LAJMI I FUNDIT:

Fryni era u qel taraba!

U quajt konflikt i ngrirë, mirëpo mjaftoi një vendim i drejtë, por i pamatur dhe i paplanifikuar i qeverisë së Kosovës që bëri që ky konflikt të shkrihet dhe të bëhet ujë. Ky ‘status quo’ fillimisht u josh nga BE-ja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës si rezultat i 5 shteteve refuzuese, duke parë këtë mosunitet Beogradi zyrtar ka arritur me sukses t’i forcojë strukturat paralele të Serbisë në atë pjesë të Kosovës. Kjo si për pasojë krijoi kushte shumë të favorshme që në atë pjesë të ringjallët bashkim-vllaznimi kriminal mes serbëve dhe shqiptarëve që i kushtojnë mbi 50 milionë euro në vit buxhetit të Kosovës. Katër miliardë euro i ka marrë Serbia prej Kosovës nga mbarimi i luftës. Fillimisht e mbështetur fuqishmish nga UNMIK-ut dhe e pa penguar nga EULEX- i, për më shumë se një dekadë prodhuesit serbë në Kosovë kanë qenë të privilegjuar, ndërkaq prodhuesit shqiptarë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk kanë mundur të eksportojnë prodhimet e tyre në tregun serb, pasi që ky shtet nuk ka njohur vulat e Republikës së Kosovës si dhe, po ashtu, as Bosnja nuk i ka pranuar mallrat e Kosovës, si rezultat i mosnjohjes së Kosovës, që vjen kryesisht nga entiteti me tendenca ndarje Republika Serbska, edhe pse eksportet boshnjake arrijnë rreth 100 milionë në vit.

Reciprociteti

Vendosja e reciprocitetit nga qeveria e Kosovës, është vendim i drejtë dhe shumë i vonuar. Intervenimi në Veriun e Kosovës, edhe pse një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës u ekzaltuan për veprimin e forcave policore të Kosovës për vendosjen e rendit kushtetues në atë pjesë, edhe pse e paraqitur vetëm si vendosje e policëve dhe doganierëve në pikat 1 dhe 31, ajo më shumë ishte një performancë e dobët jo profesionale e cila rezultoi me një viktimë, dhe me provokimin e popullatës shumicë me veti armiqësore ndaj autoritetit prishtinas, e cila vjen si rezultat i përkrahjes nga segmentet e caktuara të qeverisë serbe dhe fuqishëm të opozitës në Serbi. Aksioni në fakt nuk e ka arritur qëllimin, sepse Policia e Kosovës u bllokua dhe u tërhoq turpshëm me një viktimë dhe me ndihmën e KFOR-it . Pra kjo ishte një aventurë e z. Thaçi më shumë për ta ngritur imazhin e ti në rënie se sa me të vërtetë vendosjen e rendit ligjor në atë pjesë të Republikës së Kosovës, e cila momentalisht sundohet nga strukturat paralele dhe grupet paramilitare serbe, një pjesë e së cilës as qeveria serbe nuk ka kontroll mbi ta.


A ka mundur Qeveria të veprojë ndryshe…

Qeveria e Kosovës ka mundur të veprojë ndryshe sikur ta kishte një plan të qartë operativ dhe studiuar mirë, shkarkimi i drejtorit të përgjithshëm të policisë 24 orë para aksionit dëshmon mjegullën që ka ekzistuar, si dhe deklarimet e vet drejtorit të shkarkuar se nuk ka qenë në dijeni për aksionin, tregojnë për dyshimet tona se aksioni ka prapavijë të pasqaruar mirë apo është bërë për interesa ditore. Ndonëse vendimi i qeverisë për reciprocitet nuk po vihet në dyshim nga spektri i gjerë politik në Kosovë, por edhe ai ndërkombëtar me disa dyshime nga BE-ja, edhe pse lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe menaxhimi i integruar i kufijve janë parime të vetë BE-së, aksioni dhe motive ka dyshime.

