LAJMI I FUNDIT:

Jashari: Pozita e katërt, sukses i mrekullueshëm

Jashari: Pozita e katërt, sukses i mrekullueshëm

KF Drenica padyshim se është befasia më e mirë e pjesës së parë të garave në elitën e futbollit tonë.

Kuqezinjtë nga Skenderaj, pas një starti të dobët, ia dolën që stinorin vjeshtor ta mbyllin në pozitën e katërt me 27 pikë të tubuara.

Njeriu kryesor në suksesin e drenicasve është trajneri Afrim Jashari. Tekniku drenicas të dielën i ka thënë KosovaPressit, së është i lumtur me paraqitjet dhe rezultatet e skuadrës së tij në stinorin vjeshtor.

Ai pozitën e katërt të Drenicës, e quan sukses të mrekullueshëm, pasi që sipas tij, në kohën kur ai ka marr “timonin” e skuadrës, kuqezinjtë ishin në një pozite të palakmueshme në renditjen tabelore. Jashari thotë se nuk ka menduar se skuadra e tij do të dimërojë në vendin e katërtë.


“Realisht nuk e kam mëndur se pjesën e parë të garave do ta mbyllim në pozitën e katërt. Ky është sukses i mrekullueshëm”, ka thënë Jashari.

“Duke u bazuar gjendjen në të cilën e kam marrë skuadrën, mendoj se ky është një sukses shumë i madh dhe sigurisht se jam shumë i lumtur më atë që kemi arritur”, tha ai.

E ardhmja e Jasharit

Drenica sfidën e fundit në stinorin vjeshtor do ta luajë kundër Istogut në kuadër të Kupës së Kosovës.

Jashari me skuadrën nga “Bajram Aliu” ka kontratë deri pas ndeshje me Istogun. Ai thotë se pas ndeshje me Istogun do të vendoset për të ardhmen e tij.

“E ardhmja ime do të vendoset pas ndeshjes kundër Istogut. Do të ulem të bisedojmë më drejtuesit e klubit, ku edhe do të vendoset e ardhmja ime. Sigurisht se dëshira ime është të vazhdojë ta drejtoj skuadrën, por gjithçka do të vendoset pas ndeshjes me Istogun”, ka theksuar Jashari.

Ai shpreson se me drejtuesit e klubit do të arrihet marrëveshja për të vazhduar drejtimin e skuadrës edhe në pjesën e dytë të garave. /KP/Telegrafi/