LAJMI I FUNDIT:

Gjilani ankohet në referim

Gjilani ankohet në referim

KF Gjilani ka reaguar kundër ndarjes se drejtësisë në ndeshjen kundër Ferronikelit.

Gjilani dje humbi sfidën kundër Ferronikelit, në ndeshjen e barazhit, duke humbur mundësinë që të rikthehet në elitën e futbollit.

Bordi i Klubit Futbollistik ‘Gjilani’ ka mbajtur mbledhje urgjente menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së barazhit ndaj Ferronikelit, me ç’rast shprehë indinjatën e thellë lidhur me ndarjen e drejtësisë.

“Gjykim ky që ia humbi punën dhe investimet e shumta për një vit të tërë qytetit gjilanas për ta kthyer në elite njërën ndër skuadrat më me traditë në vendin tonë. Gjyqtari kryesor i ndeshjes Fatmir Tahiri kishte ardhur me tendenca të qarta që ta dëmtojë skuadrën e Gjilanit dhe kjo u vërejt qysh në minutat e para të ndeshjes duke i mbrojtur futbollistët e Ferronikelit dhe duke i kursyer nga kartonët, pasi ata të shtunën do ta zhvillojnë finale e Kupës ndaj Hajvalisë dhe asnjëri prej tyre nuk duhej mungonte. Startet brutale në pjesën e parë ndaj lojtarëve si Zgjim Mustafa e Filonit Shaqiri, gjyqtari Tahiri nuk deshi t’i shihte duke mbyllur sytë për futbollistët rival ndërkohë që për protestat krejtësisht normale ndëshkonte futbollistët gjilanas. Ky ishte qëllimi kryesor i tij që ta largonte ndonjërin nga loja pasi vetëm gjatë pjesës së parë shpërndau pesë kartonë të verdhë për lojtarët e Gjilanit, ndërkohë për startet dhe ndërhyrjet që më shumë i ngjanin sportit të ‘Karatesë’ gjyqtari Tahiri nuk dëshironte të dëgjonte”, është thënë në njoftimin e KF Gjilanit.


Sipas këtij njoftimi, pika kulminante dhe momenti kryesor që ndryshoi rrënjësisht rrjedhën e takimit ishte rasti i arkordimit të një penaltie që vetëm gjyqtari Tahiri e pa.

“Kjo tregon më së miri për tendencën e gjyqtarit kryesor Fatmir Tahiri, pasi që edhe në pamjet televizive shihet qartë se futbollisti me numër 17 i Gjilanit, Lirian Ferati ka luajtur me gjoks dhe topi ishte larg kontaktit me dorë. Mirëpo, përkundër se ishte mjaft afër ngjarjes gjyqtari Tahiri vendosi të zgjidhte atë që nuk ekziston, të akordonte penalltinë. Penaltia e akorduar në favor të skuadrës rivale ka ndikuar direkt në rezultat pasi me ato shifra skuadrat shkuan në vazhdime pastaj në penalti. Mirëpo nga rastet e krijuara nga dy skuadrat askush s’mund të garanton që skuadra rivale do të shënonte pos penalltisë”, thuhet ndër të tjerat në njoftimin e klubit gjilanas.

Në fund të njoftimit, KF Gjilani kërkon nga Organet Kompetente të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të marrin masa urgjente ndaj këtij gjyqtari i cili dëmton futbollin e Kosovës e në veçanti punën e madhe dhe investimet e mëdha të Klubit Futbollistik ‘Gjilani’. /KP/Telegrafi/