LAJMI I FUNDIT:

Irredentizmi shqiptar dhe kombi kosovar

– Shumëkush nuk e do shtetin e Kosovës, e vjedhin e sabotojnë e çka mos, por ekzistenca e këtij shteti nuk varet vetëm nga ata që kanë pushtet, por në rend të parë nga ne që e duam dhe e respektojmë këtë shtet.

Argumentimi më i shpeshtë i atyre që mohojnë ekzistencën e kombit kosovar është se lëvizja politike për shtetin e Kosovës u bë nën flamurin shqiptar dhe me emrin e shqiptarizmit. Ky është fakt, por nuk është argument për të mohuar ekzistencën e kombit kosovar.


Malazeztë – serbët

Lëvizja kombëtare malazeze në shekullin e 19-të vetëquhej lëvizje kombëtare serbe. Ai që sot konsiderohet baba i kombit malazez Petar II Petroviq – Njegosh (1813-1851) veten e konsideronte serb. Në veprat e tij ai shkruan për heroizmat serbe, për viset serbe për mitet serbe etj.

Edhe pasardhësi i tij Princi Danillo I Petroviq (1826-1860) që krijoi principatën e Malit të Zi më 1852 vetën e konsideronte serb. Madje edhe pasardhësi i këtij të fundit Nikolla Petroviq (1841 –1921) që e udhëhoqi Malin e Zi në periudhën (1860-1918) si princ e më vonë si mbret i Malit të Zi e konsideronte vetën serb. Marshi i Knjaz Nikollës për pushtimin e Tivarit ku sipas Pashko Vasës (1825-1892) dielli lëshonte vapë dhe rreze shqiptare përbëhej nga vargjet: Shkojmë në Tivar, në Tivarin Serb, në detin serb në Adriatikun serb.

Por sot malazezët e quajnë vetën komb dhe janë të njohur si komb nga gjithë kombet e botës dhe është anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Natyrisht, serbet e malazezët e sotëm i bashkon gjuha, gjaku, kisha ortodokse si dhe shqiponja e bardhë në flamujt e tyre kombëtar që kanë sfond të ndryshëm.

Maqedonasit – bullgarët

Lëvizjet politike në Maqedoni deri pas Luftës së Dytë Botërore ishin lëvizje kombëtare bullgare. Ai që sot konsiderohet krye-hero i kombit maqedon, frymëzuesi i kryengritjes së Ilindenit (02.08.1903), Goce Delçev (1872–1903) vetën e tij e konsideronte bullgar. Organizata e tij VMRO ishte organizate politike që synonte bashkimin e Maqedonisë ( Republikës së sotme të Maqedonisë dhe Greqisë së sotme veriore) me Bullgarinë.

Por sot, VMRO është partia e kryeministrit aktual maqedonas Nikolla Grujevski që duke ngulur këmbë tek emri Maqedoni dhe nacionalizmi maqedonas po len akoma shtetin e tij jashtë BE-së dhe NATO-s.

Goce Delcev konsiderohet hero edhe në Bullgari edhe në Maqedoni edhe pse ai u lind dhe vdiq në Greqinë e sotme veriore e cila aso kohe banohej me shumicë bullgare e shqiptare.

Lëvizja kombëtare bullgare në mesin e baballarëve, gjyshërve e stërgjyshërve të maqedonasve të sotëm ishte aq e fortë sa territori i Maqedonisë së sotme (dhe Greqisë së sotme veriore) konsiderohej djepi i nacionalizmit bullgar. Dy kryeministrat me të shquar të Bullgarisë Stevan Stambullov (1854 – 1895) dhe Aleksandër Stambolinski (1879 – 1923) u vranë nga nacionalistët bullgarë nga territori i Maqedonisë së sotme duke i akuzuar ata për tradhti ndaj çështjes bullgare (Maqedonisë).

