LAJMI I FUNDIT:

Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë

Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë

Të jesh mësimdhënës është një mision i shenjtë, i çmuar dhe i shtrenjtë. Jo rastësisht mësuesit gjithmonë moralisht janë respektuar nëpër mjediset ku kanë punuar. Ata përherë kanë dhënë maksimumin, sikurse thuhet janë shkrirë që të tjerët, ta kenë sa më mirë.

Një person që shkriu veten sikur qiriri për arsim, është edhe Fatmir Krasniqi, mësimdhënës në shkollën “Elena Gjika”, Prishtinë, i cili ende vazhdon të japë kontributin e tij për sa më shumë dituri.


Por, kush është në të vërtetë ky njeri që tërë jetën iu përkushtua arsimit pa u penduar, këtë lexojeni në intervistën në vijim.

Z. Fatmir, nuk thuhet kot se vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë. Sa është vlerësuar nëpër dekada puna e mësimdhënësit?

Është shumë e vërtetë kjo thënie për vlerën e peshën, punën e përkushtimin, si dhe misionin e shenjtë të mësuesit. Mësuesi, dikur vlerësohej e konsiderohej si qenie hyjnore e mitike, sa që ishte krijuar përshtypja, e bëheshin pyetje se athua ”a ha bukë mësuesi? ” Pra, në të kaluarën është çmuar e vlerësuar shumë mësuesi, sa që ai gëzonte respektin e autoritetin më të madh të kohës.

Ju, jo rastësisht e keni zgjedhur këtë profesion duke ditur se një mësimdhënës i mirë është sikur qiri, ai konsumon veten për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve…

Profesionin e mësuesit e kam ëndërruar që në moshën e adoleshencës, edhe sot vazhdoj ta dua me gjithë zemër e shpirt, e me dashurinë dhe përkushtimin më të madh. Vërtet, në përvojën time tridhjetë e shtatë vjeçare, sot ndjehem njëjtë sikur në fillim, dhe se asnjëherë nuk kam ndjerë lodhje në punën me nxënës, por vetëm kënaqësi, përjetime të rralla e kujtime të paharruara. Jam përpjekur e munduar me tërë qenien time, pa u ndalur ditë e natë, duke u dhënë e ofruar nxënësve mësim e dije, edukim e arsimim, e gjithmonë duke i këshilluar e udhëzuar në rrugën e tyre të gjatë e të mundimshme, por shumë të ndritshme drejt dritës e diturisë dhe pushtimit të majave më të larta të dijes.
Pra, askush nuk mund ta vlerësojë më drejt e me më sinqeritet mësimdhënësin e mirë, se sa vetë nxënësit.

A iu duket se megjithatë kjo gjuhë e bukur po shëmtohet dhe po shpërfytyrohet nga njerëz të papërgjegjshëm?

Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, që u ka qëndruar rrebesheve të kohës e që është ruajtur e kultivuar brez pas brezi nga të parët tanë si thesari më i çmuar. Shqipja, pra është një nga gjuhët më të bukura e më të lashta të Kontinentit.

Naim Frashëri thotë:

“Pa shihni ç’gjuhë e mire,
Sa shije ka dhe hije
Ç’e bukur edh’ e lirë,
Si gjuhë Perëndije.’

Ndërsa, Dritëro Agolli, shkruan:

“Me të tjera gjuhë e mund të flas
Por kur shpirti dhemb, veç shqip bërtas.”‘

Një kundërvënie për njerëzit e pandërgjegjshëm tingëllojnë dhimbshëm e ironizues vargjet e Filip Shirokës:

“Dhe kështu gjuha po shëmtohet
Dhe kështu kombi po mjerohet”

E poeti ynë i madh Gjergj Fishta, në disa nga vargjet e tij shpërthen me shumë mllef:

“Edhe atij iu thaftë, po, goja,
qi përbuzë këtë gjuhë hyjnore,
qi n’gjuhë t’huej kur s’asht nevoja
flet e t’veten e len mbas dore.”

Por, për fatin tonë të keq ironik për disa individë edhe sot janë aktuale vargjet e cituara më lart. Çdo respekt për çdo popull dhe gjuhën e tyre. Por, a ka më shëmti ndaj gjuhës tënde, kur disa individë të papërgjegjshëm e përshëndesin njëri-tjetrin në gjuhët arabe e sllave!

Gjuhën tonë të bukur shqipe duhet ta ruajmë, kultivojmë e përherë ta mbrojmë. Megjithatë, unë i nxis e motivoj gjeneratat e reja të mësojnë e zotërojnë sa më shumë gjuhë të huaja dhe t’i përdorin ato vetëm kur të është nevoja siç e thotë edhe Fishta duke mos e lënë asnjëherë pas dore Gjuhën shqipe. Pra, mos ta shpërdorojmë gjuhën tonë të shtrenjtë.

A e mbroni standardin e drejtshkrimit, apo mendoni se ka ardhur koha për një kongres, sepse sikur dihet, gjuha nuk është statike, por kërkon të plotësohet e begatohet në vijimësi?

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe mbajtur më 20-25 Nëntor të vitit 1972 në Tiranë, zë vend shumë të rëndësishëm në historikun e unifikimit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pra, një komb, një gjuhë letrare, një drejtshkrim.

Është shumë e vërtetë se gjuha gjithmonë mund të plotësohet e begatohet me fjalë e shprehje të reja.

Dihet se jo vetëm gjuha jonë, por edhe shumë gjuhë të tjera kanë dialektet e nëndialektet, por e ruajnë, e kultivojnë dhe me përpikëri e zbatojnë gjuhën e tyre standarde. Andaj, edhe ne duhet ta zbatojmë e respektojmë gjuhën standarde.

Pra, të dy Kuvendet, i Shqipërisë dhe i Kosovës ta miratojnë ligjin për mbrojtjen e gjuhës standarde, që është thesari i kombit tonë. Sot, për fatin tonë jo të mirë ndeshim kudo në mbishkrime të dyqaneve, ndërmarrjeve e reklamave të ndryshme në gjuhë të huaja, e më së paku në shqipen tonë. E të mos flasim për pagëzimin e fëmijëve me emra të huaj e nganjëherë edhe pa kuptim. Kur dihet se me mijëra emra kemi mbi bazën e ilirishtes, dhe emra me plot kuptim e të bukur shqip. Viteve të fundit, ky është një fenomen shumë brengosës.

