Në një intervistë për emisionin Tonight Ilva Tare, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli ka theksuar pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe është shprehur i bindur se krijimi i Gjykatës Speciale në Kosovë, vetëm sa do e legjitimojë këtë luftë, duke e quajtur ngritjen e kësaj gjykate si çmimin që Kosova duhet të pagujë për lirinë.
Duke folur për ngjarjet politike në Kosovë, Kadri Veseli ka thënë se konflikti mes forcave politike dhe veçanërisht me Vetëvondosjen mund të ishte shmangur nëse palët do të uleshin të bisedonin në parlamentin e Kosovës dhe jo të kishin krizë nëpër rrugë.
Ai gjithashtu ka bërë publike ofertën e tij për opozitën në Kosovë për t’iu rikthyer jetës normale politike në vend
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka folur për zgjedhjet që do të bëhen brenda kësaj partie në konventë duke shpresuar se do të ketë një kundërshtar deri ditën e zgjedhjeve, ndërsa për postin vakant të Ministrit të Jashtëm, ka siguruar se do t’i përkasë sërish PDK-së.
Kadri Veseli ka hedhur poshtë zërat për zgjedhje të parakohëshme në Kosovë duke thënë se kjo do të ndodhë vetëm nëse partitë e koalicionit qeverisës do të bien dakord.
Problemi më i madh në Kosovë është korrupsioni dhe ky fenomen duhet të luftohet me më shumë guxim sipas kreut të parlamentit kosovar.
Përsa i përket bashkëpunimin me Shqipërinë, Kadri veseli ka thënë se delegacionet e vendeve përkatëse duhet t’i lënë fotot e bukura dhe të punojnë për të zhvilluar ekonominë e dy vendeve tona.
Pjesë nga intervista:
Po bëni fushatë për garën për kreun e PDK? Si po shkon?
Jemi në një proces të tranzicionit të lidershipit, jemi në një proces të zhvillimit të PDK, ndërmarrjen e disa reformave brenda PDK dhe zgjedhjen e kryetarit të ri. Besoj se shumë shpejt do ta kemi këtë vendim, më datën 7 maj, deri tani është jashtëzakonisht mirë.
Nuk ka shumë dilema për kryetarin e ri. Jeni kandidat i vetëm. Si shpjegohet kjo garë pa garë?
Sidoqoftë, demokracia ka rregullat e veta, konkurrenca e bën lojën edhe më të këndëshme.
Si shpjegohet që nuk ishte dikush t’ju dalë për rival?
Po ende është herët, shpresoj se do të kemi.
E keni gjetur vetë rivalin?
Jo, në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë. Kjo ka qenë kur jemi futur në garën e kandidaturës për kryetar të PDK, që të mos kemi artificializma por ta kemi një natyralitet, dhe do të jetë një përgjegjshmëri më e madhe e lidershipit të PDK në kandidaturat e veta por edhe në zhvillimin e partisë, për arsye se nuk po flasim vetëm për zgjedhjen e një kryetari, një parti e cila është partia më e fuqishme në vend, edhe për një vizion të ri për të cilin ka nevojë domosdoshmërisht në rrethana të reja Kosova.
E quani të rëndësishme prezantimin e paltformave gjatë kësaj gare? Është e cënuar fitorja juaj meqënëse nuk pati rivalë?
E quaj të rëndësishme sepse është një risi në skenën politike kosovare, është një ndërmarrje e cila ka qenë e sinqertë, në të cilën mundësia i është dhënë të gjithëve, secili që dëshiron të paraqesë kandidaturë për kryetar të partisë, ka qenë i lirshëm ta bëjë këtë gjë dhe në të njëjtën kohë, ne të gjithë kemi interes ta kemi një parti e cila ka në brumin e vetë një vizion, i cili do ta marrë me një përgjegjshmëri të lartë udhëheqjen e partisë por në të njëjtën kohë udhëheqjen e shtetit dhe institucioneve të Kosovës.
Disa kolegë, kur mësuan se po vija në Prishtinë të intervistoja, më thanë se po shkoja të intervistoja njeriun më të pushtetshëm të Kosovës. Pse mendojnë kështu për ju?
Njeriu më i fuqishëm në Kosovë është ai që ka besimin më të madh të popullit t ëKosovës, por mendimi im është se më i fuqishmi në këtë botë është vetë Krijuesi që na ka krijuar. Ne kemi përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit si bashkëqytetarë në radhë të parë, si qenie humane dhe në të njëjtën kohë si përgjegjës institucional kemi përgjegjësi para vendit që ta çojmë më përpara këtë vend për arsye se ne kemi sakrifikuar shumë. Populli ynë ka sakrifikuar shumë që ta gëzojmë sot lirinë por në të njëjtën kohë kemi edhe shumë sfida para nesh.
Përsa i përket biografisë suaj, kur po prisnim dikush në holl më tha se Kadri Veseli ka biografi të bujshme. Si e kuptoni këtë?
Unë mund ta quaj se kam një biografi e cila ndërlidhet me zhvillimet në vendin tim, me fatin e popullit tim, e cila që në fazat e reja të jetës sime më ka futur në rrjedha të cilave edhe unë nuk i kam ikur përgjegjësisë e cial më takuar si pjesëtar i popullit tim. Që në rininë e hershme jam aktivizuar në lëvizjen atdhetare të kohës për lirinë e popullit tim. Natyrisht ka patur sakrificat e veta, ka patur dfidat e veta për të cilat edhe populli ynë ka akluar nëpër to por ne bashkarisht, çdo qytetar i këtij vendi duhet të jetë krenar me të kaluarën e vet për arsye se kemi kaluar nëpër peridha të rënda, kemi arritur çlirimin, kemi arritur pavarësinë por tani ajo çfarë na mbetet shumë edhe më shumë është ta zhvillojmë këtë vend, t’ua përmirësojmë jetën njerëzve tanë. Kjo është ajo për çka unë mundohem çdo ditë, kjo është ajo për çka edhe sot jam në politikë, kjo është ajo për çka unë kam pranuar të jem edhe një nga kandidatët për kryetar të partisë më të madhe në vend. Unë kam lindur në Mitrovicë, familja ime vjen nga një fshat malor dhe jam shumë krenar për atë identitet, për atë shpirt tolerance që ka patur dhe në të njëjtën kohë edhe për atë emancipim i cili ma ka krijuar mundësinë duke qenë bashkëqytetar i atyre njerëzve të mëdhenj.
