“I dashur armik”
Boris Tadiq, bëri blasfemi, me të cilën i shokoi serbët e Kosovës. Së paku pjesën militante të tyre. Ai tha se Kosova nuk është zemra e Serbisë. E merreni me mend se kjo deklaratë anatomiko/politike shkaktoi tërë atë pezëm në kokat mesjetare të disa liderëve lokalë serbë. Problemi më i madh nuk duket të jetë kjo deklaratë, por problematik paraqitet fakti se Serbia ka mbetur pa zemër. Opinioni serb i cili është mësuar me përdorimin e anatomisë në politikë, tashmë nuk do të çuditej nëse në këtë relacion dashurie të njëanshme, përpos zemrës dhe veshkave të shumëpërfolura, të futej edhe ndonjë organ tjetër. Nëse përmenden rreth 40000 dhunime të kryera gjatë luftës në Kosovë, kjo tezë e luftës me organe, do të kompletohej mbase.
Sidoqoftë, politika e ruajtjes me çdo kusht të kolonive, po e sjell Serbinë në një situatë kur ajo nuk po mundet të merret me vetveten dhe me problemet e saja reale. Ka mbet peng i historisë. Po i mban peng edhe fqinjët! Kështu po mban të mbyllur perspektivën e saj euro-atlantike.
Por, në mënyrë paradoksale, peng jemi edhe ne. Duke u marrë me armikun historik, nuk po arrijmë të merremi me armiqtë real të së ardhmes tonë, siç janë krimi i organizuar dhe varfëria e skajshme e pjesës më të madhe të qytetarëve. Ndërkohë, klasa jonë politike mbahet në pushtet me anti- serbizëm apo me gatishmërinë për me nënshkru e jo duke zgjidhur problemet reale të qytetarëve.
Pra, liderët lokalë serbë u shokuan me deklaratën e ish presidentit Tadiq, ndërkohë që ne jo. Armiqtë, për të cilët flasim dhe të cilët na mbajnë peng në një luftë mediale të cilës nuk i shihet fundi, na duhen veç për të arsyetuar çdo dështim tonin. Prania ndërkombëtare fatmirësisht po e pengon luftën reale, nga e cila përfituan më së shumti pikërisht liderët e barrikaduar në dy anët e barrikadave.
Në rrugën tonë evropiane, armiqtë historikë nuk janë të domosdoshëm. As këngët për Evropën plakë. Por, qytetarët, megjithëse ende turbull, kanë filluar të shohin këtë grackë dhe nuk po pranojnë të jenë peng më. Nuk po pranojnë të merren me armiqtë e trashëguar.
Kur jemi te armiqtë e trashëguar, para pak ditësh në ekranin e kompjuterit tim titëroi një kërkesë për miqësi, prej dikujt emri i të cilit nuk më kujtonte një person konkret! Nga shënimet elementare e kuptova të ishte një serb nga Bosnja dhe Hercegovina. Duke qenë se pjesën më të madhe të burgut e kisha kaluar pikërisht në këtë vend të parehatuar, ma mori mendja të jetë ndonjë ish-i burgosur i cili do të ketë hasur emrin tim në rrjet. Rrugët virtuale janë të çuditshme!
Doli të ketë qenë një ish gardian burgu. Në vitet e tetëdhjeta, ai ishte një djalë i ri, pak a shumë me moshën time dhe mbante me krenari uniformën e shtetit të cilin unë e luftoja dhe për të cilat shkaqe edhe ndodhesha në burg. Gardiani i quajtur Branko, asokohe ishte edhe udhëheqës i partisë (Lidhjes komuniste) për celulën e burgut dhe nuk arrinte të kuptonte se si dikush mund të ishte kundër vëllazërim-bashkimit të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Lufta jonë për liri quhej luftë kundër vëllazërimit dhe bashkimit! Kështu e kishte bindur makineria e propagandës. Asokohe, Bosnja jetonte në gënjeshtrën e quajtur vëllazërim-bashkim, më shumë se kushdo asokohe në Jugosllavi. Mbi një milion qytetarë jetonin në martesa të përziera dhe as që arrinin të imagjinonin atë që atje do të ndodhte tërë ajo kasaphane vetëm pas disa vitesh.
Ky, Branko, më vonë paska qenë pjesëmarrës në luftë, kuptohet në anën serbe, duke thënë se këtë nuk e ka zgjedhë ai, por është imponuar qysh me fillimin e konfliktit. Kuptohej, ai ishte serb, të tjerët ishin armiqtë e tij! Tash, pas lufte, ai qenka shpërngulur në… internet. E paska hapur një linjë biznesi me reklamat në internet.
Folëm, derisa u “çmallëm”. Derisa po fliste për ngjarjet, në fakt bisedat e para 25 viteve nga të cilat ai kujtonte edhe detaje të cilat unë i kisha harruar krejt, se si mu kompozua me këtë ndjesi titulli i famshëm i filmit shqiptar: “I dashur armik”! Çka i bënë njerëzit armiq? Ai tani po fliste për shumë gjëra të cilat atëherë në bisedat e shkurtra nuk ka guxuar t’i thoshte. Si njeri , ai ishte kundër luftës. Asokohe ai çuditej se si mbi tavolinën time qëndronin njëra pranë tjetrës dy librat e shenjtë, Bibla dhe Kurani, apo Marksi, Hegeli, Kardeli, Lao Ce, etj.! Çuditej se si i njihja aq mirë ideologët e tij dhe prapë nuk besoja në ta.