Si ishte rrugëtimi juaj i parë dhe si u ndjetë kur u gjendët me ditar në duar?

Eh, është një rrugë shumë e gjatë e dëshirës për lexim e dije, për mësim e shkollim, rrugë e ndritshme, kur leximi e mësimi të shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Dhe, të them të vërtetën që nga klasa e katërt e fillores, libri për mua u bë shoku më i dashur, më i ngushtë, e më i mirë imi. Leximi i librit për mua u bë pasion, ashtu siç u bë edhe profesioni im i mësimdhënësit.

Derisa moshatarët e mi luanin lojëra të ndryshme në fushat, luadhet e malet e bukura të Tërpezës, vendlindjes sime të dashur e shumë të bukur, unë më shumë isha i dhënë pas leximit. Lojërat baritore që ata i luanin nuk më tërhiqnin fare. Më vonë, kuptohet fillova të luaj, por loja që më pëlqente më shumë isha loja me top këmbe (futboll) dhe ajo me top dore (volejboll). Po ashtu në atë kohë i vetmi unë kisha pasion vrapimin, dhe pasdite e nganjëherë edhe në orët e hershme të mëngjesit vrapoja drejt shtigjeve të bukura të vargmaleve të Berishës.

Për dashurinë ndaj librit dhe pasionit e kënaqësisë për të lexuar sa më shumë libra që nga fëmijëria ime e hershme meritat më të mëdha kanë babai im, ndjestë pastë Haziri, punëtor i shkollës dhe dashamirës i flaktë i arsimit, si dhe djali i axhës Bajrami, atëherë normalist i dalluar, madje jurist, aktor e artist, dhe avokat e veprimtar shumë i njohur.

Pra, që në atë kohë isha i rrethuar me libra dhe u rrita me libra. Gjatë asaj kohe i kam lexuar librat e Gurakuqit, Kristoforidhit, Frashërit, Migjenit, Çajupit, Krasniqit, Çettës.

Njohuritë e thella për gjuhën, i mora nga mësuesi im i dashur i Gjuhës shqipe, Salih Krasniqi, një mësues shumë i dalluar, tani veteran i arsimit, shkrimtar, publicist dhe mbledhës i shquar i folklorit.

Më kujtohet fort mirë dita e parë e punës me ditar në duar si arsimtar, apo më mirë tingëllon emri mësues i Gjuhës shqipe në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, të Tërpezës, ishte shtator i vitit 1981. Për mua ishte një ndjesi e rrallë dhe e papërshkruar që mu krijua mundësia dhe pata fatin të punoj në shkollën, ku i kisha marrë mësimet e para, e ku mësuesit e mi ma kishin shtuar dashurinë për gjuhën e atdheun, lashtësinë e historinë e kombit tonë, mësimet dhe shkathtësitë për jetën. Me disa prej tyre që atë ditë u bëmë edhe shokë të profesionit. Përzemërsisht më pritën dhe fuqishëm më mbështetën ish arsimtarët e mi shumë të nderuar, Faiku, Dauti, Habibi, Xhevdeti, si dhe mësuesit e dashur Ismaili, Milazimi, Murat Z., Murat H. dhe shoku im i çmuar Halili.

Por, ende e kam të freskët dhe kurrë nuk do ta harroj takimin e parë dhe njohjen me nxënësit dhe përshëndetjen e ëmbël e buzëqeshjen e çiltër të tyre. Buzëqeshja shkëlqente në fytyrat e tyre, e kjo buzëqeshje ëngjëllore e nxënësve po më përcjell e shoqëron edhe sot.

A e ndani mendimin, se më herët, kureshtja për zënien e dijes ka qenë më e theksuar qoftë nga nxënës, qoftë me kërkesat e arsimtarëve, për të mos thënë që, keni patur kritere më të ashpra?

Çdo gjeneratë i ka të veçantat e veta, por ka edhe gjenerata nxënësish që konsiderohen si gjenerata të arta e me nxënës të artë që sot po shkëlqejnë në të gjitha fushat e jetës. Nxënësit, në të kaluarën përkundër vështirësive gjithmonë ishin kurreshtarë për të mësuar e zënë dije sa më shumë.

Për fat në vitet e 80-ta e të 90-ta nxënësit talentë më pak kanë patur mundësi ta shfaqin e afirmojnë talentin e tyre, për dallim nga moshatarët e tyre sot. Por, edhe atëherë është punuar shumë. Kërkesat e këshillat e arsimtarëve për nxënësit gjithmonë mbeten të njëjta, pavarësisht viteve, ndërsa raportet e arsimtarëve me nxënësit, më herët ishin pak sa më në distancë, pra jo edhe aq të afërta siç janë sot.

Sa i përket kritereve është temë e thellë e çështje në vete për t’u hulumtuar, shqyrtuar, diskutuar e studiuar, edhe sot. Po, ka patur nga disa arsimtarë, e ka edhe sot që përdorin kritere të ashpra. Asnjë mësimdhënës, e as unë nuk është i përkryer në kriteret, cilësimin e vlerësimin e njohurive të nxënësve.

Gabon shumë ai mësimdhënës nëse mendon se është i përkryer në vlerësimin e nxënësve. Dija e nxënësve e talenti i tyre është mbi të gjitha, ndërsa nota është dhe mbetet vetëm numër.

Mësimdhënësi, thuhet sikur prekë përjetësinë, pra mund të thuhet se ndikimi i tij është shumë më i madh. A varet nga vetë personi që të ketë një autoritet në mjedisin ku punon dhe si fitohet ky autoritet?

Në këtë pyetje nga përvoja ime shumëvjeçare në arsim mund të jap përgjigje shumë të gjerë. Së pari po e citoj Tolstoin, ku thotë: “Po të jetë se mësuesi do vetëm punën, ai është mësues i mirë. Po të jetë se mësuesi do nxënësin mu si nëna e i ati, ai është më i mirë nga ç’është mësuesi që ka lexuar të gjitha librat, po as do punën, as do nxënësit. Kur mësuesi lidh dashurinë për punën me dashurinë për nxënësit – ai është mësues i përkryer.”