Fillimisht mendoj qe qeveria e Kosovës ka pasur zgjidhje më të lehta për ta zvogëluar influencën e mallrave serbe, vendosja e reciprocitetit në pikat kufitare Merdare do të mjaftonte për fillim, ani pse malli do të hynte nga pika 1 dhe 31, mirëpo qeveria ka mundur ti obligojë bizneset që në afat prej 10 ditëve ato t’i paraqesin rezervat e produkteve serbe, dhe duke pasur këtë pasqyrë fillimisht e kishte kontrolluar pjesën këndej Ibrit , duke i shtuar masat e kontrollit të Inspektoratit financiar. Veriu i Kosovës është dashur të lihet për momentin për shkak të natyrës sensitive që ka dhe peshës politike që do të mund të paraqiste.

Serioziteti dhe bindshmëria e intervenimit…

Ndonëse intervenimi për rend dhe ligj dhe për të luftuar dukuri negative është e drejtë e pakontestueshme e secilës qeveri edhe në rastin e Kosovës, mirëpo për ta dëshmuar sinqeritetin se Thaçi ka ndërmend të luftojë këto dukuri, atëherë ai para se të dërgojë ROSU-të në 1 dhe 31, ai është dashur që ato njësi policore t’i dërgojë fillimisht brenda institucioneve të Kosovës, parlamentit dhe qeverisë së tij, pra ai është dashur të dëshmojë para popullit dhe bashkësisë ndërkombëtare se është i gatshëm ta luftojë krimin brenda vetes, vete fakti se më shumë se tre ministra dhe 11 deputetë janë duke u akuzuar për krime të ndryshme në Kosovë, të cilët janë pjesë e partisë së tij, atëherë ideja e tij për të vënë rend dhe ligj mund të mos jetë e sinqertë dhe se intervenimi i tij në veri do të kuptohet si luftë personale për qërim hesapesh me partinë e tij dhe për ngritje të imazhit politik që është në rënie, ani pse veprimi në veri ka motiv të drejtë vendosjen e rendit dhe ligjit në një zonë ku nuk funksionon.

