LAJMI I FUNDIT:

IKD: Askush nuk u dënua me burgim efektiv për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë

IKD: Askush nuk u dënua me burgim efektiv për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën është prezantuar raporti me titull “Mos deklarimi i pasurisë, krim në letër, kundërvajtje në praktikë”, aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”.

Hulumtuesja e IKD-së, Eranda Zekaj gjatë prezantimit të raportit vuri theksin në zhvillimin e mjetit të deklarimit të pasurisë krahas evoluimit të kornizës ligjore.

Megjithatë, ajo thekson se si përkundër inkriminimit të deklarimit të pasurisë si vepër penale, i njëjti trajtohet si kundërvajtje në praktikë.


Me qëllim të analizimit të kësaj vepre penale, IKD në këtë raport reflektoi të dhënat mbi trajtimin e rasteve nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Prokuroritë dhe Gjykatat. Të dhëna këto që derivojnë nga Raportet vjetore të APK-së, raportimeve dhe përgjigjeve sipas kërkesave për informata.

Zekaj, theksoi se IKD gjatë vitit 2022 ka monitoruar dhe raportuar për 27 aktgjykime të shpallur për mos deklarim të pasurisë, në të cilat janë përfshirë 28 persona. Për të cilat raste, politika ndëshkimore ka qenë e orientuar kryesisht në dënime me gjobë.

“Në mesin e 26 aktgjykimeve dënuese, në 16 prej tyre ishte shqiptuar dënimi me gjobë, ndërsa në 12 aktgjykime tjera ishte shqiptuar dënim me kusht dhe gjobë”.

Rrjedhimisht, sipas IKD-së aplikimi i një politike joadekuate përmes shqiptimit të dënimeve të buta me gjobë apo dënimeve me kusht nuk mundëson arritjen e qëllimit të dënimit dhe përçon mesazh negativ tek publiku.

Tutje, hulumtuesja Eranda Zekaj tha se duke marrë në konsideratë dënimet e shumta me gjobë të shqiptuara ndaj kësaj vepre penale, jemi fokusuar në analizimin e 25 aktgjykimeve dënuese të shpallura gjatë vitit 2022 ndaj 26 personave nga Gjykatat Themelore në Kosovë, sipas përcaktimeve të Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore.

Ajo për më tepër shtoi se “Analiza përfshinë përshtatshmërinë e dënimit, zbatimit të rrethanave lehtësuese dhe rënduese, injorimin e të njëjtave dhe zbatimin e metodës së Udhëzuesit për matjen e dënimit.”

Në bazë të kësaj analize është gjetur se vendimet gjyqësore aplikojnë numër më të lartë të rrethanave lehtësuese në krahasim me rrethanat rënduese.

“Kështu, në mesin e 25 rasteve, në 16 prej tyre, (64% të rasteve), si rrethanë lehtësuese është aplikuar pranimi i fajësisë nga kryerësi i veprës penale, ndërsa në 11 raste tjera (44% të rasteve) është aplikuara rrethanë lehtësuese rënia ndesh me ligjin për herë të parë dhe pendimi apo keqardhja për veprën e kryer. Përveç pendimit, gjykatat themelore si rrethanë lehtësuese kanë aplikuar gjithësej 9 herë (36% të rasteve) premtimin se i njejti nuk do të përsërisë veprën e kryer dhe gjithësej në 7 raste (28%) sjelljen korrekte të pandehurit në gjykatë.

Rrjedhimisht, këto rrethana lehtësuese në 64% të rasteve, janë aplikuar në kundërshtim me Udhëzuesin”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër, sipas hulumtueses Zekaj, Gjykatat pothuajse në të gjitha rastet kanë injoruar rrethanat rënduese. Kjo pasi në gjithsej 23 raste, Gjykatat nuk kanë evidentuar asnjë rrethanë rënduese.

Sipas Zekaj, kjo ka ndodhur vetëm në dy raste, ku si rrethana rëndësuese në njërin rast janë aplikuar rrezikshmëria shoqërore dhe  shkalla e përgjegjësisë penale dhe në rastin tjetër fakti se personi ka qenë i dënuar më parë.

