LAJMI I FUNDIT:

Grossruck siguron prani të madhe ndërkombëtare për zgjedhjet

Grossruck siguron prani të madhe ndërkombëtare për zgjedhjet

Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck ka siguruar kryeministrin Berisha se në zgjedhjet lokale të 8 majit do të ketë një prezencë të madhe të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Grossruck vlerësoi në një takim me Berishën të mërkurën infrastrukturën e shkëlqyer që ekziston për sa i përket regjistrit elektronik të zgjedhësve, dokumenteve të identifikimit nga më të sigurtat në Evropë, si dhe procedurave të tjera të cilat bënë të mundur që zgjedhjet e 28 qershorit të cilësohen nga raporti i OSBE-së si zgjedhjet e para në Shqipëri që plotësuan shumicën dërrmuese të standardeve ndërkombëtare.

Grossruck u citua nga zyra e kryeministrit të ketë shprehur keqardhjen për përpjekjet destabilizuese të kryetarit të opozitës Rama, që sipas tij, ndikojnë negativisht për imazhin e vendit dhe ecurinë e Shqipërisë përpara në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Kryeministri Berisha e siguroi Grossruck se prioriteti i tij maksimal është organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.


“Qeveria shqiptare është e gatshme të japë mbështetjen e plotë financiare dhe logjistike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si organi më i lartë i ngarkuar nga Kushtetuta për organizimin e zgjedhjeve si dhe angazhimin e plotë të mazhorancës për të kontribuar me vullnet të plotë politik për një fushatë zgjedhore të bazuar tërësisht tek nevojat dhe interesat e qytetarëve dhe komunitetit”, tha ai.

Kryeministri tha se qëllimi i Ramës për të destabilizuar procesin zgjedhor nëpërmjet mos dërgimin të komisionerëve në Komisionet Zgjedhore dhe regjistrimit të Partisë Socialiste si subjekt garues në afatin fundor “dështuan përballë zbatimit korrekt dhe konsekuent të ligjit të miratuar në mënyrë konsensuale dhe mbi bazën e propozimeve të Partisë Socialiste në fundin e vitit 2008”. /Telegrafi/