Kjo ishte Mitrovica kur ju ishit i ri. Po Mitrovica e sotme si është? A keni ende një shtëpi atje?
Po, i kam, jetojnë pridërit dhe familja. Unë e quaj veten dhe jam nga Mitrovica. Mitrovica sot ka bërë progres por qyteti im i lindjes ende është i ndarë padrejtësisht nga grupe që nuk ia duan të mirën në rend të parë, grupe të cilat janë johumane për arsye se nuk i lënë njerëzit të jetojnë lirshëm, të lëvizin lirshëm, me petk politik në emër të nacionalizmave të caktuar, në rastin konkret të nacionalizmit serb.
A mund të thuhet se shteti i pavarur i Kosovës ka dështuar në Mitrovicë?
Jo, asesi. Shteti i pavarur i Kosovës është në proces ndërtimi të vet dhe shtrirjes së sovranitetit. Ne kemi një progres jashtëzakonisht pozitiv edhe në pjesën veriore të Kosovës, kemi një integrim të komunave të cilat i kanë të zgjedhurit e vet në institucionet e Republikës së Kosovës dhe Kosova do të jetë e tëra, një, e pandarë.
Si u përfshitë në Lëvizjen Popullore të Republikës së Kosovës, në vitet ’80?
Rrjedhat e popullit tim, gjendja e popullit tim, gjendja tepër e rëndë, padrejtësi të mëdha të cilat ne si të rinj me idealizmin tonë të brumosur nga ambienti ku jeton, mendonim se mund ta ndryshonim, edhe arritëm ta ndryshonim. Kosova dhe shqiptarët gjendeshin në pozitën më të pafavorshme në ish Federatën Jugosllave, ishin të pabarabartë dhe në të njëjtën kohë ishin të shtypur. Kjo është ajo që mua më ka shtyrë, më ka drejtuar që të jem kundër këtij shteti dhe të ndihem sot krenar se kemi arritur ta realizojmë qëllimin e popullit tonë
Si u transformua më pas LPRK në UÇK?
E gjitha nga rrjedha natyrore e zhvillimeve, politika e Milosheviçit pas vitit 1988 ka ardhur agresivisht në Kosovë dhe demostrimi i tyre paturpësisht për tjetërsimin e identitetit tonë, të shqiptarëve, eskalimi i konflikteve me ish Jugosllavinë në fillim viteve ’90, bëri që gjendja në Kosovë të vështirësohej tepër rëndë, vrasjet e njerëzve të pafajshëm, dëbimet masive dhe veçanërisht kjo e fundit, dëbimet masive të popullatës së re të Kosovës përmes një zhbimi masiv të qytetarëve tanë nga Kosova krijoi një rrezik se Kosova, pa nam, të shuhej nga identiteti i vet tradicional si një shtet shqiptar. Ky ka qenë edhe reagimi, dhuna e patolerueshme faktikisht edhe e papërmbajtshme e cila, politika e Milosheviçit e ushtroi në Kosovë, na imponoi që edhe në të ishim reaktivë kundër kësaj dhune me mjete të dhunshme.
Cilët ishin bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë në atë kohë?
Po kishte shumë.
Janë ende bashkëpunëtorë tuajët?
Po, janë ende fatmirësisht shumica prej tyre. Po flasim për periudha të cilat kanë kaluar me dekada. Tani mund të jemi krenarë se njëri nga kontribuesit më të mëdhenj të lirisë, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, tani është President i Republikës së Kosovës, por ka edhe shumë të tjerë me të cilet kemi bashkëudhëtuar, ka shumë të cilët sot i kemi gjallë por në të njëjtën kohë me dhimbje të madhe duhet t’i kujtojmë dhe me krenari edhe të gjithë atë masë të madhe të njerëzve të cilët kanë qenë, shumica prej tyre, të rinj të cilët sot nuk i kemi, janë heronj të kombit.
Ka bërë gabime në këto 20 vite të jetës së tij politike dhe publike Hashim Thaçi?
Ne çdo ditë bëjmë gabime si qenie njerëzore, mund të bëjmë gabime por ajo që është kryesore që jam shumë i bindur: Ne në asnjë moment nuk kemi bërë gabim të qëllimshëm për ta dëmtuar kombin tonë dhe në çdo moment edhe në qoftë se kemi gabuar, kemi gabuar vetëm për t’i shërbyer kombit tonë për qëllimin më të mirë. Kjo ka qenë ajo që na ka prirë dhe për këtë pjesë jemi shumë krenarë dhe në të njëjtën kohë çdo njeri i cili punon, gabon. Në botën njerëzore ka lloj-lloj njerëzish, ata që shikojnë, disa vetëm flasin dhe kritikojnë dhe disa që punojnë dhe i kritikojnë të tjerët. Ne bëjmë pjesë tek grupi i tretë i njerëzve, ne punojmë por kur punon mund edhe të gabosh dhe kur është vendi mund të kërkosh edhe falje se është njerëzore edhe të kërkosh falje.
Ka ardhur momenti që UÇK e asaj kohe, dhe ju jeni një ndër themeluesit e saj, bashkë me bashkëpunëtorët tuaj të kërkoni falje për një krim lufte që është kryer nga UÇK gjatë luftës?