Selia e kishës bullgare ishte qyteti i sotëm i Maqedonisë Ohri. Maqedonia e sotme u pushtua nga Serbia atëherë kur kjo gjë i ndodhi edhe Kosovës: gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Gjatë dy luftërave botërore territori i Maqedonisë së sotme u nda mes Bullgarisë e Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe vetë Lëvizja Komuniste në Maqedoni ishte pjesë e lëvizjes komuniste bullgare saqë serbët me mezi rekrutuan në Partine Komuniste të Jugosllavisë Llazar e Kolishevskin, Kiro Gligorovin e 2-3 të tjerë.
Sot maqedonasit flasin të njëjtën gjuhë me bullgarët por kanë ca ndryshime minore në alfabetin e tyre. Flamurin kombëtar nuk e kanë aspak të ngjashëm për dallim nga rumunët e moldavët që flamurin kombëtar e kanë pothuaj identik.

Moldavët – rumunët

Për dallim nga Transilvania që iu mor Austro-Hungarisë e iu aneksua Rumanisë tek pas Luftës së Parë Botërore (01.12.1918), Moldavia ishte pjesë e Rumanisë moderne që kur principata e Vllahisë dhe Moldavisë vendosën të bashkohen më 1859 në krye me princin moldav Aleksander Ion Kuza (1820-1873).

Natyrisht, kur Fuqitë e Mëdha më 1866 dërguan princin Karol (1839-1914) për të drejtuar Rumaninë, princ ky që më 1881 do të shpallej mbret i Rumanisë, Moldavia ishte pjesë integrale e Rumanisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik e mori pjesën më të madhe të Moldavisë dhe e shpalli si një nga republikat e saj. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Republika e Moldavisë shpalli pavarësinë e saj dhe forcat që janë për bashkim me Rumaninë janë në minorancë. Rumunët e moldavët ndajnë të njëjtën gjuhë, të njëjtin alfabet, të njëjtin gjak, të njëjtën fe dhe pothuaj të njëjtin flamur, por janë dy kombe të veçanta.

Është interesant të theksohet se përkundër faktit që Moldavia krahas Kosovës është vendi më i varfër në Evropë ndërsa Rumania është anëtare e Bashkimit Evropian në Moldavi nuk ka ndonjë entuziazëm për tu bashkuar me Rumaninë, edhe pse nuk kanë asnjë pengesë të jashtme.

Kosovarët – shqiptarët

Në Jugosllavinë e Titos, shqiptarët e Kosovës trajtoheshin si “kombësi shqiptare”, kurse shoku Enver Hoxha në fjalimet e veta i quante “Minoriteti shqiptar në Jugosllavi”. Gjithë thelbi i luftës për çlirim nga Serbia (Jugosllavia) qëndronte në faktin që ne të mos ishim më tutje minoritet apo kombësi po të bëhemi komb, të kemi shtetin tonë Kosovën, të jemi komb, komb kosovar, komb shqiptar i Kosovës, komb dardan apo çfarëdo qoftë, emri nuk ka rëndësi, rëndësi ka të jemi komb, të kemi shtetin tonë.

Shumëkush nuk e do shtetin e Kosovës, e vjedhin e sabotojnë e çka mos, por ekzistenca e këtij shteti nuk varet vetëm nga ata që kanë pushtet, por në rend të parë nga ne që e duam e respektojmë këtë shtet. Prandaj grindemi me njerëz të pushtetshëm të këtij vendi, sepse nga dashuria që kemi për këtë vend e këtë shtet nuk duam të lejojmë të abuzohet me të.

Tani dalin ata që thonë se nuk mund të jemi komb në vete pasi historikisht lëvizjet patriotike në Kosovë qenkan bërë nën moton e irredentizmit shqiptar, flamurit shqiptar etj. Po pse duhet të jetë ky një kundër-argument? A mos jemi gjë të veçantë në botë? Vetëm në Ballkanin tonë numëruam tri raste.