LAJMI I FUNDIT:

KDI: Jo kthimit të veprimeve joparlamentare

KDI: Jo kthimit të veprimeve joparlamentare

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme.

Në një njoftim për media, ata kanë thënë se rikthimi i veprimeve jo parlamentare, siç është hedhja e gazit lotsjellës, për të ndërprerë punën e komisionit parlamentar, në këtë rast Komisioni për Punë të Jashtme, është cenim i demokracisë dhe jetës parlamentare.

“U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve politike që të ushtrojnë të drejtat e tyre parlamentare dhe të mos cenojnë të drejtën e asnjërit deputet për të ushtruar mandatin dhe përgjegjësitë kushtetuese për të cilat janë të zgjedhur. Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi është një marrëveshje e cila pasi ka kaluar nëpërmes kundërshtimeve dhe argumentimeve “pro dhe kundër”, duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë, qoftë për t’u ratifikuar apo dhe për t’u hedhur poshtë si marrëveshje e pavlefshme. Procedimi i marrëveshjes me procedura të përshpejtuara është i panevojshëm, ndërsa deputetëve e komisioneve duhet t’u lihet kohë e mjaftueshme në dispozicion për të trajtuar me hollësi këtë marrëveshje”, thuhet në njoftim.


Më tej në njoftim thuhet se Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës që vendos për marrëveshjen, dhe asnjëri deputet ose grup politik nuk ka të drejtë të pengojë vullnetin e asnjërit nga deputet tjerë për të votuar pro apo kundër kësaj marrëveshje.

“Përdorimi i veprimeve jo parlamentare dhe ashpërsimi situatës politike mund të prodhojë dhunë dhe të provokojë tensione të reja. Prandaj ne bëjmë thirrje të gjithë deputetëve që të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe veprimet e tyre të jenë komfor rendit juridik dhe kushtetues, në bazë të cilit dhe janë zgjedhur”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/