LAJMI I FUNDIT:

Flutur Mustafa – Një flutur që po vjen..!

Flutur Mustafa – Një flutur që po vjen..!

Ulqinakja Flutur Mustafa, nuk ka dyshim se ka lindur me shumë talente. Ajo ka mbaruar Fakultetin Juridik dhe aktualisht ndjek studimet për Master; është aktore teatri e filmi, krijuese nga shumë fusha të artit. Dhe, në të gjitha këto fronte, Flutur Mustafa po arrin rezultate të larta, por edhe të arta.

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Flutur Mustafa ka botuar edhe dy vëllime me poezi: “Përtej lajthitjes”, më 2014, dhe “Na dy”, më 2017, të cilat janë pritur me sukses të madh dhe kërshëri, botuar nga “Buzuku” i Prishtinës.


Për të gjitha këto, me 23-vjeçaren Flutur Mustafa, biseduam ekskluzivisht për portalin tonë.

Flutur, ju këtyre ditëve keni dalë me vëllimin e dytë poetik, me një titull mjaft provokativ “Na dy”. Duket se edhe ky vëllim është vazhdimësi e librit të parë, “Përtej lajthitjes”, apo jo?

“Na dy” pati debutimin e vet në Panairin e 19-të të Librit në Prishtinë. Si vëllim i dytë, ia mori jehonën e të parit. Nuk mund të pohoj e as të mohoj vazhdimësinë, por mund të theksoj se muza ishte e njëjtë për të dy këto vëllime. Libri u prit shumë mirë edhe në Panairin e Librit në Tiranë, duke më befasuar kështu për të mirë.

Në vëllimin e dytë keni bërë bujë dhe për shumëkënd jeni zbulim, pra një shpërthim i menjëhershëm dhe mjaft premtues. Jeni e kënaqur me jehonën e librit?

Jam shumë e kënaqur, mirëpo, si qenie njerëzore, ne gjithmonë aspirojmë për më shumë.

Ju studioni drejtësinë, ndërkaq që i keni pasion poezinë, aktrimin e filmin. A kanë ndërlidhje këto tri sfera, apo muza dhe talenti juaj janë ndarë në dysh?

Këto të tria janë sa të ngjashme aq edhe të ndryshme. Personalisht nuk mund të bëj pa asnjërën. Janë tri sfera, të cilat më plotësojnë dhe që më bëjnë më të arrirë si karakter e personalitet.

Megjithatë, cili nga këto tri vokacione ju fle më së shumti?

Nuk guxoj t’i ndaj. E kam gjetur veten më së miri në këto tri fusha, dhe jo vetëm…

Vini nga Ulqini, një qytet plot talente. A kanë ndikim mjedisi dhe atmosfera bregdetare, apo është një dhunti juaja për shumë profesione?

Dashje pa dashje edhe ndikohemi. Mirëpo, besoj se po nuk do të ishte talenti, ndikimi sado i madh të jetë, nuk kryen punë.

Poezitë tuaja kanë gjithçka brenda, duke filluar nga ofshama, deri te dashuria. A do të thotë se këto poezi janë reflektim i mjedisit dhe se nëpërmjet poezisë synoni ta ndryshoni botën?

Poezia është gjithmonë reflektimi i anës shpirtërore. Nuk bëjnë njëra pa tjetrën. Ndryshimi që duam ta shohim në botë gjithmonë fillon nga vetvetja. Botën mund ta ndryshojmë vetëm nëpërmjet dashurisë, buzëqeshjes e fjalës së mirë.

Cili është misioni i saj dhe a mendoni se poezia e ka këtë fuqi?

Poezia gjithmonë është një kthesë për t’i bërë gjërat më të mira. Nëse ndonjëherë nuk arrij t’ia shpreh dikujt atë që ndiej drejtpërdrejt, atëherë çka kam brenda e shpreh me poezi. Poezia ka fuqi marramendëse kur është fjala për të ndikuar në anën shpirtërore të dikujt. Kuptohet, për atë që do të kuptojë. Për atë që nuk di të lexojë dhe nuk do të lexojë mes rreshtash, është e kotë edhe sikur t’ia thuash troç.

Shquheni për stilin dhe temat që prekni, ku mund të themi se jeni e veçantë dhe mjaft delikate. Si e kuptoni ju poezinë, si lëng i shtrydhur i zemrës, apo si pjellë e fantazisë, ose reflektim i rrethit?

Poezia ime asnjëherë nuk është pjellë e fantazisë. Është një gërshetim mes përditshmërisë dhe, siç e thatë dhe ju, “lëngut të zemrës”. Sa është e veçantë e kanë vlerësuar më së miri lexuesit dhe unë këtu nuk kam çfarë të shtoj.

Keni idhull në poezi, ose kush jua zbuloi këtë dhunti?

Ndër autorët shqiptarë më të parapëlqyer janë Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Ali Podrimja dhe të tjerë kolosë të letrave shqipe, pa të cilët sot nuk do mundë të shkruanim poezi të mirë. Dhuntia ishte gjithmonë aty. Si fëmijë, kam shkruar gjithmonë, por meritat për të marrë guximin për të botuar, i bart Gazmend Çitaku, botues i vëllimit të parë “Përtej lajthitjes”.

“Na dy” ,është një titull mjaft intrigues dhe dyshues. Kush është i dyti?

Kjo pyetje më është bërë shumë shpesh. “Na dy”, mori emrin sipas ciklit brenda librit: ‘Na dy’. Të gjithë ne, në një periudhë të caktuar kohore kemi pasur dikë që na ka bërë ta konsiderojmë veten si dy. Dhe sot jemi dy. Por në hapësira të ndryshme, me dy të tjerë.