Po pyesni për UÇK e cila ka qenë organizatë politiko-ushtarake çlirimtare. Ne mund të kërkojmë falje për ndonjë veprim të cilin kemi mundur ta kryejmë si politikë por asnjë moment gjatë gjithë ekzistencës së vet UÇK nuk ka pasur një politikë të zhvillimit të vet e cila ka qenë dëmtuese ndaj një popullate apo subjekti të caktuar. Qëllimi ka qenë liria. Kini parasysh ato rrethana, zhvillimin e vet. Por kërkjmë falje në qoftë se ndonjë individ ka gabuar në uniformën e UÇK, mund t’i kërkojmë falje çdokujt i cili mund të jetë i dëmtuar, por UÇK si organizatë politiko-ushtarake qëllimin e vet politik e ka pasur tërësisht të pastër, ka qenë çlirimtar, ka qenë në shërbim të vendit. Nëse mendoni për njerëzit brenda UÇK të cilët mund të kenë pasur gabime të caktuara, ne natyrisht kemi qenë shumë të hapur, jemi shumë të hapur. Jemi vendi i vetëm i cili e kalojmë rrethin e pestë të drejtësisë në Ballkan. Në konfliktin Ish Jugosllav, vetëm UÇK i është nënshtruar gjithë këtyre radhëve të drejtësisë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe një gjykatë speciale e cila për asnjë ish ushtri tjetër në Ish Jugosllavi, as për armatën serbe nuk është zhvilluar. Ky është çmimi i lirisë të cilin ne po dëshirojmë ta tregojmë se jemi të gatshëm të ballafaqohemi me çdo edhe pretendim për dyshimet në luftën tonë të pastër të UÇK.
Gjykata Speciale është miratuar në parlament, është gati të fillojë punë, flitet se në fund të vitit mund të ketë fletë-arreste të bujshme gjithashtu me emra të njohur të UÇK. Keni ju dijeni për këto që dëgjohen?
Ne kemi në dijeni vendimin të cilin e kemi marrë, vendim i cili ka qenë shumë i dhimbshëm, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vendim i cili ka pasur qëllim që individi ta bëjë vendin e vet, lirinë e vet për arsye se ka qenë një moment kur edhe nga vetë partnerët tanë na është këshilluar se vërtetë këto pretendime dhe akuza ndaj disa luftëtarëve të UÇK po bëhen pengesa në vetë zhvillimin e vendit, kjo ka qenë edhe arsyeja pse kemi pranuar. Lufta e UÇK në asnjë moment nuk do të përbaltet, ajo është e shenjtë për ne, ajo është luftë e drejtë çlirimtare. Në të njëjtën kohë, nëse ka diçka, ndërlidhet me gabime individuale, gjithsesi ekziston gatishmëria besoj e çdo luftëtari të ballafaqohet për t’u përgjigjur në çështje të tilla dhe për të vënë në vend të drejtën dhe të vërtetën.
Do t’i thoni këto deklarata edhe nëse vjen një fletë-arresti për ju apo për zotin Thaçi?
Do t’i themi çdo moment për arsye se mendimi ynë dhe zhvillimi ynë nuk bazohet në situata dhe rrethana se është lehtë apo vështirë. Ne jemi shumë krenarë me të kaluarën tonë, jemi shumë ballëhapur për atë që kemi bërë për lirinë e Kosovës dhe besoj shumë se Gjykata Speciale do ta forcojë të drejtën e rrugës sonë që kemi ndjekur dhe në të njëjtën kohë edhe të shohë nëse ka gabime të cilat mund të jenë individuale, do të trajtohen por sidoqoftë akuzat të cilat janë bërë shumë të rënda dhe shumë të padrejta luftës së UÇK për trafik organesh janë vërtetë një nonsens të cilin nuk e kemi merituar.
Ju jeni përpjekur për aq sa keni mundur përpara se të hynit në jetën politike të ishit shumë i rezervuar. Daljet tuaja kanë qenë të ralla, keni folur shumë pak për jetën tuaj të mëparshme në kohën kur drejtonit si gjatë UÇK kundër-zbulimin por edhe gjatë SHIK. Dini ju gjëra që do të trondisnin jetën politike në Kosovë?
Unë e ndiej veten në siklet kur të tjerët më numërojnë ndonjë meritë. Krejt ajo çfarë kemi bërë, unë besoj se ka qenë një udhërrëfim të cilin e kemi pasur të paracaktuar me fatin e popullit tonë edhe na duhet të jemi shumë falenderues secilit individ kur kemi mundur të bëjmë diçka. Ndërsa fodullëk e konsideroj çdo mburravec pavarësisht çfarëdo kontributi për ne të gjallët që kemi mbetur, për arsye se kontributi i ne të gjallëve që kemi mbetur, nuk ka përfunduar në 12 qershor kur është çliruar vendi, nuk ka përfunduar më 17 shkurt 2008 kur kemi shpallur pavarësinë. Ne duhet shumë e më shumë të jemi të përgjegjshëm e të punojmë për këtë vend, për këta njerëz të cilët na kanë përkrahur, na duan. Kemi një popull të jashtëzakonshmë për të cilët natë-ditë duhet të punojmë për t’ia përmirësuar jetën se ky është obligimi ynë. Momenti i mendjemadhësisë ose i meritokracisë duhet veçanërisht mes nesh të largohet sa më shpejt sepse po na pengon
Kush është mendjemadh në Prishtinë nga politikanët?
