LAJMI I FUNDIT:

Këshilltarët politikë, kush janë ata?

Këshilltarët politikë, kush janë ata?

Vërtetë duan të qëndrojnë në prapaskenë për shkak të modestisë, apo për shkak të mungesave që ata kanë? A janë këta këshilltarët e vërtetë që i shohim në publik, apo janë të “padukshmit” mbrapa kulisave që i këshillojnë shefat për bërjen e politikave? A japin njëmend këshilla, apo vetëm janë dekor krizantemash në zyrat e shefave të tyre?

Këto mëdyshje fashiten për faktin se sikur të kishim këshilltarë të duhur dhe në vend të duhur, atëherë në partitë politike nuk do të mbretëronte kaosi çfarë e kemi sot dhe në institucionet e vendit do të kishim tjetër imazh në sy të botës sa i përket bërjes së politikave të jashtme, si dhe do të kishin tjetër stabilitet të zhvillimit ekonomik, politik dhe të sigurisë sa i përket bërjes se politikave të brendshme.


Në institucionet e larta të Republikës së Kosovës, ekziston një kontingjent jo i vogël prej rreth 200 këshilltarësh politikë me paga “modeste” dhe me të gjitha privilegjet, që e rëndojnë buxhetin e lodhur të Kosovës. Kasta e tyre u takon kryesisht dy kampeve: njëri kamp i takon modelit të këshilltarëve, në CV-të e të cilëve dominojnë kryesisht bëmat e tyre në luftën e fundit në Kosovë; ndërsa kampi tjetër përbëhet nga të “moderuarit”, që identifikohen kryesisht me kurse të përfunduara në universitetet më “prestigjioze”, për namin e të cilëve nuk kemi dëgjuar asnjëherë. Këta të fundit shquhen edhe për njohje të “avancuar” të gjuhës angleze, fondi i të cilëve përbëhet prej rreth 200 fjalësh.

* * *

Christoph Heusgen është këshilltar për politikë të jashtme i kancelares gjermane, Angela Merkel. Sukseset e tij në këtë fushë janë të jashtëzakonshme, prandaj kancelarja Merkel ka shkëlqyer në politikat e jashtme qëkur erdhi në këtë post në vitin 2005. Ai e tërhoqi vëmendjen e Kancelares kur ishte udhëheqës i shtabit politik të Javier Solanës, ish-përfaqësues i lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë në BE. Pas zgjedhjeve të vitit 2005, Merkel e ftoi Heusgenin në Berlin për ta njohur. Heusgen, nganjëherë e quan veten “një orendi të vjetër që ka mbetur kot aty!”.

Ai u lind në vitin 1955 dhe ka studiuar në Universitetin e St. Gallenit në Zvicër. Heusgen është modeli i këshilltarit që kancelarja Merkel preferon ta ketë gjithnjë afër vetes. “Ai nuk bie në sy, nuk është i bezdisshëm dhe në punë shkon me biçikletë”, thotë Stefan Kornelius. Christoph Heusgen, përveçqë është koordinator kryesor për politika të jashtme, ai e furnizon Kancelaren me vlerësime e letra, përgatit udhëtime e vizita, derisa nëpër tavolinën e tij kalojnë imtësitë në mënyrë diskrete dhe luajale.

Merr pjesë në çdo udhëtim. Në avion ulet afër Merkelit dhe së bashku i shikojnë fjalimet, parashtresat dhe diskutojnë për botën. Vetëm një herë në përvojën e tij është shprehur skeptik për një gazetë mbi gjasat gjermane për anëtarësim të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, derisa ministri i Jashtëm, Steinmeier ka shpërthyer. Heusgen e ka kuptuar leksionin dhe thotë: “Jetëgjatësia rritet nëse nuk je i detyruar të veprosh publikisht!”.

Modeli i këshilltarit shembullor, por këtë herë në Kosovë ishte i ndjeri Xhemail Mustafa, këshilltar politik i presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Modest dhe i ekuilibruar në njërën anë dhe kreativ e prosperues në anën tjetër, Mustafa ishte modeli i këshilltarit se me ç’kulturë dhe elokuencë ndërtohen marrëdhëniet midis shefit të tij dhe mediave, në veçanti të atyre ndërkombëtare, të cilat shfaqnin interesimin e pandërprerë për çështjen e pazgjidhur të Kosovës.

Për dallim nga homologu dhe moshatari i tij gjerman Heusgen që udhëton me biçikletë, Mustafa udhëtonte këmbë deri në zyrën e tij. Diskursin politik të shefit të tij, dr. Ibrahim Rugova, ai e artikulonte kujdesshëm çdo fundjavë në kolumnen e tij “Triptik për të shtunën”. Mustafa ishte këshilltar politik i përmasave nacionale dhe asnjëherë nuk mbahet mend të ketë rënë pre e politikës ditore dhe inercioneve partiake. Ai veçohej për faktin se besonte në idealizmin dhe diskursin politik e nacional të presidentit Rugova, prandaj personaliteti i tij mbetet model i këshilltarit të pazëvendësueshëm në Kosovë.

* * *

Përjashto përballjen me Gjykatën Kushtetuese dhe më pas dorëheqjen e tij, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e kishte kabinetin më profesional që nga paslufta në Kosovë. Ndonëse edhe vet profesor universitar, të gjitha fjalimet dhe mesazhet që artikuloheshin para publikut ishin mbresëlënëse. Fjalimet e ish-presidentit Sejdiu duket që janë edhe suksese të këshilltarit të tij Ibrahim Berisha, i cili asnjëherë nuk është shfaqur në publik. Zakonisht fjalimet e ministrave, pavarësisht në cilin shtet dhe pavarësisht rëndësisë së dikastereve që i drejtojnë, janë gjithmonë nën hijen e fjalimeve të presidentëve dhe kryeministrave.

Na kanë rënë në sy edhe situata groteske, kur këshilltarët politikë jo rrallë kanë lënë përshtypje se janë më dalëzotës se vet Presidentja e vendit, prandaj këshilltarët politikë në Kosovë shihen edhe me një sy tjetër; atë të informatorëve…