LAJMI I FUNDIT:

I harruari Brahim Vojvoda

I harruari Brahim Vojvoda

Deri para pesë vjetësh ishte emër i madh në futbollin kosovar. Por, prej topit Brahim Vojvoda nuk kishte pas shanse të tubojë para. Tani vazhdon të jetë i papunë, që prej se është pensionuar nga futbolli. Andaj, ish-fituesi i dy ‘Këpucëve të Arta’ pikëllohet kur ndalet dhe kujton se ‘si ishte, e si është’

Në shtetet tjera, kur pensionohet një futbollist, sidomos i atillë që gjatë karrierës lë gjurmë të pashlyeshme, atë mund ta lëndojë vetëm mërzia shkaku i ndarjes nga futbolli aktiv, ngase një jetesë të mirë e ka thuajse plotësisht të garantuar. Kurse, në vendin tonë kur një futbollist i madh shkon në pensionim, nuk i bie ndërmend për t’u mërzitë që po e lë futbollin, për shkak se nuk di kah t’ia mbajë pastaj për një jetë më të mirë.

Këtë fakt e konfirmon rasti i Brahim Vojvodës. Qe pesë vjet ai është tërheq nga futbolli aktiv. Karriera e ish sulmuesit ishte e bujshme. Vojvoda ishte një emër i njohur në futbollin kosovar, në të cilin ka shënuar aq shumë gola, saqë as vet nuk e din numrin e saktë të tyre. Bile dy herë e ka fituar ‘Këpucën e Artë’ nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), duke e arsyetuar kështu epitetin e futbollistit legjendar të Drenicës. Të famshëm atë e kishte bërë edhe mbiemri karakteristik.

Por, sot është harruar thuajse nga të gjithë. E kjo po e mërzit goxha shumë Vojvodën, i cili madje ka mbet edhe i papunë. “Është monotoni të rrish pa punuar”, thotë Vojvoda gjatë një bisede për Arenën. Ai është i vetëdijshëm se të gjesh vend pune në Kosovën me shkallë të lartë të papunësisë është shumë vështirë. Andaj, nuk mërzitet fort. Por, hatri po i mbetet te ish skuadra e tij, Drenica, nga e cila ndihet tërësisht i harruar. Vojvoda nuk kishte besuar kurrë që Drenica do ta lë në rrugë, duke e marr parasysh djersën e madhe që e kishte derdhë gjatë shumë viteve për fanellën kuq e zi.


“Unë jam i lumtur për karrierën time si futbollist, por nuk e di a është ndarë e kënaqur me mua Drenica. Them kështu sepse ish klubi im më ka lënë jashtë. Gjatë kohës sa luaja, por edhe pasi e pata mbyll karrierën, prisja se Drenica do të më ftojë për të punuar në klub. Sa shumë herë deri më tani janë ndërruar anëtarët e kryesisë, por asnjëherë askush nuk më ka ftuar. Andaj, jam shumë i zhgënjyer”, theksoi Vojvoda, duke potencuar se përveç tij edhe shumë ish futbollistë të njohur drenicas kanë mbet larg stadiumit ‘Bajram Aliu’.

Megjithatë, falë numrit të madh të golave që i kishte shënuar me fanellën kuq e zi, Vojvoda thotë se Drenicën vazhdon ta ketë në zemër. Po ashtu, shpresa për t’u punësuar në ish klubin e tij nuk i ka humbur ende tërësisht. “Shpresoj të më thërret dikush. Të shohim”, tha ish sulmuesi.

Pak para i fitoi nga futbolli

Dy ‘Këpuca të Arta’ që i kishte fituar gjatë karrierës tregojnë më së miri për kualitetin e Brahim Vojvodës që e kishte si futbollist. Pavarësisht kësaj, para nuk kishte fituar sa i kishte merituar.

“Sa kam mund me marr para, pra sa më kanë takuar si lojtar, nuk kam marrë. Asnjëherë klubi nuk i ka kryer obligimet ndaj meje siç merreshim vesh në fillim. Asnjëherë! Bile, ka ndodh që nuk e kam marr ndonjë pagë fare”, tregon Vojvoda.