Mendjemadh është secili që pretendon se ka arritur të çlirojë vendin, ai që mendon se pa të nuk so ishte bërë ky zhvillim pozitiv, mendjemadh është ai që mendon se duhet të përfitojë gjithçka vetëm pse ka qenë një moment të caktuar diku, ai që pretendon të përfitojë pastaj në emër të saj. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe me këmbë në tokë, të punojmë çdo ditë. Ne ende kemi shumë për të bërë, jemi vendi që ka të papunë më së shumti, jemi vendi më i varfër në Evropë, këto duhet të jenë brengat tona, ky është edhe qëllimi im pse edhe do ta vazhdoj politikën, nuk do dal nga politika dhe do të jem shumë bindës në këtë qëllim edhe do të jem shumë i vendosur t’i shkoj deri në fund.
Një nga problemet më të mëdha që kanë Kosova dhe Shqipëria është korrupsioni, në nivelet më të larta të qeverisjes, të pushtetit ekzekutiv, vendor. Pse e ka të pamundur shteti i Kosovës ta luftojë si fenomen dhe a ka ndëshkueshëmri në nivele të larta të politikanëve që abuzojnë?
Kush e bën këtë? Ne e bëjmë vetë. Kush mund ta ndalë? Ne mund ta ndalim vetë. Pse nuk e ndalim? Ky është faji ynë. Këtu duhet të fokusohemi pa pasur paragjykime. E kemi një vërejtje të cilën duhet ta kemi. Shpesh herë në gjuhën politike zhvillohet: “AI i korruptuari” me krahinë ose me parti. Korrupsioni është fenomen individual i cili prek natyra të cilat janë të dobëta dhe i cili duhet të mos tolerohet. Ne duhet ta bëjmë vetë. Si mund ta bëjmë këtë? Duke qenë më të guximshëm. Në rend të parë duke mos lejuar që burokratë të cilët paguhen nga taksat tona të krijojnë privilegje për vete. Në pjesën e dytë, të denoncohen raste të tilla për arsye se ai është patriotizmi sot. Ajo çka duhet të bëhet edhe më tepër në aspektin institucional , duhet të rritet transparenca, duhet të largohet zinxhiri veçanërisht i ndërmjetësuesit. Kjo mund të bëhet vetëm me një rregullim i cili i krijon situata të favorshme konkurrence të gjitha bizneseve. Në momentin kur kemi këta zinxhirë të cilët si pashallarë qëndrojnë në mes dhe e konsiderojnë veten se janë shumë të fuqishëm, atëherë krijohet korrupsioni , atëherë krijohet nepotizmi dhe atëherë kemi edhe krimin e organizuar.
Po flisni si opozitar…se PDK është në pushtet?
Jo, unë po flas ashtu si do të ndodhë.
Cili është kontributi i PDK përsa i takon luftës kundër korrupsionit?
Kontributi i PDK është i përditshëm, më së pari në krijimin e prevensionit që mos të ketë korrupsion. Në të njëjtën kohë, çdo rast kur ka pasur atakim të zyrtarëve të PDK, qëndrimi politik i partisë ka qenë shumë i qartë, ata duhet të merren me rastet e tyre dhe aspak nuk ka të bëjë PDK si parti politike por në të njëjtën kohë ne do të vazhdojmë edhe më tej, duke krijuar një distancë të qartë me çdo individ i cili ka aparencë të korrupsionit. Në momnetin e reformave që do të vijnë, do të kemi hapa të brendshëm edhe brenda institucioneve , në të njëjtën kohë edhe në të gjithë shoqërinë. Ne, nëse ka perceptim se ka korrupsion të lartë në Kosovë, kush po e bën atë? Atëherë kosovarët, ne duhet të merremi vetë me atë fenomen për arsye se e njohim vendin tonë më së miri, i njohim njerëzit tanë dhe duhet veçanërisht të jemi pak në kompromis në krijimin e një situate të tillë, e lëmë deri në faljen e saj ose mbulimin e situatave të tilla. Deri këtu duhet ta pranojmë, nuk ka qenë e suksesshme lufta kundër korrupsionit edhe pse ka pasur rezultate. Nuk qëndrojmë më keq se vendet në rajon por sido që të jetë, Kosovës dhe vendit tonë, popullit tonë, të cilët kanë pësuar aq shumë, kjo nuk i tolerohet fare edhe nuk do t’i tolerohet, të jeni të sigurtë, nuk do të jenë vetëm fjalë, do të shohim vepra, janë një varg hapash të cilat do t’i ndërmarrim shumë shpejt.
Si shpjegohet që politikanët në hapësirën ku ka shqiptarë, qoftë në Shqipëri, në Kosovë por edhe shqiptarët, politikanët në Maqedoni, disa edhe në Mal të Zi, janë kryesisht politikanë të pasur. Si shpjegohet, sepse jemi vende të varfër?
Nuk do ta thoja vetëm tek shqiptarët, nuk do ta veçoja për arsye se korrupsioni, krimi janë fenomene që janë në çdo shtet edhe s’kemi pse ta marrim si atribut. Sido që të jetë, është një karakteristikë se tek vendet e varfra sheh politikanë me ora shumë të shtrenjta, me makina superluksoze, me shtëpi nga dy ose tre, disa s’i përdorin kurrë, kjo është e vërtetë. Ky është një realitet që duhet shpejt të ndërrojë.
Si ndodh kjo, pse i kanë këto mundësira?
Unë nuk e di pse në vende të varfra e ndiejnë veten të privilegjuara kastat e tilla. Unë bëj pjesë vetë në kuadër të liderëve politikë në vendin tim por kjo është ajo nga duhet të fillojmë të ndryshojmë.
Vetë nuk mbani orë të shtrenjtë?
Unë e mbaj një orë, e mbaj tamam, nuk është e shtrenjtë. Adora është, mund të jetë 200 euro
Jeni ju i pasur?