Pra, mendimi juaj është shumë i qëlluar se vërtet mësimdhënësi mund të prekë përjetësinë dhe se ndikimi i tij është shumë i madh, por për këtë, për mësimdhënësin është një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, e me plot përballje e të papritura, me durim e përkushtim, me dije profesionale e arsimim, e veçmas edhe me edukim e motivim me shembullin e tij personal.

Personalisht, jam munduar që gjithmonë në edukimin e disiplinën e nxënësve, si dhe gjatë zgjidhjes së një problemi me një nxënës, të përdor qasje pozitive përherë duke u përpjekur t’u shmangem dënimeve, qortimeve dhe paragjykimeve. Jam munduar që nxënësit të mos i lëndoj asnjëherë me fjalë e shprehje të fjalorit lëndues që i godet e i thyen emocionalisht e shpirtërisht. Masa ndëshkuese, psikologjike e frikësuese, jam munduar të jem shumë i kujdesshëm, të mos përdor ndaj nxënësve. Për këtë, edhe studimet shkencore në fushën e arsimit e dëshmojnë se me nxënës duhet sa më shumë të përdoren qasje pozitive për mbikëqyrje të çfarëdo situate me ta. Po ashtu konsideroj shumë të rëndësishme edukim shëndetësor e veçanërisht shëndetin mendor të nxënësve.

Unë, mendoj se çdo sukses i nxënësit duhet të shikohet si meritë e mësuesit, dhe çdo mossukses i nxënësit duhet të shihet si dështim i mësuesit. Mësuesit duhet të bëjnë përpjekje që të nxjerrin më të mirën nga nxënësit e tyre. Pra, autoriteti fitohet me punë, përkushtim, me pasion për profesionin, durim, çiltërsi e sinqeritet, dashuri e respekt. Kur punon dhe i do nxënësit me gjithë zemër e shpirt, kur përherë u dhuron buzëqeshje e dashuri, ngrohtësi e kënaqësi, mbështetje e afërsi. Kur ke bashkëpunim të përhershëm e të sinqertë me prindër, me mësuesin e nxënësve si kujdestar klase, edhe kur në kolektivin ku punon bashkëpunon me profesionalizëm, e ku të gjithë i nderon, e i çmon si motra e vëllezër, si vajza e mbesa më të shtrenjta.

Të jesh mësimdhënës është nder e kënaqësi, por edhe përgjegjësi e madhe. Se nuk është aq lehtë të punosh, mësosh e edukosh një nxënës?

Se, mësimdhënësi e ndërton edhe personalitetin e nxënësit në moshën më të ndjeshme të tij. Pra, mësuesi duhet të jetë shumë i kujdesshëm që të mos e rrënojë personalitetin e nxënësit.

Ju keni nxjerrë shumë gjenerata që, gjithsesi emrat e tyre ju bëjnë krenar. Na flitni pak për ta. Por, a pajtoheni me vlerësimin se mësuesi është gjithmonë mësues dhe nxënësi gjithmonë nxënës?

Ndjehem shumë i lumtur e krenar jo vetëm me nxënësit e Tërpezës, por edhe me nxënësit e mi të Prishtinës. Nga shkolla e Tërpezës kanë dalë nxënës të dalluar, që sot janë shumë aktivë dhe të njohur në të gjitha fushat e jetës; si në arsim, kulturë, ekonomi, drejtësi, shkencë e profesione të ndryshme.

Po përmend disa nga ish nxënësit e shkollës së vendlindjes sime, me të cilët krenohem shumë: Shyqyri Bytyçi (tani Ministër i Arsimit), Ajete Zogaj, (arsimtare, gazetare e publiciste e dalluar), Xhavit Zogaj (Doktor i Mikrobiologjisë në Teksas të SHBA), Afërdita Bytyçi (gjykatëse e njohur), Afrim Berisha (Mr. i Biologjisë, poet), Drita Krasniqi (muziciente), Motrat Servete e Sahadete (arsimtare), Sahadetja (tani edhe drejtoreshë), Gazmend Krasniqi (arsimtar), Naser Krasniqi (profesor), Emine Krasniqi (drejtoreshë), Pleurat Krasniqi (inxhinier), Dukagjin Krasniqi (inxhinier), Sylejman Bytyçi (dëshmor), si dhe disa ish nxënës, luftëtarë të dalluar të UÇK-së Arsim F. Krasniqi, Naxhi Krasniqi, Agron Krasniqi, e shumë të tjerë në pamundësi për t’i përmendur të gjithë duke i nderuar deri në përjetësi për luftën mbrojtëse dhe heroizmin.

Edhe në fshatra ka nxënës të zgjuar e talentë të rrallë, por në të shumtën e rasteve në pamundësi për të shprehur atë, talenti i tyre shuhet.

Ndërsa në shkollën time nxënësit e zgjuar e talent e kanë mundësinë që ta shprehin e dëshmojnë atë, qoftë në kuadër të veprimtarive të lira të shkollës, në emisione të ndryshme televizive, në radio, në revista, në festivale, në teatër dhe në gara e prezantime të ndryshme. Shkolla “Elena Gjika” e Prishtinës është vatër e burim i pashtershëm i nxënësve të dalluar në mësim dhe i shumë talentëve që sot e nderojnë jo vetëm shkollën, por edhe kombin në përgjithësi, e Kosovën. Po përmend vetëm disa prej tyre, duke iu kërkuar falje edhe shumë të tjerëve në pamundësi për t’i përmendur të gjithë. Qëndrim Gashi, doktori më i ri i shkencave të Matematikës, ligjërues në shumë Universitete të njohura botërore, tani ambasador i Kosovës në Francë. Pëllumb Kelmendi, doktor i shkencave dhe profesor i njohur në Amerikë, Ema Uka (aktore), Fiona Gllavica (aktore), Filloreta Raçi- Fifi (aktore, regjisore e këngëtare e dalluar), Edon Bërveniku (aktor), Ilirianë Blakaj, Nerënxa Jakupi, Leonitë Luzha, Nderim Salihaj, Albulenë Sylaj, Merita Marteti, Dardan Selimaj, Ardije Kelmendi, Lavdim Zylfiu, Qëndrim Sopi, Nita Deda, Rezetë Veliu, Fjollëza Neziri, Fjolla Preniqi.

