LAJMI I FUNDIT:

Grapci pensionohet përfundimisht

Grapci pensionohet përfundimisht

Kapiteni i Pejës, Valdet Grapci, ishte pensionuar pas përfundimit të edicionit të kaluar, kur skuadra e tij e u stolis me titullin e kampionit. Megjithatë, ai mbeti i lidhur me basketbollin, pasi për disa muaj ishte në cilësinë e menaxherit të skuadrës pejane, por pastaj ndodhi ajo që pak kush e kishte pritur, përfshirë edhe vetë Grapcin. Peja u gjend në vështirësi për shkak të lëndimeve dhe largimeve të basketbollistëve, kështu që kapiteni i verdhezinjve vendosi t’i kthehej lojës aktive.

“Duke e parë gjendjen në të cilën u gjend Peja, unë nuk mund të qëndroja duarkryq. Vendosa të kthehem në fushën e lojës dhe të kontribuoj për aq sa kisha mundësi”.

“Nuk ishte e lehtë, sepse mosha ime dhe fakti që kisha munguar për disa muaj nuk më lejonin të kem ambicie serioze, por gjithsesi që unë e kam dhënë maksimumin, siç kam bërë gjithmonë duke qenë anëtar i Pejës”, është shprehur 40-vjeçari për Arenën.

Ai më tej bëri të ditur se ka vendosur të pensionohet përfundimisht nga loja aktive. /Arena/Telegrafi/