Shumë i pasur. Jam më i pasuri në botë përderisa i kam 4 fëmijë si drita, të shëndoshë. Jam më i pasuri në botë përderisa kam familjen time me të cilën jetoj qetë dhe nuk dëshiroj ta ndërroj me asnjë pasuri tjetër. Gjersa bukë për të ngrënë, nuk kemi uri.
PDK në zgjedhjet e fundit pati një rezultat të mirë, u rendit e para nga partitë pavarësisht se pati vështirësi për krijimin e qeverisë për shkak të krijimit të koalicionit VLAN. Mund të më thoni pasojat që u krijuan nga kjo situatë që ndodhi?
Pasoja të rënda, por fatmirësisht jo tragjike do të thoja për arsye se kam përshtypjen që ne kosovarët jemi duke zhvilluar një tranzicion të ri dhe shpesh herë ky tranzicion i ri na vë para situata në të cilat zbulojmë vetveten. Por ky zbulimi i fundit ka qenë joracional për arsye se në rend të parë PDK në qershorin e vitit 2014 ka fituar bindshëm zgjedhjet, zgjedhjet më të mira të konsideruara edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, zgjedhjet nacionale të cilat janë zhvilluar, në të cilat u krijuan ca lloje të quajtura blloqe politike përmes mentalitetit izolues. Mentaliteti izolues nuk është i mirë. Nuk krijon situatë qetësuese për arsye se çdo herë kur ke të bësh me partnerë politikë opozitarë në rastin siç unë i konsideroj tashmë kolegët e mi, unë nuk i konsideroj ata asnjëherë kundërshtarë. Ata përfaqësojnë një pjesë të popullit tim dhe ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin. Ajo krijoi në rend të parë një precedent i cili nuk ishte pozitiv, i cili vazhdoi me kriza të njëpasnjëshme të cilat në fund kulmuan në një situatë e cila ishte shumë e rëndë. Unë dëshiroj ta falenderoj më së shumti popullin tim i cil iështë i jashtëzakonshëm. Shpesh herë na tejkalon neve si politikanë me mençuri, i cili nuk ra në grackën e emocioneve të cilat u bartën shpesh në politikë për t’u futur në konflikt për të pasur përplasje fizike me njëri-tjetrin, edhe në të njëjtën kohë pastaj u arrit, por ta kenë parasysh, u arrit me një çmim të lartë. Ka dy vjet stagnime në proces të zhvillimit ekonoik, në të njëjtën kohë raporte të cilat u ndërtuan mes nesh pa pasur nevojë.
A ishte e mundur që të shmangej kjo përplasje me Vetëvendosjen të paktën dhe qëndrimin që kjo lëvizje pati ndaj asaj që ata e quajnë Zajednica? Mund të rishihej sepse Gjykata Kushtetuese duket se i dha të drejtë Vetëvendosjes?
Po mund të ishte shmangur me pak mirëkuptim mes nesh. Ne jemi historia e re si shtet i Kosovës. Unë nuk kam 17 vite si dhe shumica e kolegëve të cilët janë në politikë, pjesë e madhe e tyre s’i kanë hequr armët e lirisë nga dora edhe nuk ëhstë e mirë të rëndohen njerëz aq rëndë siç kanë bërë disa kolegë të mi opozitarë në akuza për tradhëti , në akuza më të rënda njerëzore. Ne po flasim për dy marrëveshje të cilat janë bërë shumë të mëdhaja në Kosovë. Po pse , nuk patëm mundësi të ulemi në Kuvend gjatë këtyre 6 muajve, por të kishim krizë nëpër rrugë? Të vinim qytetarët tanë përballë?
Ju e vendosët me forcën e maxhorancës….
Jo, jo nuk e vendosëm me forcën e maxhorancës. Kam qenë kryetar i Kuvendit, jam dëshmitar i drejtpërdrejtë i asaj situate, përkundër çdo rregullore, përkundër çdo praktike kam tentuar me çdo kusht t’i kthej kolegët e mi në Kuvend të bisedojmë aty. Ne po flasim për një situatë deri në momentin kur janë nënshkruar marrëveshjet. Çdo kritikë ia lëmë në të drejtë të Vetëvendosjes por në të njëjtën kohë, asnjëra nga ato marrëveshje nuk do të kalonte për t’u nënshkruar pa kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për arsye se marrëveshja e Demarkacionit duhej të ratifikohej me 2/3 në Kuvendin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë, marrëveshja e asosacionit po ashtu duhej të kalonte në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por do të kalonte edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kishte nevojë më tepër për gatishmëri për dialog për të cilin i thërras edhe sot kolegët tanë opozitarë dhe në të njëjtën kohë ne në këtë vend të gjithë kemi dhënë sakrifica dhe kemi ndërtuar. Si mundet një moment të caktuar dikush merr primatin dhe të tregojë se sot më ka lindur dëshira dhe unë jam patriot? Po ne të gjithë jemi tradhëtarë? Çfarë jemi ne?
Nuk patët vullnet dhe nuk arritët ta mundësoni si maxhorancë një dialog që të mos shkohej deri tek ju t’ju shikonim me kundragaz në parlament…
Është çështje interpretimi. Asnjëra nga këto dy marrëveshje të cilat janë bërë problematike nuk kanë mundur të dalin më përpara në rrugë pa kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe po këto dy marrëveshje në asnjë moment nga Lëvizja Vetëvendosje nuk u lejuan të debatohen në Kuvend.
