LAJMI I FUNDIT:

FVK-ja e sheh të huaj Kajtazin e lindur e të rritur në Kosovë

FVK-ja e sheh të huaj Kajtazin e lindur e të rritur në Kosovë

Njëri prej volejbollistëve më të mirë të dalë pas luftës, Adriatik Kajtazi, nuk është i irrituar që nuk është nominuar për më të mirin e vitit 2015 në Kosovë.

Ai ndihet i irrituar dhe i fyer që Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) e llogarit lojtar të huaj, në vendin ku është lindur e rritur.

Federata e Volejbollit e Kosovës gjatë javës së ardhshme do të shpallë më të mirët për vitin e shkuar dhe në mesin e të nominuarve nuk është Kajtazi, që cilësohet i huaj për shkak të pasaportës së Shqipërisë që mban. Kjo pasaportë dhe rregulla e Federatës që atë ta njohë si të huaj, vlerësohet se ka ndikuar që ai të mos nominohet nga asnjëra prej dy skuadrave për të cilat luajti gjatë vitit 2015: Prishtina dhe Drenica.

Por, Kajtazi ndien veten vendor në kampionatin kosovar. Për vendor e llogarit edhe skuadra e tij Drenica, që habitet me qëndrimin e Federatës.


Në fakt, Kajtazi ka dy shtetësi. Pos të Kosovës, ka edhe atë të Shqipërisë. Atë e mori para pak vjetësh kur vendosi të luajë me përfaqësuesen e Shqipërisë në kohën kur Kosova nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht. Nga ajo kohë, ai është i regjistruar edhe në Federatën Evropiane të Volejbollit (CEV) me flamurin e Shqipërisë. Dhe, kjo ka mjaftuar që tash Federata e Kosovës ta llogarisë të huaj ne vendin e tij.

"Unë nuk jam i indinjuar që nuk jam në listën e të nominuarve. Por, nuk është e drejtë që të llogaritem i huaj për shkak se unë jam i regjistruar si lojtar vendor. Unë jam shtetas i Kosovës, jam lindur në Prishtinë dhe kam pasaportën e Kosovës. Kur kam qenë i federuar në Federatën Evropiane të Volejbollit si lojtar i Shqipërisë, FVK-ja nuk ka qenë e pranuar. Mua nuk më pengon që nuk jam nominuar, por po ndihem keq që po më llogarisin të huaj. Arsyetimi i FVK-së, ka qenë se nuk kam pasur të drejtë të nominohem për shkak se jam lojtar i Shqipërisë", është shprehur Kajtazi për gazetën.