jetë e nevojshme, sepse misioni evropian është pranuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai beson se policia ndërkombëtare në punën e saj nuk do ta hasë në ndonjë telash. Forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë të angazhuara në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në trajnimin e oficerëve të rinj.


Disa faza të trajnimeve tashmë kanë përfunduar, ndërsa KFOR-i është në pritje të autoriteteve kosovare që të zgjedhin strukturat udhëheqëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Partnerët e koalicionit qeverisës akoma nuk janë dakorduar se kush do të jetë komandant i FSK-së. Në këtë proces ka vonesa dhe për këtë krerët e forcave paqeruajtëse kanë kritikuar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

"Ka shqetësime për vonesat. Tashmë të gjithë e dimë se ka vonesa sepse ishte paraparë që në fillim të dhjetorit të krijohet Forca e Sigurisë së Kosovës", tha zëdhënësi Adriano Graziani.

Udhëheqësit ushtarakë të KFOR-it kanë thënë se pala kosovare nuk e ka kryer punën e saj, por prapë se prapë ata besojnë se shpërbërja e TMK-së dhe krijimi Forcës së Sigurisë së Kosovës do të përfundojë me sukses.

Njëri nga ekspertët e njohur të çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja ka thënë se vonesat në përzgjedhjen e strukturave udhëheqëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të panevojshme dhe i ka porositur udhëheqësit politik kosovarë që çështja e krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës të mos politizohet. /D-Welle/