Po ju i keni 2/3 e votave në parlament…
Po ne nuk kishim ardhur ende tek vendimmarrja. Kini parasysh, ka libër të shkruar nga kolegët e mi të pozitës kundër demarkacionit. Ka libër të shkruar. Mund të votonin kundër por ata nuk lejonin fare, ata e morën fakt të kryer. Tradhëtuan, e shitën ca individë Kosovën dhe patriotët lindën nga qielli dhe do çlironin Kosovën. Ne po flasim për një realitet institucional në të cilin jemi, kemi nevojë për dialog mes vedi dhe mos të vijmë tek këto keqkuptime. Ne po flasim për atë që është kushtetuta jonë, është kuvendi, kompetencat tona. Ato do të duhej të vinin, dy marrëveshjet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pse nuk u lejuan të debatoheshin çështjet e tilla në Kuvendin e Republikës së Kosovës? Pavarësisht, po e lë mënjanë të pranueshme kritikën e kolegëve të mi opozitarë se do të duhej të konsultoheshin edhe ata para procesit të nënshkrimit, por ato nuk kishin validitet pa kaluar në parlament. Unë vetë vij nga pjesa më e ndjerë ku atakohet kjo marrëveshje, unë kam lindur në atë qytet, nuk do të thotë se kam lindur në pronën time. Është e njëjtë si e atij që ka lindur në Gjilan, si atij në Podujevë dhe si atij në Deçan por të paktën duhet të lihet hapësirë për të gjithë që ta duam atdheun dhe të shprehemi për të, por jo menjëherë akuza edhe përmes akuzave, ardhje në pushtet. Po nuk shkohet ashtu në pushtet, pushteti arrihet përmes legjitimitetit të votave
Opozitën duket se arritët ta përçanit të paktën?
Jo jo, kini parasysh. Nuk ka arritur askush ta përçajë. Ka arritur një moment, pa ndodhur kjo situatë e cila ka qenë e panevojshme për shtetin tim të ri, me shumë probleme në procesin e njohjeve ndërkombëtare, të tranzicionit, integrimit në BE, integrimit në NATO, nuk i është dashur kjo. Kemi ardhur në një proces që prapë duhet të ulemi, kjo është politika.
Do uleni për këto dy marrëveshje? Si për demarkacionin me Malin e Zi sepse qeveria e Malit të Zi është dakord të ulet të diskutojë ndërsa nga qeveria e Kosovës nuk kam dëgjuar që janë të gatshëm për dialog?
Ne do të ulemi se s’bën në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta marrë vendimin. Nuk ka qenë e dashur që 6 muaj të kemi këtë stanjacion. Këtë turp të cilin ia bëmë vetes, dilnim në të gjiha televizionet e botës me gazin lotsjellës. ASkund nuk kishte ndodhur deri atëherë deri sa di unë. Çka na u desh ajo? Sido që të jetë, nuk jam këtu për të akuzuar por për t’i thirrur arsyes. Ne duhet të bisedojmë, të gjithë kemi një të kaluar, të gjithë e duam vendin tonë për besë, e duam shumë. E kemi provuar dje, por edhe sot, nuk e di kush do të jetë sakrificë, ata që i kanë fjalët më të bukura apo disa që nuk flasin, as nuk janë ndoshta në Kuvend.
Ndoshta ata që nuk firmosin marrëveshje që shkojnë kundër Kosovës…
Ata që nuk firmosin marrëveshje dhe që janë kundër Kosovës, ata nuk munden as të firmosin se ky popull është shumë i mençur se kujt ia jep besimin por ajo çfarë duhet më shumë, edhe për kolegët e mi opozitarë, është ta lëmë patriotizmin mënjanë për arsye se ne shumë harxhojmë kohë për këtë çështjen e identitetit, krenar jemi se jemi shqiptarë, besoj e duam flamurin kombëtar, Albin Kurti, Visar Ymeri kurrkund s’më ka treguar se e do më shumë se kanë mundur të jenë me mua çdokund, nuk janë të rinj. Po flasim për racionalitet. Me çfarë do të ma tregojë, kundër meje do të tregojë sa shqiptar është? Mua do të më bëjë me Serbinë ose Hashim Thaçin? Po ku e mori atë moral? Ku e mori atë të drejtë? Se ka lexuar 3 libra të Marxit dhe të Engelsit edhe të filozofëve të importuar të cilët na vijnë këtu për të na bërë katrahurë revolucionesh? As nuk do ta lejojmë dhe do të jemi pa kompromis për këtë çështje, ta ruajmë këtë se kemi dhënë shumë gjak për ta fituar. Disa prej tyre nuk kanë denjuar as të jenë pjesë e saj.
Po ju çfarë librash ju kanë ndikuar në botëkuptimin politik?
Tek mua kanë ndikuar çdo ditë libra të cilët kanë të bëjnë me integrimin properëndimor dhe unë nuk shoh rrugë tjetër, mund të ketë rrugë tjetër por unë nuk shoh. Me aq sa kam lexuar dhe ka parë dhe me aq sa kam jetuar, nga andej ka ardhur dielli dhe po mos të ishte ajo ndihmë, edhe populli im sot nuk do të ishte i çliruar. Ne kemi shumë kritika për partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, kemi nga pak servilitet por jo të shkojmë në ekstrem të akuzave. Atë nuk do ta lejoj.
Cila është oferta politike që i keni bërë opozitës?
Është ofertë serioze. Ndarja e përgjegjësive dhe e pushteteve. Në rolet tona të ndara si pozitë dhe opozitë. Ne jemi demokraci e re, sido që të jetë kemi nevojë për më shumë ndarje të përgjegjësive, kemi problematikën aktuale e cila është shumë prezente në Kosovë e cila është çështja e korrupsionit, luftimi i korrupsionit dhe në të njëjtën kohë edhe preventiva ndaj saj, pse mos të ketë rol më të veçantë opozita në atë drejtim? T’u japim mundësi përmes ndarjeve të roleve tona pushtet-opozitë.
Në çfarë faze është kjo ofertë, ia keni prezantuar? Kanë nisur bisedimet? Po kërkoni takim me ta? Në çfarë faze jeni?