Vojvoda: Djali im nuk do të luaj kurrë për Drenicën

Ervina dhe Elmedini janë dy fëmijët e Brahim Vojvodës. Por, babai i tyre aktualisht është i papunë, edhe pse dikur ishte yll në futbollin kosovar. Kjo pasi ish klubi i tij, Drenica ende asnjëherë nuk e ka ftuar për të punuar në stadiumin ‘Bajram Aliu’, siç bëjnë klubet evropiane me ish yjet e tyre. Kjo e ka zhgënjyer Brahim Vojvodën, i cili me gruan dhe fëmijët e tij, megjithatë e jetojnë një jetë mesatarisht të mirë, falë ndihmës që marrin nga vëllai dhe babai i ish sulmuesit, të cilët jetojnë e veprojnë në Gjermani.

Madje, Elmedini është nxënës i Shkollës së Futbollit te Bashkim Idrizi. “Elmedini ka talent. Mund të bëhet lojtar i mirë. Ndoshta mund të bëhet edhe si unë, por ai luan me këmbën e djathtë, kurse unë luaja me të majtën. Po mundohem ta mësoj të luan me të dy këmbët”, thotë duke qeshur babai i Elmedinit, Brahim Vojvoda, i cili nuk do ta lejojë djalin asnjëherë të luaj për ish skuadrën e tij, Drenicën, ngase është i zhgënjyer me kuqezinjtë që e kanë harruar prejse u pensionua. “As që e kam ndërmend ta lë djalin tim për të luajtur me Drenicën. Ka klube tjera”, tha Vojvoda.

Si ia ‘rrëmbeu’ Vojvoda ‘Këpucën e Artë’ Haxhi Zekës?

Gjatë karrierës së bujshme, Brahim Vojvoda i pati fituar dy ‘Këpuca të Arta’ nga FFK-ja. Por, njërën prej tyre faktikisht ia pati ‘rrëmbyer’ nga dora rivalit të tij, Haxhi Zekës, i cili ende luan për Besën. Luhej ndeshja Kosova e Vushtrrisë – Drenica. Takimi pati përfunduar 6:5, për vushtrriasit. Por, pesë golat për Drenicën i kishte shënuar pikërisht Vojvoda, me ç’rast edhe ia ‘rrëmbeu’ Haxhi Zekës ‘Këpucën e Artë’. Por, rezultati i dyshimtë i asaj ndeshje kishte bërë që ai çmim t’i kontestohej nga shumëkush ish sulmuesit kuq e zi, i cili për herë të parë pranon se diçka nuk ishte në rregull aty. “Mos më pyesni mua. Këtë pyetje duhet ta bëni në Vushtrri. Pyesni ata çka kishin kundër Haxhi Zekës. Unë nuk e di çfarë problemi kishin ata mes-veti. Unë e merrja topin dhe shënoja, nuk më interesonte”, tha Vojvoda duke qeshur, por që shprehu respekt të madh për Zekën. /Tribuna/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Zyrtare: Lindon Emërllahu, lojtar i ri i CFR Cluj

Zyrtare: Lindon Emërllahu, lojtar i ri i CFR Cluj

Ligat tjera
Chelsea dhe Milani po punojnë për një marrëveshje sensacionale shkëmbimi gjatë verës me tre yje të përfshirë

Chelsea dhe Milani po punojnë për një marrëveshje sensacionale shkëmbimi gjatë verës me tre yje të përfshirë

Serie A
Gjyqtari legjendar italian, Collina kërkon ndryshimin e rregullit të goditjes së penalltisë

Gjyqtari legjendar italian, Collina kërkon ndryshimin e rregullit të goditjes së penalltisë

Ndërkombëtare
Barcelona e bën objektiv kryesor të verës top sulmuesin e Ligës Premier

Barcelona e bën objektiv kryesor të verës top sulmuesin e Ligës Premier

Ndërkombëtare
Bëhet viral reagimi i Salibas pasi një tifoz i përmendi transferimin tek Real Madridi

Bëhet viral reagimi i Salibas pasi një tifoz i përmendi transferimin tek Real Madridi

Ndërkombëtare
Zbulohen prapaskenat: Kërcënimi që Ancelotti i bëri lojtarëve të tij gjatë derbit me Atleticon

Zbulohen prapaskenat: Kërcënimi që Ancelotti i bëri lojtarëve të tij gjatë derbit me Atleticon

La Liga
Kalo në kategori