Me vlerësimin tuaj se mësuesi është gjithmonë mësues dhe nxënësi gjithmonë nxënës, pajtohem, por nganjëherë është mirë të ndërrohen rolet.

Gjatë përvojës suaj si mësimdhënës, sigurisht se jeni përballur me situata të ndryshme. Ju lutem, a mund të na tregoni ndonjë moment mbresëlënës dhe të paharruar gjatë punës suaj në arsim?

Në përvojën time shumëvjeçare në arsim kam përjetuar shumë momente të paharruara e mbresëlënëse, por për shkak të natyrës së shkrimit, do t’i veçoj dy momente më dramatike e më emocionale, shumë të ndjeshme e me përgjegjësi të madhe. Pra, profesioni i mësimdhënësit aq sa është krenar, është edhe i ndjeshëm, aq sa është i suksesshëm është edhe i përgjegjshëm.

Po ua rrëfej një përvojë të jetës sime, që edhe sot kur e kujtoj më shkakton emocion e ndjesi, por edhe lehtësim shpirtëror e krenari.

E mërkurë, 16.5.2001. Ekskursion nëpër Kosovë, me nxënësit e kl. të VII-ta dhe të VIII-ta të Shkollës “Elena Gjika”, të Prishtinës. Me t’u kthyer nga Peja e Gjakova, rreth orës 14:20, u ndalëm te Ura e Fshejtë. Dhe, disa nga nxënësit e kl. VII-3 me vrap e shpejtësi si rrufeja ishin hedhur në lumë për të notuar, meqë moti atë ditë ishte i ngrohtë. Unë, së bashku me kujdestarin e tyre, shokun tim të çmuar e historianin e shquar Frashër Demaj, menjëherë shkuam pas tyre dhe për t’u gjetur pranë tyre. Ata nxënës dinin fort mirë të notonin dhe po kënaqeshin, kur papritmas po vjen drejt meje një nxënëse e klasës sime duke me thënë së në anën tjetër të lumit ka hyrë i vetëm për të notuar nxënësi A.Z, një nxënës shembullor dhe i shkëlqyeshëm në mësime, por si adoleshent që ishte duke u mburrur se di të notojë, e po ashtu duke u nxitur nga disa shoqe të klasës, hidhet pa ditur notin në lumë, dhe valët e Drinit e rrëmbyen dhe e morën me vete, për pak drejt përmbytjes, por fal reagimit tim të shpejtë pa u hamendur fare e pa i zbathur atletet kërceva në lumë, e sikur valët e Drinit bënin garë me mua dhe nxitonin të dalldisura e të dallgëzuara me nxënësin A.Z në drejtim të Shqipërisë. Zëri i A. ” O, kujdestar u mbyta”, ishte zë e klithmë trishtuese e shteruese për mua, në ato çaste të rënda dramatike, dhe fal qetësisë shpirtërore e forcës e shpejtësisë së papërshkruar, dhe në sekondat e fundit diku në një largësi mbi 100m arrita ta nxjerr e ta shpëtoj nga valët e lumit Dri, edhe pse ai, e po ashtu edhe unë ishim ,,ngopur” së piri me ujët e lumit.

Fati ynë i përbashkët ishte që isha pranë nxënësve në ato çaste, por edhe që jam notues i mirë, në ato momente të rënda isha edhe në rolin e zhytësit, por jo si zhytësi e heroi i gjallë i zhytjes, Ismail Kosumi. E kthimi deri te bregu i lumit ishte shumë i gjatë, i mundimshëm e me vështirësi të theksuara, se në çastet e fundit para se të përmbytej nxënësi A. bëra disa rrotullime dhe mezi arrita ta shtrëngoj shumë në një pjesë të trupit, ku ishte pa ndjenja, e madje me njërën dorë e mbaja kokën e tij lart, e me tjetrën notoja derisa mbërrimë në breg, më dukej shumë i lehtë edhe pse me trup gati ishte sa unë. Në breg të lumit ishin të mpirë e të stepur të gjithë pa frymë si nxënësit, ashtu edhe mësimdhënësit.

Nga përvoja ime po e shpalos edhe një moment tjetër po ashtu të ndjeshëm dhe të paharruar.

Mësimdhënësit duhet të jenë nganjëherë më të kujdesshëm në vlerësimin e njohurive të nxënësve me notë, se nota është numër, e dija është mbi të gjitha. Të rrallë janë ata nxënës që i mësojnë e u pëlqejnë të gjitha lëndët mësimore. Secili nxënës ka në brendësinë e vet talentin, për të cilin nëse nuk ka mbështetje, atë edhe nuk mund ta shpreh.

Një nxënës i talentuar i kl. VIII-të, në një fushë të caktuar, që sot është emër i njohur e shumë publik i asaj fushe, e që ka mbaruar edhe fakultetin, në momentin kur brenda një dite në prag të përfundimit të vitit shkollor, i mbyllen dy nota të dobëta në dy orët e para mësimore, nga stresi e shqetësimi i madh tenton të kërcejë pa ndjenja nga kati i dytë. Njëra nga arsimtaret më thërret dhe kërkon ndihmë nga unë. Shkova shpejt e hyra në klasë, ndërsa ai ishte jashtë në cepin e mbajtjes së dritares. Iu afrova me shumë kujdes, me këshilla e lutje, por ai në ato momente ishte i pavetëdijshëm për veprimin që po merrte, dhe ishte i vendosur dhe nuk donte të bashkëbisedojë as me mua, edhe pse më parë kishte dhe shprehte një respekt e dashuri për mua, por as që prisja nga ai, kur më tha që të mos i afrohem, se sot nuk e do më askë! Atëherë, iu drejtova se nëse nuk më dëgjon e nuk ma zgjat dorën, po kërcejmë të dy bashkë! – Joooo, arsimtar pse edhe ti?!… Në atë moment ma zgjati dorën! Për mua ishte edhe rrëqethëse zëri e lutja e disa shoqeve te klasës që kishin dalur në një kënd të oborrit të shkollës duke kërkuar nga ai që të kthehet në klasë, apo edhe nga më e keqja shpresonin se nëse kërcen mund t’i ndihmonin duke e pritur në duart e tyre!… E, këtë moment e veprim, të gjithë ata që e lexojnë, e sidomos mësimdhënësit, vetë le ta vlerësojnë e mendojnë…

Ju jeni aktiv në shumë sfera, madje keni iniciuar prej kohësh bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shkollore të Kosovës dhe Shqipërisë. Cila është dobia e këtyre takimeve dhe cilat janë rezultatet?

