LAJMI I FUNDIT:

Irani dhe fuqitë botërore diskutojnë marrëveshjen bërthamore

Irani dhe fuqitë botërore diskutojnë marrëveshjen bërthamore

Diplomatë të lartë nga Irani dhe pesë fuqi botërore po takohen në Vjenë, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga kjo marrëveshje.

Ministrat e Jashtëm të Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë takojnë homologun e tyre iranian, Mohammad Javad Zarif, për herë të parë prejse presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar në muajin maj për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore dhe për rivendosjen e sanksioneve kundër Iranit.

“Jemi këtu për të dëgjuar zgjidhje praktike, në vend të sloganeve”, tha Zarif.


Me marrëveshjen bërthamore, Irani e ka frenuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Nëshkruesit e tjerë të marrëveshjes kanë thënë se do të vazhdojnë zbatimin e saj, për aq kohë sa edhe Irani e bën një gjë të tillë.

Por, presidenti Trump u ka kërkuar edhe vendeve të tjera t’i ndalojnë importet, sidomos ato të naftës, nga Irani, kur sanksionet e SHBA-së kundër Republikës Islamike të hyjnë në fuqi më 4 nëntor – në të kundërtën, ato do të përballen me mundësinë e dënimeve financiare.