LAJMI I FUNDIT:

Gjenerata e Abetares së Kombit

Muaji shtator mund të konsiderohet lirisht si muaji i shkollës. Nxënës e mësimdhënës sërish bashkë.
Nuk po shkruaj për gëzimin e nxënësve. Nuk po shkruaj as për ata nxënës që vetëm në gjumë janë të gëzuar, në ëndrrat e tyre! Ata nxënës që në mëngjes zgjohen dhe e dinë se nuk kanë fletore të reja, çantë të re ose rroba të reja, si disa nga shokët e shoqet e tyre. Ata nxënës të cilët duhet të udhëtojnë me kilometra deri te shkolla e tyre, e kur mbërrijnë aty, në objekte “Ahur-Shkollë”, nuk kanë ujë që ta shuajnë etjen e kilometrave ose ta pastrojnë baltën e rrugëve malore!

Nuk po shkruaj as për ata nxënës që nuk kanë çfarë të shkruajnë në temën e tyre të parë, në hartimet e vitit të ri shkollor. E dini, ajo temë quhet “Si i kalova pushimet verore”. Çfarë të shkruajnë ata? Ç’e dallon “pushimin” e tyre prej pushimeve të viteve të kaluara? Ata nuk dinë për plazhet, gjyshërit i kanë aty, sepse shtëpitë e tyre ngjajnë në banesa kolektive, së paku 13 anëtarë!


Nuk po shkruaj as për ata mësimdhënës (prindër), që sado të gëzuar për fillimin e vitit të ri shkollor, stepen kur e dinë se lëmosha e quajtur pagë ka mbaruar, sepse pagoi borxhet e muajve të kaluar. Borxhe që nuk e lanë të blejë së paku një palë këpucë, t’i ndërrojë ato me të cilat e pranoi klasën e tij dhe tani është viti që do të ndahet prej tyre! Na mbetet të gjithëve të shpresojmë në ndryshimin e këtyre paudhësive!

Objekt i këtij shkrimi është një gjeneratë e tërë…

Janë më fatlumët e kombit. Engjëjt që këtë vit filluan klasën e parë. Gëzimi dhe ndjenja janë përafërsisht të njëjta edhe te ta, si tek të gjithë ne kur filluam klasën e parë. Të lumtur, pa dyshim.

Por çfarë e dallon këtë gjeneratë?

Kjo gjeneratë po fillon t’i hapë shtigjet e diturisë me të shenjtën Abetare. Ju do të thoni: “Edhe ne me Abetare e filluam”! Mirëpo Abetarja e tyre dallon. Dallon shumë nga ajo jona. Ajo është Abetare e përbashkët e trojeve shqiptare. Gurthemel me peshë në procesin e bashkimit kombëtar. Me të do të mësojë Dardani nga Prishtina, Taulanti nga Saranda, Labeati nga Shkodra, Isai nga Mitrovica, Arbana nga Gjilani, Teuta nga Peja, Agroni nga Presheva, e shumë të tjerë nga qytete të tjera të trojeve shqiptare.

Gjithandej krenari. Ata u lindën në kohën kur të tjerët thanë se koha po punon për shqiptarët. Kohë e avancimeve të mëdha. Kohë e mundit për ta nxënë kohën e humbur.

Mësimdhënësit, të privilegjuar natyrisht. Por kam një kërkesë nga ata! Ju lutem, tregojuni për rëndësinë e veçantë të asaj Abetareje. Tregojuni për sakrificën që kaluar kombi që ata ta kenë në duar atë. U tregoni se heronjtë nuk janë vetëm në filmat e tyre vizatimorë, që tash sa e sa vite flasin shqip. Të tillë kombi ynë ka shumë. Nuk janë të vegjël, jo! Tani ua shtoni atdhedashurinë e mbjellë nga prindërit. Tani u tregoni për luftërat me okupatorë. Nuk janë të vegjël , jo!

Unë e di se mund të duken disa kërkesa, mirëpo është vetëm një : U tregoni se sa krenarë duhet të jenë për atë se çfarë janë: shqiptarë! Dhe natyrisht, e di se këtë ju e bëni, por edhe një herë ju lutem: bëjeni çdo ditë!