Që kur kam filluar punën si mësimdhënës me ditar në dorë, vazhdimisht, me përkushtim dhe dashurinë më të madhe kam punuar me kënaqësi e pa u ndalur asnjëherë deri më sot me nxënësit e zgjuar e talentë duke i zbuluar, mbështetur e përkrahur, qoftë në shkrimin e hartimeve (eseve), vjershave, apo në recitim, pjesë teatrale, shfaqje dramatike, monologë, e në shumë gara të ndryshme të diturisë në nivelin komunal e më gjerë.

Shkrimet e krijimet e tyre janë publikuar dhe vazhdojnë të publikohen nëpër faqet e revistave të ndryshme letrare për fëmijë, shumë përurime të librave të shkruara nga nxënësit talentë.

Po ashtu, nxënësit talentë me të cilët kam punuar kanë qenë prezentë pothuajse në të gjitha emisionet tona televizive për fëmijë duke shkëlqyer përherë. Pra, jam përpjekur që talentët e rinj dhe të zgjuar jo vetëm t’i mbështes, por edhe t’i afirmoj. Se, shumë nxënës talentë nëse nuk kanë mundësi që ta shfaqin talentin e tyre, e nëse nuk mbështeten fuqishëm, talenti i tyre shuhet ende pa e shfaqur.

Po, e veçoj edhe idenë për krijimin dhe themelimin e Emisionit më të shikuar dhe me jetëgjatë televiziv të fëmijëve në RTK “1, 2, 3 Fillo” ku në shkollën tonë, autori i emisionit, së bashku me mua, Shqipe Halilin dhe Greta Kaçinarin drejtoreshën e veçantë e të rrallë, dhe më të suksesshme të shkollës sonë, biseduam dhe bashkëpunuam sinqerisht për jetësimin e kësaj ideje, që sot është një emision i rrallë edukativo-arsimor me një shikueshmëri e interesim jashtëzakonisht të madh.

Një rrugëtim i gjatë e me peripeci, por edhe një bashkëpunim shumë i suksesshëm e me një përvojë të pasur e të rrallë jetësore. Për mua, nxënësit dhe mësimdhënësit që kanë bashkëpunuar me Shqipërinë janë momentet më mbresëlënëse e të paharruara për jetë. U krijua një urë e fortë e ngritur vëllazërore.

Për herë nxënësit e SHM të Përgjithshme “Andon Zako Çajupi”, të Tiranës, së bashku me shkollën tonë, si dhe të rinjtë nga Free Youth Club Vidin nga Bullgaria, shfaqëm legjendën shqiptare në Teatrin Ballkanik “Kush e solli Doruntinën”, më, 30 maj 2006, në orën 17:30 në Sallën e Kinemasë së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, në Tiranë, ku në rolin kryesor të Doruntinës, u dallua dhe mori duartrokitje të zjarrta e të pandërprera nxënësja e shkollës sonë, që atëherë ishte në kl- e VIII-të Fiona Gllavica, tani aktore e dalluar dhe shumë e dashur. Ishte shfaqja e parë e përbashkët dhe bashkëpunimi i parë i nxënësve të shkollës sonë me nxënësit e Tiranës. Koordinatorë të këtij projekti dhe të kësaj shfaqje të parë ishin Ina Kasimati, profesoreshë e Gjimnazit, “Andon Zako Çajupi”, nga Tirana, Ardita Repishti, dhe unë së bashku me Lindita Loshin, një aktiviste e re e palodhshme dhe drejtoreshë e Qendrës Rinore të Prishtinës. E njëjta shfaqje, më 23 shtator 2006, u realizua dhe u shfaq edhe në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.

Më 23 shtator 2006 në Teatrin Kombëtar, u dha shfaqja e përbashkët “Kush e solli Doruntinën”.

Më 19 Mars 2007, në Prishtinë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, organizuar nga shkolla jonë së bashku me Qendrën Kombëtare Kulturore të Fëmijëve të Tiranës, me drejtoreshën dhe miken e shkollës sonë Ardita Repishti, kompozitorin shumë të çmuar Agim Rreza, Xhavit Ujkani etj. dhe përfaqësues të TVSH së bashku me drejtorin e shkollës Osman Vitia, nëndrejtoreshën Shpresa Gashi, sekretarin Nazif Bicku dhe arsimtarët Fatmir Krasniqi dhe Arstina Kadiu u realizua për herë të parë në nivel të Kosovës “Festivali i Zërave të Rinj” ku u zgjodhën nxënësit tanë që të përfaqësojnë Kosovën në “Festivalin e Zërave të Rinj”, që do të mbahej në Tiranë, për festat e nëntorit.

27 Mars 2007 në Tiranë (Binjakëzimi i shkollës sonë) pritje që do të mbahet në mend për jetë më shkollën nëntëvjeçare “Niket Dardani” Tiranë.