Po, me teatër dhe film si qëndron puna. Na i cekni disa role që i keni interpretuar dhe ku e gjeni veten më të realizuar?

Kohëve të fundit jemi angazhuar me seriozisht në film. Në vitin 2016 isha pjesë e një produksioni serbo-malazez, film ky i metrazhit të gjatë “Biser Bojane” nën regji të Milan Karaxhiqit, kurse këtë vit projekti “Hajnat e Kosovës”, film i metrazhit të mesëm nga produksioni “Furra”, pritet që të bëhet gati për publikun në dhjetor të këtij viti. Ky film kishte për producent dhe skenarist Agush Mulliqin dhe regjisore Arlinda Morinën. Sa i përket teatrit, këtë veprimtari e kam filluar që nga viti 2011 dhe hera e fundit në skenën e teatrit ka qenë në vitin 2015. Të them të drejtën më ka shumë marrë malli për teatrin.

Jeni themeluese edhe e një OJQ-je në Ulqin, e cila ka të bëjë më teatrin dhe filmin. Çka synoni të arrini me të?

Jam njëra ndër themelueset e OJQ iACT në Ulqin dhe Festivalit të parë të filmit në ambient të hapur, Seanema Film Festival. Synimi ynë është që ta rikthejmë kinemanë në qytetin e Ulqinit.

A pajtoheni se poezia rrënjët i ka të hidhura, por frytin e ka të ëmbël?

E si të mos pajtohem, kur vetë kam qenë sa rrënja, sa fryti i saj.

Zhan Kokto thotë ‘poeti është gënjeshtari më i madh, i cili e thotë të vërtetën’?

Poeti thjesht është një luftëtar i përkushtuar i ndjenjës. Poetët gënjejnë vetëm kur nëpërmjet poezisë u duhet të mohojnë atë çfarë ndiejnë.

A do të presim edhe tituj të tjerë nga ju së shpejti?

Nuk dua të ngutem, mirëpo kësaj here do ndryshoj stil dhe nuk do paraqitem me poezi. Titulli i ri do jetë në Panairin jubilar të 20-të të librit në Prishtinë.

Ku gjendet poezia jonë sot?

Kemi shumë poetë të mirë që të rrëqethin kur i lexon. Kemi një të ardhme të mirë sa i përket poezisë.

Po si qëndron puna me lexuesit?

Lexuesit i kemi aristokratë dhe më vjen mirë që nuk lexojnë gjithçka. Zgjedhin kur është puna te leximi dhe shumë mirë bëjnë pasi që nuk pranojnë t’iu fyhen aftësitë intelektuale me gjithçka që plasohet si vlerë.

Si është ta njohësh nga afër botën poetike?

Ta njohësh nga afër botën poetike është sikur të jetosh edhe në ferr, dhe në parajsë në të njëjtën kohë.

Ju, sikur e ndiqni thënien ‘gjithçka ia vlen për të arritur atë që do’?

Absolutisht që po, gjithmonë dhe me çdo kusht për të arritur qëllimet, mirëpo duke mos lënduar askënd dhe duke mos ia zënë rrugën askujt.

A pajtoheni se çdo hap drejt kulturës është hap drejt lirisë?

Artistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi, sepse fjala dhe vepra e tyre arrijnë atje ku individi nuk mund të arrijë. Ne jemi të lirë të krijojmë art dhe ta plasojmë atë falë medieve masive kudo në botë edhe pa nevojën e një vize në pasaportë. Kjo është liria më e madhe.

Si e re, cila është jeta juaj në një kryeqytet, a keni kohë të lirë për ‘kënaqësitë’ e tjera?

Mundohem t’ia bëj qefin vetes me sa kam mundësi dhe kohë.

Çka lexoni kryesisht?

Lexoj çka mendoj se mund të më shërbejë në jetë. Paratë i shpenzoj më së shumti në libra, por nuk e llogaris si humbje, por si një investim për të ardhmen time.

Cili është zhanri i muzikës që dëgjoni?

Dëgjoj muzikë të mirëfilltë. Rrethin e shoqërisë e kam me shije të hollë muzikore dhe si të tillë, nuk më lënë të rrëshqas në atë çka konsiderohet e dëmshme për veshin. Muzika ime e preferuar përkon me vitet ’70, ‘80, ‘90, si ajo botërore dhe në trojet tona.

Si duket një ditë juaja? Keni shije për veshje, për ngjyrat, për ushqimin…?

Një ditë imja është shumë e zakonshme, nëse me të zakonshmen nënkuptojmë daljen nga shtëpia në 9 të mëngjesit dhe kthimin në orën 9 të mbrëmjes. Këtu përfshihen takime të ndryshme me bashkëpunëtorë, miq, orari i punës etj. Sa i përket veshjes nuk e kam me rëndësi se sa kushton diçka apo ku e blej, me rëndësi e kam që të dukem rehat. Sa i përket kuzhinës, jam shumë e mirë vetëm për të ngrënë, kurse për të përgatitur di vetëm pastat.

Dhe fare në fund, porosia juaj për moshataret tuaja.

Guxoni gjithmonë që të luftoni për ëndrrat tuaja. Nëse dikush ju thotë që nuk mund ta bëni, atëherë guxoni dyfish. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Në rastin

Në rastin "Kobra", babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit

Drejtësi
Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Evropa
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Lajme
Kalo në kategori