LAJMI I FUNDIT:

iPhone dhe… ne, të dorëzuarit

Si po ndikon teknologjia që ne të ndjehemi, bëhemi të varur, të mangët, manikë, histerikë, madje edhe të heqim dorë ngadalë nga përdorimi i trurit, ose më saktë, pjesës së tij që shërben për – kujtesën?! Dhe, kjo nuk është e tëra!

DERI MË TASH njerëzit kanë folur me telefon me njerëz të tjerë. Tash e tutje njerëzit do të flasin me telefon – me telefonin! Me aparatin elektronik, pra. Pa pasur nevojë që në anën tjetër të jetë një qenie frymuese prej mishi e gjaku. Dhe ky telefon yni do të mund të na përgjigjet në pyetjet, siç është për shembull: “A më duhet ombrella sot?”. Ose: “A mund ta caktoj një takim për të enjten e ardhshme, në orën 3:30 pasdite?”. Ose, ose: “A ma ka kthyer e-mailin Angelina Jolie?” (Edhe pse në këtë të fundit gjithsesi duhet qenë të përgatitur të merrni përgjigje dëshpëruese, përveç nëse jeni Brad Pitt ☺ ).
Revolucionare?
Duket se ia kanë dalë edhe një herë. Apple – kompania me rritjen më të shpejtë të brendit në vitet e fundit – ka shkuar një hap përpara të tjerëve edhe me prezantimin e shumëpritur të së martës në Cupertino të SHBA-së. Është fjala për aplikacionin Siri, që prezantohet në modelin e fundit të telefonit më të popullarizuar në botë iPhone, tash në gjeneratën e pestë të quajtur 4S. Ky aplikacion, natyrisht në qoftë se flisni anglisht, do të mund të zëvendësojë asistentin personal, pasi që nëpërmjet të urdhrave që i jepen me të folur do të ketë mundësi të kryejë punë për ju, në kombinim me informatat e tjera që tashmë i keni në telefon.
E duke e ditur se Apple, deri më tash ia ka dalë me sukses ta ndryshojë konceptin e sjelljes sonë ndaj teknologjisë me prodhimet revolucionare si iPod, iPhone e iPad, paralajmëron se nuk e ka ndërmend të ndalet as në versionet e reja të produkteve ekzistuese.


JA QË ME ZHVILLIMIN e teknologjisë njeriu mesatar në këto vitet e fundit ka filluar të ndryshojë edhe mënyrën e tij të jetesës. Jeta e tij është bërë gjithsesi më e lehtë, por edhe ka ndikuar që në mënyrë të vullnetshme të fillojë të heqë dorë nga përdorimi i madh i disa pjesëve të trurit që i ka përdorur tradicionalisht. Sado e çuditshme që të tingëllojë kjo në dukje të parë. Një shembull është: kujtesa. Do të nisem nga raste personale, që i kam hasur edhe në shumë njerëz të tjerë.
Ndonëse kam një veturë të njëjtë tash e gjashtë vjet, unë as sot e kësaj dite nuk e di saktë se cili është numri i targave. Njësoj siç nuk di përmendësh as më shumë numra telefoni se që kam gishta. Ose që kam takime të caktuara, e që e di gjithmonë se në cilin vend dhe në cilën orë do të jenë. Vullnetarisht, me ose pa vetëdije, ia kam lënë që këto t’i mbajnë mend kompjuterët që unë i përdor, ose kohëve të fundit – telefoni “i mençur” iPhone. Kjo situatë më shtyn të cys mendjen se në qoftë se kaq shumë kanë ndryshuar shprehitë e mia dhe të shumë të njohurve brenda vetëm disa vjetëve si ndikim i zhvillimit teknologjik, si do të ndikojë kjo ta zëmë pas 30-40 vjetësh? Apo edhe pas 200 vjetësh? As që guxoj ta paramendoj. Gjithsesi do të jetë një lëndë e re studimi për antropologjinë.
Por, është edhe çështja tjetër: varësia. A mund ta paramendojmë ne jetën tonë bashkëkohore pa një telefon “të mençur” sot, njëherë që jemi mësuar me të? Të jem krejtësisht i sinqertë: unë jo. Pra, jam një “i varur”, me plot kuptimin e fjalës, ndonëse as nuk dehem kronikisht, as nuk pi duhan e as nuk drogohem. Hm!

MIRËPO, MË DUKET se ka edhe diçka tjetër lidhur me zhvillimin e teknologjisë dhe mënyrën me të cilën kanë vendosur njerëzit marrëdhëniet me të. Dhe kjo shprehet mjaft bukur edhe në shoqëritë si kjo e jona, në Kosovë. E nëse do të vazhdoj në përshkrimin e saj me edhe një shembull personal, mund ta marr rastin e një shokut tim. Ndonëse nuk e njeh mirë gjuhën angleze, nuk ka futur kurrë një shënim në agjendë, nuk është lidhur kurrë në iTunes dhe nuk ka asnjë këngë të vetme, ai është një pronar krenar i një iPhone 4. Për më tepër – siç ngacmohet shpesh në shoqëri – ka gjasa të jetë iPhone më i shtrenjë në Kosovë, pasi që ka kushtuar rreth 850 euro, pa përfshirë këtu 60 eurot që janë paguar për zhbllokim. Qëllimi ka qenë që të jetë në rang me të tjerët në “klubin e pronarëve të iPhone-ve” dhe nuk i është dridhur dora ta paguajë në një shtet evropian me të gjitha shpenzimet e kontratave shtesë. Qëllimi e arsyeton gjithmonë mjetin. E në këtë rast, me iPhone fenomenin alla-kosovarçe kjo kthehet në një dilemë vërtetë hamletiane – të kesh apo të mos kesh… iPhone 4 mbi tavolinë. Pavarësisht se jetohet në vendin ku rroga mesatare është 170 euro.
iPhone është kthyer për disa edhe në status shoqëror.
Në mani.
Nganjëherë edhe në histeri… dhe po ndikon që të krijohet – histori.

TASH ME INOVACIONIN e siguruar me prezantimin e gjeneratës së re iPhone 4S, bashkë me varshmërinë e krijuar, statusin që e imponon dhe maninë e histerinë që e përcjell, Apple planifikon të shesë edhe 50 milionë aparate të tjera telefonike brenda vitit, të cilat do t’i shtohen numrit prej rreth 170 milionëve që ka shitur që nga viti 2007. Kështu që sërish do të shohim radhë të gjata të njerëzve që presin edhe më ditë para dyqaneve të Apple më 14 tetor, kur iPhone 4S do të fillojë të shitet fillimisht në SHBA, Australi, Kanada, Francë, Gjermani, Japoni dhe Mbretëri të Bashkuar. Dhe sërish do të transmetohen në ekranet tona pamje të të rinjve që qajnë nga gëzimi që ia kanë dalë të blejnë një aparat, që në fund të fundit është vetëm një telefon. Apo, është diçka më tepër se vetëm – një telefon?!

Thjeshtë, përgjigjja e saktë duket vërtet e pamundur sot.
iPhone dhe Apple janë një fenomen, pajtohet shumëkush.
Pyetja që mbetet është: në çka po na transformojnë?!

adriatik@kohavision.net