Prej 23-29 prill, Tiranë, nxënësit e shkollës sonë me arsimtarët Fatmir Krasniqi e Isuf Pirraku së bashku me nxënës të shkollës së mesme e gjimnazi “Abdyl Frashëri” nga Malisheva dhe me sekretarin Milaim Mazreku. Emrat e nxënësve: Rexhep Rama, Arbërie Pacolli, Rita Ismajli, Endrit Maxhuni, e përfaqësuan Kosovën në javën Ndërkombëtare të Sigurisë Rrugore në Tiranë, “Fëmijë dhe të rinjtë të sigurt në rrugë të sigurta”. Nxënësit tanë së bashku me arsimtarët ishin mysafirë të shkollës së binjakëzuar “Niket Dardani” të Tiranës. Nxënësit tanë qëndruan dhe u strehuan në familjet shumë bujare të nxënësve të Tiranës, fal angazhimit dhe mikëpritjes së përzemërt të Liri Shkëmbit, drejtoreshë e shkollës “Niket Dardani” të Tiranës. Ajo me pritjen e ngrohtë dhe shumë të përzemërt që kishte organizuar për ne, tha se gjatë këtyre ditëve, sa do të qëndrojnë nxënësit e “Elena Gjikës”, janë tanët dhe unë personalisht do të kujdesem për ta. Nxënësit dhe arsimtarët e shkollës sonë u prezantuan në orët mësimore dhe në aktivitetet e përbashkëta me nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “Niket Dardani” të Tiranës.

Në Konkursin e Sigurisë Rrugore që u organizua në Tiranë, prej datës 23-29 2007, nxënësit tanë treguan sukses të dalluar, dhe në finale u përballën me nxënësit e shkollës së binjakëzuar “Niket Dardani”, të Tiranës. Pas një konkurence shumë të fortë nxënësit tanë ndanë vendin e parë së bashku me nxënësit e shkollës “Niket Dardani”. (Koordinatore e këtij aktiviteti ishte Ina Kasimati, profesoreshë e SH.M. “A. Z. Çajupi”, në Tiranë).

Edhe nxënësit e Gjimnazit “Abdyl Frashëri”, të Malishevës u paraqitën me shumë sukses në Konkursin e Sigurisë Rrugore me ç’rast e zunë vendin e dytë.

Më 9 Maj, 2007 në Tiranë, me rastin e Ditës së Evropës, shkollën tonë e përfaqesuan: Vjosa Preniqi me këngë, Iliriana Blaka me ese, Vesa Gashi, Vesa Krasniqi, Viona Raifi me pikë baleti.

Një pritje e përzemërt dhe shumë e ngrohtë nga Kozeta Noti e Ardita Repishti.

Më 30 Shtator 2007, nxënësit e shkollës së mesme “A.Z. Çajupi” nga Tirana së bashku me Ina Kasimatin, prof. Gjergj Mema regjisor, me nxënësit e shkollës sonë “Elena Gjika” dhe Fatmir Krasinqi mësimdhënës, bashkarisht dhanë shfaqjen “Mashtrimi” në Teatrin Dodona. (Shfaqja u prit me interesim të jashtëzakonshëm dhe me duartrokitje të gjata). (Meriton respekt dhe falenderim menaxheri I Teatrit Dodona Valdet Rama).

Më 26 shtator 2007, një delegacion nxënësish nga Gjirokastra e Tirana, të shoqëruar nga Gentian Hyka dhe Ina Kasimati qëndruan në një vizitë me karakter bashkëpunimi me shkollën tonë.

Më 17 Nëntor 2007, Prishtinë, shkolla jonë bashkë me arsimtarët Fatmir Krasniqi e Arstina Kadiu organizuan “ Festivalin e Zërave të Rinj”, “ Edicioni i Prishtinës” që do ta përfaqësoj Kosovën në “Festivalin Mbarëkombëtarë të Zërave të Rinj” që do të mbahet në finale e madhe në Tiranë, me rastin e festave të nëntorit.

Festivali u organizua në Teatrin “Dodona” ku nga Tirana morën pjesë Ardita Repshiti, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve të Tiranës, Agim Rrëza, profesor dhe kompozitor i nderuar nga Tirana, njëherësh edhe kryetar jurie për përzgjedhjen e nxënësve të shkollës sonë për në finale të madhe të Tiranës, edhe një grup nxënësish nga Tirana, së bashku me mësuesen e baletit Frida. (Ishte një program i organizuar në nivel artistik).

U zgjodhën edhe tri nxënëse të shkollës sonë në një konkurencë shumë të fortë, që do ta përfaqësoj Kosovën në Festivalin Mbarëkombëtarë të Zërave të Rinj në Tiranë.

Më 25,26,27 nëntor 2007, Tiranë, tri nxënëset e shkollës sonë Bleranda Çitaku, Alina Ahmeti dhe Elsa Çitaku, së bashku me arsimtarin Fatmir Krasniqi, e përfaqësuan shkollën dhe Kosovën në Festivalin Mbarëkombëtarë të Zërave të Rinj, në Tiranë, me 27 nëntor 2007, në Sallën e Akademisë së Arteve.

Nxënësja e shkollës sonë, Bleranda Çitaku, zuri vendin e dytë me këngën “NinaNana”. (Kryetar i Jurisë ishte tenori e këngëtari i mirënjohur Kastriot Tusha).

Më 02.05.2008, Prishinë. Në Teatrin “Dodona”. Programi i veçantë dhe shumë i rrallë artistik i nxënësve të shkollës sonë, nën drejtimin e arsimtarit Fatmir Krasniqi, për nder të mësimdhënësve të shkollës së binjakëzuar, shkollës nëntë vjeçare “Niket Dardani” nga Tirana.

Në shtator, tetor, nëntor, aktivitete të përbashkëta me Qendrën Rinore të Prishtinës me aktivisten Linda Loshi dhe shfaqje të përbashkëta me nxënësit e Gjimnazit “Andon Zako Çajupi” të Tiranës dhe të Gjirokastrës.

Më 2 dhjetor 2008, në Gjirokastër qëndruan një grup nxënësish të shkollës sonë dhe të gjimnazit të Malishevës, me rastin e 100 vjetorit të Gjimnazit “Asim Zeneli”. Nga mësimdhënësit ishin ish-drejtori i shkollës Osman Vitia, arsimtarët Demë Cukaj dhe Fatmir Krasniqi.

Nxënësja Filloreta Raçi (Këngëtare, e njohur me nofkën FIFI), u paraqit me monologun e plakës Nicë të Ismail Kadare dhe ngriti në këmbë publikun gjirokastrit, ndërsa valltarët Agur Shala, Genta Deva (Magjistre në Arkitekturë) dhe Fiona Gllavica(Aktore) me potpuri vallesh popullore e dridhën skenën e Gjirokastrës.