Sovraniteti, EULEX-i, reagimi i serbëve dhe shqiptarëve

Ndonëse Kosova quhet shtet sovran dhe është e njohur si e tillë nga 77 shtete, 4 prej të cilave janë anëtare të përhershme të OKB-së, 22 të BE-së dhe 7 shtete nga grupi i G8-së, megjithatë ekziston një paqartësi bazike sa i përket kërkesën e Serbisë pranë OKB-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka dhënë përgjigjen pozitive sa i përket aspektit ligjor të pavarësisë. Mirëpo autoritetet e Kosovës tash 12, respektivisht tre vjet, nuk ushtrojnë asnjë kontroll mbi pjesën veriore të Kosovës apo 20 % të territorit të saj e në të cilin jetojnë 40 % e popullatës së përgjithshme serbe prej 8-10 % sa janë në tërë kosovën. Deri më sot Kosova nuk ka bërë përpjekje të dhunshme për ta marrë nën kontroll atë pjesë të meritorit të saj për arsye të ndryshme. Edhe përpjekja e fundit nuk ka pasur qëllim pushtimin e pjesës veriore të banuar me serbë, me vetë faktin e dispropocionit policor e ushtarak që ekziston atje. Sipas burimeve të BIA-së, në veri MUP-serb dhe struktura të tjera të sigurisë kanë së paku 500 pjesëtarë të policisë, të cilët edhe pse në rroba civile mund të rigrupohen për afro 24 orë nëse e kërkon nevoja, me armatim shumë më të sofistikuar se sa 200 pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët posedojnë vetëm dy automjete të blinduara, dhe nuk njohin atë terren aspak. Kosova nuk ka arritur ta shtrijë autoritetin atje për arsye se nuk ekziston vullnet politik në Serbi për ta pranuar realitetin e ri në Kosovë, po ashtu nuk ekziston as edhe presioni më i vogël në BE- që ti bëjnë Serbisë me qëllim që ajo ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndonëse është bërë përparim i madh në zbutjen e marrëdhënieve nga presidenti Tadic, ai dhe politika serbe asnjëherë nuk e kanë fshehur faktin se karta e tyre e fundit do të ishte ndarja e Kosovës. Vetë presidenti serb kohëve të fundit ka deklaruar se konflikti është serbo- shqiptar dhe jo me Kosovën, sepse sipas tij Kosova nuk ekziston. Apo vet Tadic, por edhe nxënësi i kryekriminelit Milosevic, Dacic, kanë lëshuar deklarata se bisedimet duhet të bëhen me Shqipërinë sepse në Kosovë jetojnë dy pakica, shqiptare dhe serbe, me këtë ata kanë dashur t’i anashkalojnë autoritetet legjitime në Kosovë . Kjo fatkeqësisht ka gjetur disa përkrahës edhe në Kosovë, siç është Vetëvendosja, e cila në zgjedhje mori 12 % , si dhe disa parti minore në Shqipëri. Kësaj ide me anë të mosveprimit të saj po i kontribuon edhe BE-ja si rezultat i mos unitetit rreth Kosovës, janë të shpeshta deklaratat nga zyrtarë të BE-së kur thonë se BE-ja nuk kërkon nga Serbia që ta njohë Kosovën, por që të bashkëpunoj me të, këso lloj deklaratash i japin të drejtë legjitime Serbisë dhe i krijojnë iluzione që ka mundësi Kosova dhe BE –ja të shkojnë paralel. Të shpeshta janë pohimet e zyrtarëve serbë se në mes BE-së dhe Kosovës, Serbia do ta zgjedhë Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Thaçi, me marrjen e mandatit të tij ka garantuar stabilitet para BE-së dhe është pajtuar për një lloj autonomie të lehtë për veriun, kjo ka qenë edhe arsyeja se pse BE-ja e ka Thaçin partner dhe e ka mbrojtur disa here edhe nga akuzat e Dick Martit (pavarësisht se ato nuk kanë ofruar ndonjë fakt të vërtetë, por ishin të rënda). Mirëpo kohëve të fundit z. Thaçit po i humb kontrolli në parti si rezultat se e udhëheq një qeveri të pakicës (shqiptare) duke hyrë në koalicion me një parti të vogël si AKR e Behxhet Pacollit si dhe minoritetet të cilat i kanë 20 vende të rezervuara ne parlament, kjo ka bërë që nacionalistët të mos e pranojnë një gjë të tillë dhe se Thaçi gradualisht nuk po ka sovranitetit faktik në terren. Ani pse me vetë autoritet në vend. EULEX-i ndonëse përpos Lëvizjes Vetëvendosje në atë kohë, askush tjetër në Kosovë nuk ka qenë kundër vendosjes së këtij misioni të BE-së më i madhi dhe më i shtrenjti deri më sot që ka bërë BE-ja .Si fillim ky mision u zëvendësua më UNMIK-un një pjesë shumë e madhe e evropianëve në UNMIK, me automatizëm kaluan në EULEX. Këtij misioni iu desh shumë kohë që të dislokohet në Kosovë për shkak të burokracisë evropiane. Pas vendosjes shumëkush e priti me entuziazëm se do të ketë rend dhe ligj në territorin e Republikës së sapo shpallur të Kosovës. Ky mision u vendos në Veri më një zyre, ku 3 ditë më pas u mbyll si rezultat i gjuajtjes me tre gurë nga disa serbe adoleshentë dhe më nuk u kthye atje kurrë. Pati disa afera korruptive brenda këtij misioni, siç ishte kontrabanda e policisë rumune, më pasataj Leo, zyrtari shumë i lartë i treti për nga hierarkia i fyeu shqiptarët në baza nacionale dhe fetare, dëmtuan rëndë imazhin e këtij misioni. EULEX-i bëri kalkulime politike me shumë kriminelë shqiptarë dhe serbë, bëri një gjyq politik, ndaj Albin Kurtit, bëri disa hetime ndaj deputetit Limaj për korrupsion.

Ndonëse një pjesë e madhe e opinionit priti arrestimi e tij, EULEX-i dëgjoi disa thënie formale të z. Limaj se shkova unë vjen edhe ai me mua (lexo Thaçi) filloi të bëjë kalkulime për të shpëtuar partnerin e dëgjueshëm politik të tij, e akuzoi Limajn për krime lufte, edhe pse ky i fundit u lirua me një vendim nga Tribunali i Hagës, kjo bëri që nga nacionalistët, por edhe shume të tjerë, z. Limaj të konsiderohej viktimë e Thaçit dhe EULEX-it. Ky mision deri më sot nuk ka dëshmuar se mundet të përmbushë misionin e tij për arsye se ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Në disa raste ky mision ka penguar shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në tërë meritorin e vendit. Cilësimi i fundit që i bëri veprimit të qeverisë se intervenimi ishte ilegal e ka dëmtuar rëndë raportin me qeverinë e Kosovës, si dhe mos bashkëpunimi në vendosjen e reciprocitetit në pikat doganore 1 dhe 31, ka dëmtuar këtë mision edhe në raport me qytetarët të cilët më nuk besojnë në këtë mision, edhe pse ata nuk janë informuar kurrë në mënyrë transparente nga qeveria e Kosovës lidhur me raportet EULEX-Qeveri.

