LAJMI I FUNDIT:

Institucionet e Kosovës të pafuqishme përballë Demarkacionit

Institucionet e Kosovës të pafuqishme përballë Demarkacionit

Kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Bashkimit Evropian që kushti i Demarkacionit të anashkalohet në këtë fazë, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u hiqen vizat, sipas analistëve politikë e ka vënë procesin në një paqartësi të plotë.

Studiuesit e çështjeve evropiane thonë se nga veprime dhe kërkesa të tilla, vihet re një konfuzion total se si duhet ecur tutje me çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht që i është vënë Kosovës nga Brukseli për heqjen e vizave.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, tha se tashmë është e qartë se Qeveria nuk ka një plan gjithëpërfshirës sesi të dilet nga kjo gjendje.


Duke folur për veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovë në Bruksel, Muharremi tha se përfaqësuesit politikë të vendit duhet të shpjegojnë planin gjithëpërfshirës, nëse e kanë, dhe të tregojnë pse po i ndërmarrin veprimet kokë më vete.

“Duket qartë që ata nuk kuptojnë si funksionon BE-ja dhe politikat e saj”, thotë Muharremi.

Ai thekson se diplomacia e Kosovës po shkon në zyrat e BE-së dhe po kërkon mëshirë, duarthatë, pa asnjë propozim konkret apo ndonjë zgjidhje serioze.

“Spektri politik është i ndarë dhe i thyer sa i përket Demarkacionit. Përderisa krerët e disa institucioneve deklarojnë në Bruksel e Uashington që versioni momental është në rregull, Kryeministri dërgon sinjale që ky version është i papranueshëm. Sigurisht BE-ja për momentin po thotë ‘bëjeni mendjen kosovarë se çfarë dëshironi”.

“Pra kjo çështje duhet të adresohet e zgjidhjet përbrenda apo në rajon. Nuk duket që Qeveria dhe diplomacia e Kosovës është e akorduar dhe flet njëzëri për këtë punë që ta bindë BE-në ta ndryshojë mendjen, përderisa Mali Zi mbetet një partner kredibil për BE-në dhe SHBA-në”, tha Muharremi.

Ndërkaq, Labinot Greiçevci studiuesi i çështjeve evropiane, thotë se nëse lexojmë me kujdes deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli vihet re një konfuzion total për çështjen e Demarkacionit. E tëra që ai kërkon, sipas Graiçevcit, është prolongimi i çështjes, apo njëfarë lloj moratoriumi.

“Por, institucionet e BE-së e kanë bërë të qartë tashmë me dhjetëra herë se pa u zgjidhur çështja e Demarkacionit nuk ka lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës brenda zonës Schengen”.

“Prandaj, është e pakuptimtë një kërkesë e tillë. Politikanët, respektivisht qeveritarët janë aty për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve, e çështja e Demarkacionit është vërtetë një problem i cili kërkon zgjidhje pa vonesa, sepse është kthyer në një pengesë për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës brenda zonës Schengen”, tha Greiçevci.

Se cila do të jetë zgjidhja e këtij problemi, nënvizon Greiçevci, kjo është detyrë e atyre që kanë përgjegjësi publike qeveritare që të gjejnë zgjidhje.

Sipas tij, dy elemente të tjera janë të qarta në këtë drejtim. E para pala tjetër, Mali i Zi e konsideron këtë çështje të zgjidhur dhe nuk lejon rinegocimin e marrëveshjes dhe as riratifikim të ri të kësaj marrëveshje brenda Parlamentit malazias.

E dyta, sipas Greiçevcit, është opsioni i rrëzimit të kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës. Por, një vendim i tillë, tërheq vërejtjen ai, do ta vinte Kosovën në një pozitë delikate në raport me aleatët e saj strategjikë (SHBA-në dhe BE-në), kur dihet pozicioni i tyre në raport me marrëveshjen aktuale. Po ashtu, thekson ai, do t’i rrezikonte raportet e mira fqinjësore të Kosovës me Malin e Zi.

Marrë parasysh qëndrimin e Podgoricës, ai thotë se opsioni i rinegocimit duket se nuk është alternativë.

“Prandaj, duket se zgjidhjen duhet kërkuar brenda vetvetes. Institucionet e Kosovës duhet që brenda një procesi të brendshëm konsultativ, duke përfshirë edhe punën apo procesin e ‘screening’ që do të bëjë Komisioni i ri qeveritar të gjejnë sa më parë zgjidhjen e këtij problemi”, theksoi ai.

Greiçevci pohon mes tjerash se nëse Qeveria e re e Kosovës nuk do të jetë në gjendje të gjejë zgjidhjen e këtij problemi e pret fati i Qeverisë së kaluar, por me dallimin e vetëm që jetëgjatësia e saj do të jetë edhe më e shkurtër, sesa e asaj të kaluarës.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.

Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn, i cili tash është kryeministër i Kosovës.

Komisioni Evropian i ka vënë kusht Kosovës për liberalizimin e vizave, pikërisht ratifikimin Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. /rel/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Kërkesat për vizitë, masat e rrepta të sigurisë dhe reagimet – gjithçka nga vizita e Thaçit në QKUK, pas gjendjes së rënduar shëndetësore të babait të tij

Kërkesat për vizitë, masat e rrepta të sigurisë dhe reagimet – gjithçka nga vizita e Thaçit në QKUK, pas gjendjes së rënduar shëndetësore të babait të tij

Lajme
Serbë nga Kosova shkojnë në Beograd “për të mbrojtur presidentin”

Serbë nga Kosova shkojnë në Beograd “për të mbrojtur presidentin”

Lajme
Qeveria e Kosovës mbajti mbledhje elektronike, këto janë vendimet

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhje elektronike, këto janë vendimet

Lajme
A është PDK e gatshme t'ia jep Abdixhikut postin e kryeministrit, përgjigjet Bedri Hamza

A është PDK e gatshme t'ia jep Abdixhikut postin e kryeministrit, përgjigjet Bedri Hamza

Politikë
Masakra e Kralanit, e vërteta e dhimbshme e Sheremet Ismajlit - shpëtoi të birin duke marrë vendin e tij në pushkatim

Masakra e Kralanit, e vërteta e dhimbshme e Sheremet Ismajlit - shpëtoi të birin duke marrë vendin e tij në pushkatim

Lajme
E përcolli deri tek shkallët, mjeku i QKUK-së plot emocion rrëfen takimin me Thaçin

E përcolli deri tek shkallët, mjeku i QKUK-së plot emocion rrëfen takimin me Thaçin

Lajme
Kalo në kategori