LAJMI I FUNDIT:

Juniku po shqyrton ofertat

Juniku po shqyrton ofertat

Fisnik Juniku pati një edicion mjaft të mirë me Kastriotin e Ferizajt, madje ishte ndër më të merituarit që skuadra ferizajase e siguroi mbijetesën në ETC Superligën e Kosovës në basketboll. Me të përfunduar të kampionatit, ashtu sikur shumica e lojtarëve kosovar, mbeti basketbollist me status të lirë.

“Unë jam i kënaqur me atë që kam treguar në edicionin e fundit, megjithëse në një periudhë pata edhe probleme me lëndime. E kam dhënë maksimumin në çdo ndeshje që jam paraqitur dhe jam i kënaqur që Kastrioti e siguroi ekzistencën”, ka thënë Juniku për Arenën.

Mirëpo, duket se gjasat që ai sërish të jetë pjesë e skuadrës ferizajase janë më se të vogla. “Është ende herët të flitet, por nuk besoj se do të luaj në Ferizaj. Ndonëse ende nuk ka asgjë konkrete, para vetes i kam disa mundësi mjaft serioze, prandaj nuk do të ngutem për të marrë vendimin”, ka shtuar plejmejkeri prishtinas, i cili në kampionatin e përfunduar ditë më parë pati mesatare prej 11.3 pikësh dhe 8.4 asistimeve. /Arena/Telegrafi/