Jemi në fazën e propozimit por aktualisht opozita jonë e nderuar, veçanërisht Vetëvendosja nuk pranon asnjë dialog. As nuk dëshiron të bisedojë me ne, e ka zgjedhur atë rrugë por kjo nuk do të thotë se do të ndalemi. Unë e konsideroj se është ofertë e mirë, është odertë serioze.
Ju po i thërrisni ata të vijnë në dialog ku ata të jenë opozitë dhe ju të jeni maxhorancë?
Jo, unë po i thërrash të vinë në dialog për arsye se e kemi një vend dhe e kemi një popull që ne të dy palët themi se e duam shumë dhe unë kam besim se dy palët e duam shumë këta qyetatrë të vendit tonë dhe t’i ndajmë përgjegjësitë. Çdo anë në demokraci do të ketë pozitë dhe opozitë. Sot ne jemi pozitë, ky ka qenë vullneti i popullit, por nesër s’do të thotë, le të fitojë opsioni i tyre edhe ne do të bëhemi opozitë, por ajo çfarë kërkojmë nga ata është ndarja e roleve dhe përgjegjësive.
Po i kërkoni opozitës që të sillet si opozitë?
Unë po i ofroj diçka që ndoshta deri tani as nuk ka qenë në vendin tonë. Ata mund të marrin disa pjesë të përgjegjësive brenda institucioneve të cilat i kemi. T’i themi konkretisht, Agjensioni Anti-Korrupsion, pse mos ta ketë një propozim i kolegëve tanë të opozitës… Avokatin e Popullit, janë institucione të cilat bëjnë kontrollin e pushtetit; Auditorin e Përgjithshëm, pse mos ta ketë opozita, propozimi i opozitës, ta zgjedhim ne, ta zgjedhim bashkarisht me konsensus. Flasim pastaj për pjesën e reformës zgjedhore që 6 vite në bisedojmë dhe ende nuk e kemi përfunduar reformën zgjedhore
Oferta juaj vlen për opozitën përfshirë edhe Vetëvendosjen, jo vetëm NISMA dhe AAK?
Për të gjithë. Vetëvendosja është opozita më e numërt në kuadër të opozitës. Ata janë përfaqësues e një pjese të madhe të qytetarëve tanë dhe meritojnë vëmendjen dhe respektin për atë pozicion të cilin e kanë.
Pse nuk po emërohet Ministri i Jashtëm ende?
Shumë shpejt do të kemi Ministrin e Jashtëm dhe Zëvendëskryeministrin. Do të kemi së pari legjitimitetin në Konventën e partisë, kryetarit të ri, pastaj edhe vazhdimësinë e qeverisjes përmes së cilës mendojmë të realizojmë projektet e premtuara.
Ka kandidatë që përfliten për ZV/kryeministër dhe Ministër të Jashtëm?
Ka kandidatura dhe do të ketë vendimmarrje të organeve të partisë. S’do të thotë se nesër unë do të jem kryetar i partisë dhe unë do t’i vendos.
Mund të jetë nga partitë që janë në opozitë Ministri i Jahstëm dhe ZV/Kryeministri? Nga cila parti do të dalë?
Do të jetë nga Partia Demokratike e Kosovës për arsye se është një përgjegjësi që i takon PDK. Nëse mund të kemi një riformatizim të rëndësishëm të qeverisë, atëherë do të mund të mendojmë për çështje të tjera.
Ka shanse të ndodhë kjo?
Po kjo varet edhe nga partneri i koalicionit. Ne jemi në patneritet me LDK dhe me disa nga parti të tjera të komuniteteve, varet nga vendimmarrja, edhe pse jemi partia e parë, jemi shumë demokratë.
Dy vjet pas marrëveshjes me LDK dhe qeverisjen e përbashkët, jeni penduar për këtë koalicion?
Jo, asesi.
A ka qenë vendimi i duhur që morët në atë kohë?
Unë besoj se po. Besoj shumë për shkak se vetë stabiliteti i cili kemi krijuar dhe evitimi i më së keqes në Kosovë ka treguar se sa i nevojshëm ka qenë ky koalicion i cili është stabil, po flas në aspektin e përfaqësimit
Si e pritët anëtarësimin në UEFA?
Është i jashtëzakonshëm
S’ka lidhje qeveria…
Jo jo, këtu jemi bashkë, edhe për BE si pozitë si opozitë. Është moment emocional, është sporti ai që e fuqizon shumë identitetin e një populli dhe ne kemi sportistë të jashtëzakonshëm të cilët po na konsumohen në vende të tjera, duhet të vijnë dhe të përfaqësojnë Kosovën. Kosova ka nevojë për ta. Misioni i tyre është më i madh se sa golat që do të shënojnë. Është një mision shpirtëror për të cilin do të jenë gjithë jetën krenarë porsi heronjtë që sot nuk i kemi në mesin tonë që kanë rënë në luftën për liri.
Në një ndeshje hipotetike Shqipëri-Kosovë, për kë do bëni tifo?
Për Kosovën, padyshim. Na hidhërohen pak vëllezërit tonë nga Shqipëria por kemi nevojë, Kosova ka nevojë, madje do t’i marr dhe disa nga Shqipëria nëse pranojnë.
Nga një njeri i luftës me kontribut në çlirimin e Kosovës, kontribut edhe në formimin e shtetit të Kosovës dhe deri më tani, mendohet se mund të flasë për bashkimi kombëtar me pasion dhe me idealizëm. Ju në fakt, si flisni për bashkimin kombëtar? E shihni si të mundshëm? A mund të ndodhë?