Pas intervenimit të ROSU- popullata serbe atje

Qytetarët ordiner serbë nuk do të reagonin dhunshëm sikur këtë mos ta inkurajonin strukturat paramilitare serbe atje, MUP-serb dhe një pjese e mirë e Beogradit zyrtar me në krye vet kryenegociatorin Borislav Stefanovic, i cili ka pasur rol kyç në nxitjen e trazirave e që me pas rezultoi me djegien e pikave kufitare, bllokimin e rrugëve dhe vrasjen e një polici, që lirisht mundë të thuhet se ishte vrasje e kryer në mënyrë të kontrolluar, për t’iu bërë me dije se në rast se nuk tërhiqeni mundë t’u vrasim që të gjithë 200 pjesëtarëve. Kjo bëri që gjendja e sigurisë të dalë jashtë kontrollit, djegiet, vrasjet e dëmtuan shumë rëndë dialogun, ashtu të ndërprerë në mënyrë të njëanshme dy javë më parë nga Serbia, të cilat pa dyshim që e kanë dëmtuar më shumë Serbinë dhe presidentin Tadic.

Popullata shqiptare nuk arriti ta kuptojë, por mendoi se situata u kthye në 99 dhe se lufta me serbët rifilloi, dhe se tashti duhet sa më parë të gjithë serbët “t’i largojmë nga Kosova”. Mirëpo për dallim të emocioneve të krijuara me 17 mars 2004, Qeveria arriti ta mbajë nën kontroll reagimin eventual që do të mund të eskalonte në konflikt etnik. Në mesin e shumë shqiptarëve kryesisht bizneseve, të cilët pasurinë më të madhe e kanë fituar në kohën e Radovan Bozovicit dhe Milosevicit, dhe ata të cilët janë pajisur me pasaporta biometrike serbe u shfaq një entuziazëm “patriotik” në vend se t’i djegin pasaportat ata manipuluan disa tifozë sporti për t’i djegur plazmakeksat me qëllim që edhe ata të kenë një hise në këtë far pune. Mirëpo, djegia e produkteve dhe e flamujve të Serbisë nuk dallon asgjë nga vandalizmi i djegies së pikave 1 dhe 31. Lufta ka përfunduar me 1999 . Nuk do t’ju shpallim heronj për këto veprime Harrojeni !!!!

Është një postulat politik ku thuhet kur të ndalen pushkët fillojnë fjalët, duhet të jetë e qartë për të gjithë se prezenca e Prishtinës në veri është legjitime dhe këtë duhet të dijë KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, por edhe Serbia. U pa se beshtja është politike dhe nuk mund të zgjidhet ndryshe. Ndonëse shumëkush mendon dhe ka deklaruar se çështjet e bisedimeve janë teknike ato po shihen që mund të bëhen politike, nëse janë teknike, atëherë është e qartë edhe për qeverinë e Kosovës që komandanti i policisë së Kosovës në Zvecan apo Leposavic nuk mund të jetë shqiptar, po ashtu edhe serbët duhet ta pranojnë se policia doganore dhe dogana janë institucione të centralizuara dhe duhet ta dinë se në pjesën serbe të kufirit në Preshevë, 80% e policëve atje janë shqiptarë, mirëpo komandantin e policisë e vendos Beogradi, e njëjta do të ndodhë edhe te ne në 1 apo 31.

Nëse bisedimet do të rrëshqasin si politike, atëherë palët mund të kthehen që nga Kongresi i Berlinit, i Londrës, Bujanit apo rindarjes territoriale të Jugosllavisë 1953, por kjo mund të ketë pasoja të rrezikshme dhe e hap kutinë e Pandorës, unë nuk e dua këtë.