Më 6 maj 2009, një grup nxënësish nga Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve të Tiranës së bashku me drejtoreshën Ardita Rapishti ishin mysafirë të shkollës sonë.

Më 9 maj 2010, me rastin e Ditës së Evropës, një grup nxënësish dhe arsimtarësh qëndruan në Tiranë, ku arsimtarja Miradie Qehaja u prezantua së bashku me nxënës me punime dore shumë të veçanta e të rralla në ekspozitën e hapur në ambientet e hotelit “Rogner”.

Më 30-31 tetor 2016, në Muzeun Kombëtarë të Tiranës, Recitali “Në Krahët e Shpendit”, përgatitur nga nxënësit: Melos Kuqi, Yllka Gashi, Zara Gjakova, Vlera Hoxhaj, Gert Nita, Dora Abdullahaj, Oriola Zariqi si dhe arsimtarët Fatmir Krasniqi dhe Lule Llalloshi.

Po atë ditë, në ambientet e kryeministrisë së Shqipërisë organizuar nga COD u hap edhe një ekspozitë e rrallë dhe e vecantë, ku një punim punuar nga arsimtarja Miradie Qehaja dhe një grup nxënësish iu dorëzua personalisht kryeminstrit të Shqipërisë Edi Rama.

Më 23 maj 2018 në kryeministrinë e Shqipërisë, nxënësit Elbion Redenica dhe Melos Kuqi prezantuan aplikacionin “Scanderbeg” me rastin e 550 vjetorit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Po ashtu, nxënësit u paraqitën edhe me një program të shkurtër e simpatik kulturo-artistik me një recitim nga nxënësja Rita Shala, dy ese nga Eliza Gjoshi dhe Lisa Sahatciu.

Gjithashtu, nxënëset Elda Osmani, Driola Krasniqi dhe Shkurte Selmani, punim e përgatitur me letra të rrotullara të portretit të Skënderbeut, ia dorëzuan Edi Ramës.

Më 13 qershor 2018 nxënësit Elbion Redenica dhe Melos Kuqi, së bashku me arsimtarin Fatmir Krasniqi ishin mysafirë në TVSH – Mirëmëngjesi Shqipëri.

550 Vjet. Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit- Skëndërbeut

12 Vjet Bashkëpunim e veprimtari Mbarëkombëtare të shkollës “Elena Gjika” me shkollat e Shqipërisë

Më 9 Nëntor të këtij viti, në Teatrin “Dodona”, shfaqëm një Program festiv të rrallë kulturo-artistik, në kuadër të Vitit të Gjergjit, pra me rastin e 550-Vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, Heroit Kombëtar të Shqipërisë, si dhe 12-Vjetorit të bashkëpunimit të shkollës sonë me Shqipërinë në aspektin arsimor, kulturor, artistik, social dhe edukativ. Pra, në këtë vit të madh jubilar u kurorëzua edhe bashkëpunimi dymbëdhjetëvjeçar i shkollës sonë me Shqipërinë. Një simbolikë tjetër që lidhet me 25 betejat e Skënderbeut, por edhe 25 veprimtari të bujshme të shkollës sonë me Shqipërinë.

A pajtoheni me thënien se edhe 100 herë të lindja, prapë këtë profesion do të zgjidhja?

Pajtohem plotësisht me thënien, se edhe 100 herë të lindja, prapë këtë profesion do ta zgjidhja.

Mësimdhënësit përherë kanë qenë të përndjekur nga regjimet e huaja apo totalitare. Kështu ka ndodhur me persekutimin e shumë dijetarëve që nga themeluesi i shkollës së parë shqipe në Korçë, Pandeli Sotiri, Motrat Qiriazi, e deri te mësuesi kuksian Havzi Nela, pastaj Fazli Grajçevci, Rexhep Elmazi, etj.

Shqiptarët gjatë gjithë jetës së tyre dhe përpjekjeve të shumta shekullore për liri e pavarësi, ishin të etshëm edhe për dritë e dituri, arsimim e shkollim.

E, historikisht mësuesit ishin gjithmonë prijës të proceseve, por edhe ishin ata që u përballen me regjimet e huaja pushtuese, shtypëse e totalitare.

Mësuesit ishin të përndjekur gjatë shekujve dhe se konsideroheshin të rrezikshëm për pushtuesit e shumtë të trojeve e atdheut tonë. Përpjekjet dhe lufta titanike për hapjen e shkollave shqipe dhe për të mësuarit shqip datojnë shumë më herët.

Më 7 mars 1887 u hap Shkolla e Parë Shqipe në Korçë. 7 marsi – Dita e Mësuesit filloi të festohet që nga viti 1960.

Dihet, se pa gjuhë të shkruar e pa kulturë s’ka çlirim, as përparim. Personalitetet e shquara të kombit, atdhetarët, veprimtarët e mësuesit ishin të vetëdijshëm se për kombin, rruga e dritës dhe e diturisë është mbi të gjitha. Puna, mundi, ëndrra e dëshira e tyre u realizua e u jetësua, por me shumë vuajtje e flijime tejet të mëdha.

U helmua rilindësi ynë i parë Naum Veçilhargji, u dogjën dorëshkrimet e dhaskalët (mësuesit) të parë Todhrit, u burgos Nuçi Naçi, u rrah e u keqtrajtua Koto Hoxhi, u vra Pandeli Sotiri, u ndoq, u keqtrajtua e u helmua Petro Nini Luarasi, u masakrua barbarisht Papo Kristo Negovani. Po ashtu u vra Gjeçovi, Fazli Grajçevci, Havzi Nela, Rexhep Elmazi, e shumë mësues e veprimtarë të tjerë, si dhe Shaban Jashari, babai i heronjve të popullit, komandantët legjendar Adem Jashari, dhe heroit Hamëz Jashari, që kishte punuar si mësues në vitet 1949-1952.

Cili është roli i Kongresit të Alfabetit, mbajtur në Manastir nga kokat më të ndritura të gjuhësisë shqiptare dhe sa përçohet fryma e atij Kongresi?