Çfarë konsiderohet problematike është dyfishimi i rrethanave lehtësuese dhe rënduese. Kjo pasi që Gjykatat bëjnë llogaritje të dyfishtë të rrethanave, që në rastin e rrethanave lehtësuese paraqitet përfitim i padrejtë për të akuzuarin.

Sipas Zekaj, në 36% të rasteve, gjykata bënë dyfishimin e rrethanave, në momentin kur merr parasysh edhe pranimin e fajësisë dhe pendimin si rrethana lehtësuese, pasi që dështon të sqaron dhe t’i ndajë këto dy rrethana me fakte dhe prova të caktuara.

“E në rastin e dyfishimit të rrethanave rënduese, gjykatat marrin parasysh “rrezikshmëria shoqërore dhe shkalla e përgjegjësisë penale”, e cila nuk është rrethanë rënduese, por parim në rastin e vendosjes mbi llojin dhe lartësinë e dënimit”, tha ajo.

Ndërsa, sa i përket qëllimit të dënimit, ajo shton se Gjykatat në të gjitha rastet kanë cituar dy prej qëllimeve të dënimit; parandalimin specifik dhe të përgjithshëm, por në asnjë rast përkundër kërkesave të Udhëzuesit, nuk ka arsyetuar këto qëllime të dënimit.

Znj. Zekaj, për të sqaruar më tej injorimin e vazhdueshëm të recidivizmit përmend shqiptimin  e dënimit me gjobë prej 500 euro, nga Gjykata Themelore në Gjakovë, për zyrtarin e lartë recidivist në periudhat 2019-2021.

Ajo theksoi se  si pavarësisht  mundësisë që ofron kodi penal për veprën penale të mos deklarimit të pasurisë, Gjykata  vendos se gjoba si dënim i shqiptuar është në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe se në rrethana të tilla është e mjaftueshme për arritjen e qëllimit të dënimit.

Gjatë prezantimit të raportit, Zekaj tërheq një paralele në mes mos deklarimit të pasurisë si kundërvajtje dhe si vepër penale, në bazë të vendimeve gjyqësore të analizuara, ku mund të konstatohet se politika ndëshkimore në fakt është më e butë pas inkriminimit të kësaj vepre, duke marr parasysh vetëm vlerat e gjobave të shqiptuara.

Ajo tha se “Si kundërvajtje, mos deklarimi i pasurisë dënohej prej 300-700€, derisa si vepër penale, në numrin më të madh të rasteve gjoba e shqiptuar koncentrohet në shumën prej 300€ gjobë, derisa me burgim efektiv ashtu siç e parasheh mundësinë Kodi Penal, nuk u dënua asnjë person.”

Ne mesin e gjithë këtyre të gjeturave, IKD në mesin e aktgjykimeve të analizuara ka gjetur se shfaqet një mos profesionalizëm i theksuar i prokurorëve dhe gjyqtarëve, që në një formë amnistojnë kryerësit e këtyre veprave, dhe reflektojnë edhe në qëllimin preventiv të dënimit. Kjo paraqitet në situatat kur aktakuza ngritet sipas paragrafit 1 të nenit 430 të Kodit penal, kur zyrtari nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë. Kjo pasi që, në situata të tilla, ngritja e aktakuzës dhe shqiptimi i dënimit do të duhej të bëhej sipas paragrafit 2 të këtij neni, i cili dënon raportimin e rremë kumulativisht me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në pesë (5) vjet.

Krejt në fund, Zekaj paraqet rëndësinë e deklarimit të pasurisë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, rëndësi kjo e vlerësuar edhe sipas Raporteve të Progresit dhe dokumenteve për Rishikim funksional.

Andaj, me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe efektit preventiv të dënimit, ajo tha se  kërkohet implementim i duhur i legjislacionit për deklarimin e pasurisë duke përfshirë këtu edhe zbatimin e përpiktë të dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Ndryshe, “Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila po mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan – Byro për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), do vazhdojë me aktivitete të ndryshme që do të organizohen nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol dhe Iniciativa për Progres (INPO).

Në trend Lajme

Më shumë
Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitarët tregojnë për sjelljen e të akuzuarve në natën kritike

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitarët tregojnë për sjelljen e të akuzuarve në natën kritike

WordPress › Error

Error establishing a Redis connection

To disable Redis, delete the object-cache.php file in the /wp-content/ directory.