LAJMI I FUNDIT:

Historianët: Ndryshimi i kombësisë, pa asnjë bazë

Historianët: Ndryshimi i kombësisë, pa asnjë bazë

Historianët Pëllumb Xhufi dhe Sabri Godo, bashkohen me mbi 70 shoqata për çështjen e ndryshimit të kombësisë, duke nënvizuar se ky është një problem tejet i madh.

Xhufi kritikon partitë politike që heshtin për këtë problem, ndërsa gjen rastin të shprehje mirënjohje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

“Falënderoj ato struktura të shtetit shqiptar dhe duhet t’u jemi me të vërtetë mirënjohës, siç është rasti konkret i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilat me patriotizëm, me profesionalizëm me ndershmëri i janë kundërvënë një regjistrimi i cili ka qëllime të hapura antishqiptare”, theksoi Xhufi.

Sipas tij, ky çështje është temë dite për rininë shqiptare. "Nuk përbën shqetësim vetëm për shoqatat, apo për personat më të moshuar, por ky është një problem që shqetëson mjaft rininë shqiptare, e cila ka temë të ditës çështjen e kombësisë”, tha ai, duke vlerësuar edhe reagimin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet.


Ndërsa politikani i njohur Sabri Godo, hedh kritika mbi formularin e regjistrimit të popullsisë. “Shkenca thotë se, u dashkan 6.000 vjet që të ndryshohet kodi gjenetik i njeriut, kurse me formularin qe na është paraqitur, njeriu e ndryshon kombësinë, ndryshon gjakun, prejardhjen e tij në dy minuta. Dhe kjo nuk shkon”, tha Godo.

Sipas tij, “individi ka të drejtë të diskutojë bindjet e tij fetare, t’i shpallë ato, und të ndryshojë edhe shtetësinë, po s’ka sesi të ndërrojë nënën dhe babën, pra nuk mund të ndërrojë kombësinë”. Ai apelon për ta kundërshtuar me forcë këtë nismë.

“Them që duhet me të vërtetë që qytetarët shqiptare ta thonë fjalën e tyre. Sa më tepër shoqata dhe parti politike të vihen për ta mbrojtur këtë ide, pra që nuk mund të ndërrohet kombësia aq më mirë është. Aq më mirë do të kuptojnë ata që e kanë projektuar se kjo punë nuk pëlqehet nga shumica e shtetasve”, deklaroi Godo. /Telegrafi/