Një nga ngjarjet më të shënuara në historikun e shkrimit të Gjuhës shqipe është Kongresi i unifikimit të alfabetit të Gjuhës shqipe që i zhvilloi punimet, më 14-22 Nëntor të vitit 1908 në Manastir.

Deri në Kongresin e ABC-së për shkrimin e Gjuhës shqipe u përdorën alfabete të ndryshme. Atdhetarët dhe veprimtarët e shquar shqiptarë që punuan pa u ndalur e pa u lodhur për krijimin e alfabetit unik të Gjuhës shqipe dallohen: Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Jeronim de Rada, Hasan Tasini, Sami Frashëri, Vaso Pashë Shkodrani, Zef Jubani, Jani Vreto, Koto Haxhi, etj.

Pra, në Kongresin e Manastirit u vu gurthemeli i unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe ndërsa më 20-25 nëntor 1972, në Tiranë u vu gurthemeli i gjuhës letrare, pra në këtë vit u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit. Fryma e Kongresit të Manastirit gjatë gjithë jetës sa të ekzistojë kombi shqiptar të ngrohë e të ndriçojë përherë.

Po, si e vlerësoni kontributin e ministrit të arsimit të kohës së Shqipërisë kur kishte sjellë në Kosovë 215 mësues?

Ernest Koliqi, ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, botues dhe ministër. Ai si Ministër i Arsimit, dhe intelektual i madh që ishte, në vitin 1941-1942 është nismëtar i hapjes së shkollave shqipe në Kosovë, duke dërguar më shumë se 200 mësues e mësuese nga Shqipëria.

Për këtë kontribut Koliqit duhet t’i ngritët një përmendore në qendër të kryeqytetit për merita të jashtëzakonshme për mësuesit e artë të asaj kohe që i dërgoi në Kosovë.

Gjithashtu do veçuar edhe Hasan Prishtinën, një nga figurat më të ndritshme të kombit tonë, që fuqishëm mbështetë kërkesat për shkollën shqipe bashkë me Bajram Currin, përkrahësin e flaktë të shkollës në gjuhën shqipe, ku me para të tyre dërguan rreth 60 djem të Kosovës në Shkollën Normale të Elbasanit.

Si të kultivohet dashuria për gjuhën dhe letërsinë kur dihet se kjo dashuri po zvetënohet në masë të madhe?

Derisa Sami Frashëri thotë: ” Shqiptarët flasin një nga më të vjetrat e më të bukurat gjuhë të dheut”, sa bukur jehojnë e tingëllojnë vargjet e Fishtës:

” Nëpër gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njoftë se ç’fis ju keni”.

Nxënësve për t’ua kultivuar e shtuar ndjenjën e dashurisë për gjuhën dhe letërsinë, duhet që të gjithë të angazhohemi e mobilizohemi që nga prindërit, mësuesit në veçanti, shkrimtarët, autorët e teksteve, gazetarët, ekspertet e arsimit.

Të përgatiten tekste të gjuhës me porosi, vlera e standarde të qëndrueshme, të ketë më shumë revista letrare për fëmijë, emisione edukuese televizive për gjuhën, historinë e kulturën tonë. Të përzgjidhni tekste e emisione që janë sa më tërheqëse për nxënësit e me vlerë e porosi të qartë edukativo – arsimore, që nxënësin e pajisin me tiparet e virtytet më të larta të dashurisë, dijes, respektit, fisnikërisë e humanizmit, bujarisë e zemërgjerësisë, ëndrrave të bukura të tyre, imagjinatës e fantazisë. është fat i madh, se sot kemi nxënës që të bombardojnë me ide e mendime të thella pozitive. Por, këta nxënës, ne të rriturit e kemi detyrë e mision të shenjtë t’i mbështesim e t’i përkrahim fuqishëm!

Çfarë këshille do t’i jepnit kolegëve tuaj, duke u nisur nga eksperienca juaj personale? Ku qëndron çelësi i suksesit për një pedagog të dalluar?

Para se të shkelni në pragun e shkollës, harrojeni çdo brengë personale e familjare tuajen. Përkushtim dhe vetëm përkushtim, durim dhe vetëm durim, dashuri dhe pasion për profesionin, se për ju fillon një rrugë e betejë e gjatë e dritës dhe diturisë. Rrëmbeni e pushtoni zemrat e nxënësve. Dhurojini atyre dashuri e ngrohtësi, buzëqeshje e çiltërsi, kënaqësi e qetësi, mësim e dituri, shkathtësi e lumturi.

Ju mësuesit e ardhshëm para se të jeni mësues të mirë e të dalluar, të jeni edukatorë të mirë, të luani rolin e prindit, psikologut, pedagogut, po pse jo nganjëherë edhe të artistit.

Të depërtoni thellë në botën shpirtërore e emocionale të nxënësve. Të keni kujdes të mos i lëndoni emocionet e tyre, dhe gjithmonë t’i kontrolloni emocionet tuaja. Në arsimin fillor edukimi e shkollimi duhet të jenë në radhë të parë. Për asnjë çast mos e lëni edukimin duke u mburrur me realizimin e planprogramit mësimor. Gjithmonë të jeni të përgjegjshëm dhe mësoni nxënësit edhe me shkathtësitë e jetës.

Gëzuar dhe Ju priftë e mbara në misionin Tuaj të shenjtë!

Për të gjithë nxënësit e mi që i dua aq shumë, e që më duan kam një porosi të veçantë që buron nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit.
Lexoni, lexoni e mësoni sa më shumë! Mësoni për dije!

7 Marsi njihet si dita kombëtare e mësuesit. Ky është edhe rasti për të dhënë porosinë tuaj për këtë ditë të shënuar. Gëzuar!

Të gjithë veteranëve të arsimit, si dhe mësimdhënësve shqiptarë nga zemra ua uroj 7 Marsin- Ditën e Mësuesit! Ditën e shenjtë të dritës e diturisë, të dinjitetit e krenarisë kombëtare!

Nxënësve t’u jepni sa më shumë edukim e dije, t’u falni buzëqeshje e dashuri, fjalë të ëmbla e kënaqësi!
Urime!

/Telegrafi/