Unë flas me shumë pasion edhe me qejf, edhe me shpirt për të qenurit shqiptar, dhe jam krenar për këtë çështje. Nuk do të ndalem së edukuari fëmijët e mi për të forcuar këtë identitet edhe këtë krenari për të mos harruar gjuhën, për të mos harruar flamurin e vet, për ta forcuar flamurin e Kosovës por asesi për ta dëmtuar krijesën e re të cilën po e ndërtojmë, shtetin e Kosovës, kemi dhënë shumë sakrifica. Ne nuk duhet të rrimë duke mallkuar çdo ditë të tjerët që na kanë ndarë. Është diçka që na ka ndodhur, momentet më të rënda për ne, shqiptarët e Kosovës, por duhet të ndalemi së mallkuari dhe së jetuari me të kaluarën dhe duhet të mendojmë fuqishëm për të tashmen, për integrime për të cilat po ecin bashkarisht Shqipëria dhe Kosova, integrime në BE ku kfijtë do të jenë pothuajse inekzistentë, ku ekonomia do të jetë shumë e fuqishme, ku njerëzit edukimin do ta bënin si në Universitetin e Elbasanit, si në Universitetin e Mitrovicës, Isa Boletini apo të Vlorës, ku njerëzit nuk do ta ndjenin këtë dallim.
Për çfarë bashkëpunimi po flisni me Shqipërinë? Se me shkëmbimet ekonomike jemi as të dytët, as të tretët, jemi shumë larg me njëri-tjetrin, në kuptimin e shkëmbimit tregtar, të mallrave. Ju i merrni nga Serbia, ne i marrim nga Greqia, nga Italia dhe varet nga partnerët tregtarë që kemi. Çfarë është bërë këto vitet e fundit të paktën për ta ndryshuar këtë situatë? A ka realisht vullnet apo flasim vetëm për këtë Shqipërinë që kemi në mendje dhe kur vjen puna për ma materializuar, për ta konkretizuar, nuk bëhet asgjë?
Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë, të flasim më pak për çështje të simbolikave dhe të ndalemi më shumë te çështjet pse nuk funksionon shkembimi i mallrave. Kjo është mungesa në të dy anët, burokracia në të dy anët, konflikti i interesave në të dy anët. Pse kemi probleme me produktet të cilat janë ushqimore? Vera fillon më herët në Republikën e Shqipërisë, pse nuk vijnë ato produkte në Kosovë në kohën e hershme dhe në kohën e vonshme të kalojnë nga Kosova në Shqipëri? Pse nuk kemi këmbim në shumë fusha? Ne po flasim për diçka të cilën unë e kam ngritur në takimet tona të panumërta me komisionet parlamentare.
Si mund të përmirësohet situata?
Mund të përmirësohet me seriozitet. Kur vijnë komisionet tona parlamentare, komisionet e zhvillimit ekonomik dhe bëjnë ato fotot e bukura, pse mos të merren pak më konkretisht, çfarë po ndodh me patatet dhe rrushin? Apo me perimet e Shqipërisë në Kosovë? Takohemi shpesh mes vedi dhe kur vjen puna e këtyre produkteve, kemi kamionë që zbrazin mallrat e tyre në rrugë në shenjë proteste? Pse ndodhin këto? Është faktori njeri. Këto gjëra duhet t’i përmirësojmë në mënyrë që mos të jemi popull konsumues. Në dy anët e kufirit kam përshtypjen se mungon racionaliteti në këtë bashkëpunim, është e vërtetë që ka retorikë shumë. Kemi çështjen edhe të arsimit. Unë jam ballafaquar, nuk ka 2-3 muaj, me një grup protestuesish të cilët u drejtuan edhe nga Kuvendi, i takova, për mosnjohjen e këtyre diplomave mes dy vendeve. Derisa komisionet tona parlamentare të arsimit takoheshin disa herë, çfarë është problemi? Derisa Republika e Shqipërisë e njeh diplomën e tillë, atë duhet ta njohë edhe Republika e Kosovës dhe anasjelltas, këto marrëdhënie ndërshtetërore të cilat i kemi mes vedi.
Ju e ofruat mundësinë për një dialog me Vetëvendosjen, me AAK, me NISMËN, me opozitën, por Vetëvendosja është e prerë në qëndrimin e saj që nuk kërkon dialog por kërkon zgjedhje të parakohëshme. Kur do të jenë zgjedhjet e përgjitshme në Kosovë?
Zgjedhjet do të jenë në 2018 zgjedhjet nacionale dhe në 2017 zgjedhjet lokale me këtë trend të zhvillimeve në të cilin po shkojmë por aktorët politikë, partitë politike me marëveshje mund ta bëjnë kur të duan.
Keni folur dhe për vizionin e Partisë dhe për një zhvendosje të boshtit ideologjik, të paktën në Shqipëri PDK njihet si një aleate e Partisë Socialiste. Zoti Rama është zv/president i PSE, ndërsa tashmë PDK duket se do të marrë qartë një profil të qendrës së djathtë dhe do të synojë për t’u anëtarësuar në PPE. Pse kjo zgjedhje?
Kjo zgjedhje ka ndodhur në Konventën e gjashtë, në fakt atëherë kur jam futur në PDK.
E futët ju këtë zhvendosje të boshtit ideologjik?
Fatmirësisht ka qenë edhe zoti Thaçi i cili është pajtuar me këtë vizion se po të mos ishte pajtuar, nuk do të kishte ndodhur por unë fuqishëm e përkrah këtë vizion, besoj se është tradicional për ne kosovarët. Ne shpirtërisht kemi të djathtë, kemi qenë antikomunistë në të gjitha periudhat. E kemi dashur Shqipërinë, shpesh herë njerëzit kanë menduar se duke e dashur Shqipërinë e kohës komuniste dhe Enverin, ne jemi dhe majtistë. Jo në fakt, ne jemi djathtistë, pastaj edhe vizioni jonë, oferta e cila krijon qendra e djathtë është më me perspektivë në këtë vend, e cila krijon një liri të individit. Individi tek ne ka qenë shumë i fuqishëm.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje