LAJMI I FUNDIT:

Ikja, shqip po tingëllon rëndë…

Ikja, shqip po tingëllon rëndë…
Ilustrim

Këtë letër e shkrova vet unë, biri im. E shkrova, shumë më vonë, pasi ike ti. Ti nuk e ke ditur kurrë se babi ka ditur të shkruaj me një alfabet krejt tjetër. Nuk po ta them se cili është ky alfabet, pasi ju po ikni shqip.

Ti u shkollove me kohë dhe duhet ta mësosh këtë histori. U gëzova tepër kur mbarove shkollimin. U gëzova kur u bëre mësues. Kur fillove punën, këtu në shkollën e fshatit, kam fluturuar nga gëzimi. Kërrabat, me të cilat bëja çdo hap, i harrova fare. Mendoja se, fati nuk më paska braktisur akoma.

Dikur, as nuk kisha ëndërruar se, biri im, një ditë, mund të bëhej mësues! Po mendoja se, tash mund ta shkruaj emrin tim edhe shqip! Gjatë shkollimit tënd, me mend isha me ty çdo herë, atje ulur në klasë, në bankat e shkollës. Nuk harrova pritjen që ë bënin arsimtarët tuaj, sa herë kamë ardhur si prind në shkollë. Nuk e harrova kurrë drekat që kam ngrënë së bashku me ty, atje në qytet.


Përditë përpiqem të konstruktoj çdo fjalë e fjali, që kemi këmbyer dikur. Pleqëria po e bën të vetën. Kujtimet më janë ndryshkur fare, dhe çdo ditë më ngatërrohen në kohë. Më shumë më kujtohesh kur ishe i vogël në djep. Nuk pate fat, të bësh hapat e parë në vendlindje. Me çfarë gëzimi i kam pritur ata hapa! Me kalimin e kohës, përherë kam imagjinuar rritën tënde atje larg. Kam fole me ty në heshtje. Të kam treguar vetmeveti shumë përralla të bukura për jetën.

Padashur, kam folur me ty edhe më zë. Vetmia e malli u bënë bashkë kundër meje. Harroj shumë herë që je larg. Shumë herë kam hapur duart për të përqafuar, po më kanë mbetur ngrirë. Kaloja kohën duke imagjinuar lojërat tuaja diku në botë, derisa më lodhte gjumi. Kam harruar përjetimin e përqafimeve të dikurshme. Sa më shumë që po kalojnë ditët, më bëhet sikur po ikni edhe më larg.

Nuk pandeha asnjëherë se do ikësh, pasi mbarove fakultetin. Nuk të thash asnjë fjalë se, çka ndjeva aso kohe.

Ti ike kur ishte paqe, jo gjatë luftës. Kjo po tingëllon më rëndë!

Qëkur ike, as gjumi më nuk me merr. Kotëm vetëm në çastet e humbura.

Pasi ikët ju, edhe mysafirët u rralluan. Kur vjen dikush gëzohemi me plaken, sikur të ishim fëmijë të vegjël. Kur nuk vjen askush, e kemi vështirë. Nuk po të gjykojë pse ike dhe tash punon diku larg, në ndonjë qytet, por e di mirë se, një ditë mund të ikin edhe fëmijët tuaj. Nuk dëshiroj ta provosh peshën e vetmisë.

Mund të ikja dikur edhe unë, por nuk ika. Nuk e përballoja dot ikjen. Vonë të pata treguar se si iku vëllai im, Hal-ylli, dhe nuk u kthye kurrë. Bile, as letër nuk dërgoi asnjëherë. Kur ti ishe i vogël, unë shkoja në Beograd, për ta vizituar Hal-yllin në burg. Ishe tepër I vogël për të kuptuar pse shitja drithin e bukës për të paguar biletën e trenit deri në Beograd. Ishe i vogël të të ngarkoja më këso rrëfimesh të rënda që nuk fshihen lehtë. Nuk të kam rrëfyer kurrë, që shumë herë kemi mbetur pa bukë, në pik të dimrit. Shumë herë kam huazuar drithë nga ndonjë mik, deri në të korrat e reja.

Nuk ke kuptuar deri vonë, pse babi yt, në dimër, preu të gjitha pemët rreth shtëpisë. Ato pemë i pata prerë për ngrohje, pasi nuk pata tjetër zgjidhje. Bile trungjet e arrave të mëdha, i bleu kooperativa. Ishte dimër i rëndë. Me ato para që mora nga kooperativa, bleva bukë për një dimër shtëpia jonë vetëm emrin e kishte shtëpi. Ajo ishte kasolle pa tavan. Në mes të saj ndizej zjarri. Në njërën anë të saj flinim njerëzit ndërsa në anën tjetër kafshët. Ajo ishte strehë e përbashkët për ne dha bagëtinë.

I kam provuar edhe zijoshët! Për nuk dua të flas. Ata nuk quhen rastësisht të zi! Dajat tuaj më kanë ndihmuar ndonjëherë. Edhe ata ishin të varfër dhe mezi siguronin bukën për një vjet. Mal tonin, nuk kemi pasur për të prerë dru për ngrohje. Dajat kishin mal, por nuk guxonin ta prenin, pa leje të pushtetit. Me kanë sjell dru vetëm natën, në pik të dimrit. Aso kohe binte shumë borë! Vetëm me saja dilnim në rrugë. Qorrziu, i moçmi, mi pat falur dy qerre dru, por nuk kisha me çka t’i sjell në shtëpi. Ti nuk kishe lindur akoma kur pata humbur këmbën e majtë. Që kur u rrite, me ke njohur si njeri me një këmbë, si njeri me kërraba.

Po, biri im! Babi yt ka pasur dy këmbë, si çdo njeri. Çfarë dhembje kam ndjerë, atë dite kur më lëshoi anestezioni, në spital. Kur kuptova që më kanë operuar këmbën, më përshkoi dhembje e dyfishtë. Nuk dalloja dhembjen time për këmbën që nuk e kisha më, nga dhembja për fëmijët e vegjël që kisha, e të cilët duhej rritur. Njeriu nuk është si lisit të malit. Lisit, nëse ia pret një degë, i del tjetra e re dhe rritet shpejt. Njeriut kur ia presin këmben a dorën, nuk i dalin më. E dija mirë këtë. Harroja këmbën e prerë dhe jam rrëzuar shumë herë.

Më dukej sikur të kisha rënë nga qielli. Sa shumë herë jam rrëzuar, derisa iu përshtata jetës më një këmbë. Ishin ata ditë të tmerrshme. Kisha shtatë fëmijë të vegjël. Asnjëri prej tyre nuk ishte i rritur për punë. E dija se nënës tuaj, tash po i mbeteshin shumë detyra të rënda që më takonin mua deri atëherë. Nëna mori mbi vete çdo detyrë shtëpie. Zor ta kuptoni sa vështirë ishte për një grua të shkonte në mal e në mulli, në treg e kooperativë, për të kryer punë të domosdoshme, për të mbetur gjallë. Dy motrat tuaja me të mëdha, kanë lëvruar shumë herë, pasi unë me kërraba nuk e mbaja dot plugun. Nuk u dorëzova kurrë. Edhe shkollimi yt nuk ishte I lehte. Kur u rritën dy vëllezërit tuaj, jo që mendoja t’i shkolloja, por gëzohesha që do të më ndihmojnë për të punuar tokën.

Nuk ka njeri që do të kuptojë se sa vështirë është të qëndrosh në vendlindje. Unë qëndrova. Kushtet ekonomike diktojnë edhe rehatinë familjare. Jo pak herë nëna juaj, më pat sugjeruar, që të ikim larg, prej këtu. Atëherë e kam pasur vështirë edhe ta paramendoja ikjen nga vendlindja. Atë kohë edhe të gjithë zijoshët ishin të varfër dhe mëzi siguronin ekzistencën lakuriqe. Historia ime, që është dhe e jotja, nuk është romantike fare, por e tillë ishte. E kaluara nuk ndryshohet, por nuk duhet të harrohet. S’keni pse merreni me të kaluarën. E kaluara nuk gjykohet. Me kohë ndryshojnë gjërat.

Edhe kur kishim një lopë, nuk ishim ku ta kullosim. Për nevoja të shtëpisë, duheshin edhe kijet. Për t‘i mbajtur një pendë kije, duhej ushqim . Kishim pak tokë pune, dhe ishte zor ta siguronim, jo vetëm bukën për një vit, por edhe ushqimin për kafshë. Qerre nuk kishim. E huazonim ndonjëherë, por pak kush nga zijoshët ta jepte qerren për një ditë të vetme. Edhe shumica e zijoshëve ishin të varfër. Nuk kisha mundësi të blija qerre për kije. Një ditë takova kolonin malazias, Bllagotën. Më përshëndeti! Më pyeti edhe për hallet e mija. Rrallë ka ndodhur në Zezë, që dikush të të pyeste për halle! Edhe pyetja për halle, dukej si ndihmë. Me dukej lehtësim. Pastaj, ai vazhdoi bisedën. Kishte vendosur të ikte nga Zeza. Më tha shkurt: “Do iki, Mujzio, tha ai! Kam qerren e drurit me pod e kanata, me gjithë zgjedhë”. Dërgo fëmijët, e le ti marrin! I gëzofshin! U befasova shumë më tepër, se që u gëzova. Si ik ky njeri, kur i ka punët më mirë se çdo zijoshë!.

Bllagotës i kishin ikur fëmijët shumë më herët. Nga ajo dite kishim edhe qerre, me të cilën mund të sillnim dru nga mali për gatim e ngrohje. Po mund të bartnim edhe drithin nga arat. Ishte tepër zor, kur nuk kishim ushqim as për veti. Arat nuk e bënin drithin, pasi nuk kishim mundësi t’i plehëronim. Shumë herë edhe fara që kemi hedhur në are, ka shkuar huq. Moti na ka dëmtuar shumë herë. Kur binte shi me kohë, ia dilnim më lehtë. E mban ti mend kolonën, malaziasen, Lubica. Ajo më ofroi tre hektar ara për t’i punuar me përgjysmë. Në atë çast, shpëtimi trokiti në derën tonë. Fëmijët rritëshin shpejt dhe tash kishim edhe me çka, e ku të punojnë. Filluam ta sigurojmë bukën për një vit. Ato pak bagëti që mbanim për nevojat elementare, nuk kishim ku t’i lëshonim në kullosë. Më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, kemi blerë kullosa nga kolonët malazias. Ato lëndina, vetëm mund të quheshin kullosa. Gjelbëroheshin pak, vetëm kur mbante mot me shi. Me vite, drithin e kemi korrë me drapër. Arat, pesë kilometra larg, na dukeshin sikur të ishin para shtëpisë. Po aq larg ishin edhe kullosat, që i paguanim. Krejt pagesat i kemi bërë me punë krahu. Edhe bagëtia kanë vuajtur për ushqim së bashku me ne. Sa herë kthehej pranvera, gjysma e bagëtive ngordhnin, pasi kishin ngrirë gjatë dimrit. Pasojat e dimrit i shihnim kur ngrohej moti.

Përballova shumë sfida, por jo vetminë.

Ti ike më shpejt se që mund të paramendonim. Ne nuk kemi menduar për kushtet tona të egra të jetës. Nuk jemi ligështuar para asnjë furtune. Pas çdo përballje, kemi dal më të fortë. Më bëhej sikur edhe natyra na sfidonte. Nuk jam ankuar asnjëherë para fëmijëve. Nuk kam dëshiruar ta ngarkoj askënd me peshën e vuajtjeve të mia.

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
”Më kanë fyer, pati sulme raciste ndaj meje” Astrit Selmani reagon pas ofendimeve që mori në Rumani

”Më kanë fyer, pati sulme raciste ndaj meje” Astrit Selmani reagon pas ofendimeve që mori në Rumani

Ligat tjera
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golave ndaj Southamptonit

Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golave ndaj Southamptonit

Premier League
Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të

Dronët sulmojnë një rafineri nafte, zjarr gjithashtu në një fabrikë të pajisjeve ushtarake – detaje dhe pamje të "dy shpërthimeve” në Rusi

Botë
Kalo në kategori