LAJMI I FUNDIT:

A gabojmë kur huazojmë fjalë të huaja në gjuhën shqipe?

A gabojmë kur huazojmë fjalë të huaja në gjuhën shqipe?

Çallaveshan, mushtëkohem, vjerdh dhe kjomë, janë vetëm disa prej fjalëve të gjuhës shqipe që janë kthyer nga harresa përmes një llogarie në Instagram.

I emërtuar fjaluer, sikurse pretendohet se janë quajtur fjalorët kohë më parë, ky profil me shumë ngjyra dhe rreth 60 postime të shprehjeve të ndryshme, ka mbledhur afër vetes mbi 5,600 ndjekës nga maji i këtij viti.

Përshkrimi i llogarisë është i shkurtër por i qartë:


“Fjalë, histori, shpjegime, etimologji, e të dhana të tjera për gjuhën shqipe. Pa paragjykime, e pa qëllime parashkruese. I hapun për sugjerime”.

Plator Gashi, një i ri nga Prishtina, dashamirës i gjuhës shqipe tregon se ideja dhe gatishmëria për ta hapur këtë faqe i ka ardhur shumë natyrshëm. Gashi po ashtu tregon se si njëra prej qëllimeve kryesore të krijimit të kësaj llogarie ka qenë rritja e pranisë së gjuhës shqipe në botën online.

Teksa diskuton për llogarinë në Instagram, Platori përdor vetëm fjalë shqipe. Kur pashmangshëm është pyetur nëse i shmang fjalët e huaja me qëllim, të cilat me raste përdoren nga një pjesë e shoqërisë, sidomos kur flitet për fushën e teknologjisë, ai është përgjigjur kështu: “Nuk jam në themel kundër përdorimit të fjalëve angleze në disa raste, apo kurdo në bisedë, sepse e lehtësojnë komunikimin në një mënyrë apo tjetër. Ndonjëherë një fjalë shqip mund të tingëllojë parehatshëm në fillim, mirëpo kështu fillon e përdoret secila fjalë”.

Por, a gabojmë secili prej nesh kur huazojmë fjalë nga gjuhë të huaja?

Profesori Rrahman Paçarizi mendon se jo.

“Nuk mendoj se gabojmë kur përdorim fjalë të huaja sepse edhe kur e kemi një fjalë shqipe, e cila mendojmë se mund ta zëvendësojë, ajo jo gjithmonë e zëvendëson plotësisht atë fjalë, prandaj është folësi i cili vendos nëse duhet ta përdorë një fjalë të huaj, në vend të një fjale të gjuhës së tij, e cila mund të jetë e fshehur diku, mund të jetë latente”, ka thënë ai.

Paçarizi po ashtu ka thënë se nuk është ithtar i politikave puriste që me çdo kusht të përdoren fjalë shqipe, sepse ndodh që ajo fjalë ndonjëherë nuk i përmbushë nevojat e folësit.

Ngjashëm mendon edhe përkthyesi, Qerim Ondozi.

“Nuk duhet të kemi qasje puriste te përkthimi sepse iu jep nuancë teksteve. Shembull mund ta përdorim edhe fjalën vazhdimësi edhe kontinuitet. Mund të themi edhe mungesë edhe absencë, në vende ku fjala absencë ka kuptim. Nuk duhet me qenë aq purist kur shkruajmë tekste specifike sepse tekstet specifike përdorin terminologji specifike. Huazimi nuk është diçka e keqe. Për më tepër, preferohet te gjuhët, të cilat janë të varfra në këtë aspekt”, thotë ai.

Fjalori aktual i gjuhës shqipe ka rreth 42 mijë fjalë. Mirëpo, as në Kosovë dhe as në Shqipëri nuk ekziston praktika e përditësimit të tij me fjalë të reja, të cilat përdoren në baza ditore nga shqipfolësit. Por, ndryshe funksionon shembull fjalori i Oxford-it në gjuhën angleze. Që një fjalë të bëhet pjesë e tij, ajo duhet të futet në një “listë mbikëqyrëse”. Nëse një fjalë konsiderohet se mund t’i shtohet fjalorit, atëherë redaktorët bëjnë kërkime në arkivat e gazetave, në forume online në internet, në studime akademike, revista, libra me receta, si dhe rrjete sociale.

Paçarizi tregon se për një përditësim të ngjashëm të fjalorit të gjuhës shqipe, duhet pasur institucion që ka autoritet për një gjë të tillë.

“Barra e menaxhimit të një fjalori të ri, i cili do të ishte elektronik dhe do të përditësohej në baza periodike, duhet të bartet nga katedrat e gjuhës shqipe në Prishtinë dhe në Tiranë, pastaj nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë si dhe nga dy akademitë e shkencave, përkatësisht ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë”, thotë ai.

Fjalori online sipas tij do t’i nxiste njerëzit që ta shfrytëzonin atë më shumë meqë fjalorët fizikë janë më të vështirë për t’u përdorur.

Vështirësitë në qasje të fjalorëve fizikë i përmend edhe Gashi, teksa tregon pse ka konsideruar që prezantimi i disa fjalëve shqipe përmes platformave të reja në internet mund të jetë më funksional.

“Duke pasur parasysh se si ka ndryshuar vëmendja jonë për shkak të teknologjisë dhe duke parë vazhdimisht se njerëzit nuk po ndalen që të lexojnë, kam parë që Instagrami është platformë më vizuale, ka qenë më e mirë, pasi njerëzit nuk kanë nevojë që të klikojnë aq shumë, sepse postimet iu paraqiten para syve”, ka shtuar ai.

Por, jo vetëm kjo. Ai thekson se në internet ka hasur edhe në informacione të pasakta për gjuhën shqipe.

“Një prej arsyeve kryesore, shkasi i fundit që më ka shtyrë me nis fjaluerin është se vazhdimisht kam parë nëpër rrjete sociale faqe të ndryshme dhe individë që shpërndajnë të dhëna të llojllojshme për gjuhën shqipe dhe që nuk kanë asnjë element akademik dhe aspak vërtetësi në to”, shprehet Gashi.

Por, a është në rrezik gjuha shqipe?

Ekspertët besojnë se gjysma e gjuhëve të botës janë në rrezik të zhdukjes. Organizata ndërkombëtare, Living Tongues, me seli në Oregon të Shteteve të Bashkuara, vendos theks të veçantë në faqen e saj në internet kur thotë se çdo dy javë një gjuhë zhduket. Mirëpo, Paçarizi vlerëson se ky realitet nuk përbën problem për gjuhën shqipe. /REL/

View this post on Instagram

Fjala e ditës, prej Vuthajt të Plavës!⁣ ⁣ Edhe pse s’paraqitet në fjalorë etimologjikë, dukshëm ka lidhje me foljen «vesh» meqenëse flitet pë pamjen e jashtme, kurse «çalla-» parashtesë me kuptim negativizues.⁣ ⁣ Ekziston edhe mbiemri «çallavesh/e», kurse forma femnore osht «çallaveshane/çallaveshajkë».⁣ ⁣ Përkundër faktit që shënohet vetëm me kuptim të drejtpërdrejtë, mund të përdoret edhe me kuptim ironik/të përzemërt për njerëz të afërt me veshje të papëlqyeshme (siç ndodh shpesh me fjalë përçmuese)!

A post shared by Plator Gashi (@fjaluer_) on Aug 15, 2019 at 5:42am PDT

View this post on Instagram

???

A post shared by Plator Gashi (@fjaluer_) on Jun 20, 2019 at 4:09am PDT