Branko ishte një gardian i ri, burgu i cili besonte në mirësinë e sistemit, e rrjedhimisht edhe drejtësinë e tij, dhe ndihej i hutuar me bindjen time të patundur se shteti i tij ishte kriminal dhe se si i tillë detyrimisht do të shkatërrohej! Sot ai është i vetëdijshëm se edhe në vendin e tij dominojnë mafiozët, kryesisht në emër të patriotizmit.
Derisa po e bluaja në kokë fenomenin e armiqve të përjetshëm, po lexoja në media se ish zëvendësministri serb Gjorgjeviq ka pranuar krimet e bëra ndaj shqiptarëve në vitin 1999, para gjykatës ndërkombëtare për krimet e luftës, në Hagë! Ai kishte pohuar se ndihej fajtor dhe kërkonte falje publike për këto krime. Ai ndihej fajtor, sepse nuk kishte guxuar të kundërshtonte sistemin i cili po kryente krime të rënda ndaj popullatës civile.
"Pendohem që nuk iu kam kundërvënë ministrit. Për këtë ndjehem fajtor… Kam pasur rol të caktuar në gjithë këtë dhe mendoj se duhet të dënohem”, ka thënë Gjorgjeviq.
Por, kështu nuk mendojnë liderët lokalë serbë. Mjaftë nga ata po ashtu kishin një rol në krejt këtë! Madje as liderët aktualë shtetërorë të Serbisë të cilët me çdo kusht po përpiqen të ruajnë pozicionet e dominimit në Kosovë dhe Bosnje. Edhe ata kishin një rol në krejt këtë luftë. Sidomos kryeministri aktual dhe presidenti i Serbisë! Por, nuk ndihen fajtorë! Mjafton se nënshkruajnë marrëveshje!
Kështu, derisa miku im i ri virtual, dhe ish gardiani i cili dikur ruante derën time të burgut, ka dalë prej sistemit dhe ka ikur në internet, politika serbe nuk po arrin të dalë prej mesjetës.
Nuk është mision i politikës vetëm të marrë vendime, por edhe të krijojë vizion qytetërues për popullin e vet. Derisa liderët politikë serbë dhe shqiptarë po bëjnë pazare larg syve të qytetarëve të dy vendeve, ata kanë dështuar të ofrojnë një vizion qytetërues për qytetarët e të dy vendeve. E kontinenti i vjetër po kërkon vetëm liderë që qesin nënshkrime në marrëveshje kabinetesh, për hir të karrierës së ndonjë zyrtari të lartë, marrëveshje këto të cilat shumë vështirë pranohen në jetën reale.
Kështu, situata është bërë tragjikomike me posterët ku liderët serbë ne Beograd portretohen në postera me plisa. Në anën tjetër, kryeministri kosovar portretohet me shajkaqe! Kjo e ka kuptimin se ata kanë tradhtuar. Një komentues i zgjuar në profilin tim në Facebook, pyetet jo pa të drejtë: “Nëse në Serbi liderët akuzohen se e kanë shitur Kosovën, e në Kosovë se e kanë shitur veriun, a thua kush ka blerë këtu dhe çka”?
Kështu ndodhë kur qytetarët nxirren jashtë loje dhe kur bëhen pazare me liderët e korruptuar dhe të dëgjueshëm! Pastaj, nëpër kafenetë tona politike në jug sërish kërcasin sharkiat dhe në veri “gusllat”, ku përplot emocione u këndohet atentatorëve që e vrasin tradhtinë! Për vrasje thërrasin edhe klerikët serbë në mitingje! Apo ndoshta krejt kjo ishte veç një dilemë filozofike!
Në fakt, ka shumë gjasë që krejt kjo për dikë është biznes. Një biznes në të cilin armiqtë shekullorë përfitojnë reciprokisht!
A thua, çka është në këtë punë patriotizëm e çka tradhti?
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSonte në Big Brother martohen Jozi dhe Loredana, por nuk ftojnë në dasmë Rozanën dhe Laertin
Vetaksident në Pejë, vdes shoferi i automjetit
Kanadaja vendos tarifa prej 25% në luftën tregtare me SHBA-në
“Real Madridi erdhi për ta shkatërruar futbollin”, shefi i La Ligas akuzon ashpër Florentino Perez
Arsenali shkarkon të gjithë potencialin ndaj Manchester Cityt dhe i turpëron në ‘Emirates’
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Publikohen pamjet: A po luante Real Madridi me më shumë se një kundërshtar ndaj Espanyolit?
Barcelona po e mbyll afatin kalimtar dimëror me një top transferim - Deco në negociata
Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!
Bëri ndërhyrje horror në Mbappen, lojtari i Espanyolit tregoi se çfarë i tha francezit
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie
Perez del kundër një top transferimi, cilësohej si zëvendësuesi i Toni Kroos