Në numrin e pare të revistës filozofike “Avicena” që e patëm botuar në vitin 2011, në faqen e parë të saj shkruam edhe këtë: “Filozofia Islame është rruga kryesore nëpër të cilën kaloi Aristoteli për t’i arritur Evropës Perëndimore. Avicena (Ibn Sina) dhe Avereosi (Ibn Rushdi) janë dy prolegomenët më të mëdhenj të Islamit mesjetar që i paraprinë këtij rrugëtimi të filozofisë greke. Ne evropianët ndjejmë për borxh të falënderojmë këta dy kolosë të Islamit. Dialogu ndërqytetërimor i filluar shekuj më parë, duhet të vazhdoj edhe më tutje. Bënë që edhe shqiptarët të kyçën në te!”
Sot, kur teologjia po kalon nëpër një krizë të thellë e debatet pro dhe kundër fesë – shumë herë të paqëndrueshme – po shtohen ditë e më shumë, shohim të udhës ta rikthejmë qasjen tonë kah filozofia islame, duke shpresuar se ajo do të ndihmojë në kuptimin e drejtë të fesë dhe në shfrytëzimin e vlerave të saj. Rreshtat në vijim, qoftë edhe vetëm shkurtimisht, lexuesit do t’i japin një pasqyrë mbi atë se çfarë po humbim me humbjen e vlerës së filozofisë dhe çfarë po na imponohet në mungesë të vlerave të filozofisë.
Ky studim mbi filozofinë islame ishte përgatitur kohë më parë, por, për shkaqe të ndryshme dhe për fatin e keq të shkrimit, deri sot nuk u botua. Edhe pse përmbajtja e këtij shkrimi prek më tepër filozofinë islame, vetëm për shkak se jam studiues i saj, e njëjta përmbajtje mund të ngërthejë edhe filozofinë në përgjithësi. Shpresojmë që këta rreshta të shërbejnë si dritë për të parë nevojën tonë për fenë dhe filozofinë.
***
Përse duhet të mësojmë filozofinë islame?
Qëllimi i parë dhe final i filozofisë islame, përgjatë zhvillimit historik të saj, ishte ambicia që ta kaplojë atë që e shpirtëron jetën e njeriut: genius sekulin e saj. Në fakt, ky qëllim është edhe i tërë filozofisë. Detyrë e saj ishte humanizimi i marrëdhënieve shoqërore, ishte përgatitja e njeriut të bëhet zotërues i jetës, ndërsa zbulimi i shkaqeve të kufizimeve të dëmshme – jo vetëm mendore por edhe sociale që herë pas here paraqiteshin në variante të ndryshme të jetës – ishte përgjegjësi e filozofisë.
Përkundër kritikave tendencioze që i merr sot, filozofia islame reflekton shkëndija me karakteristika kozmopolite. Filozofia islame me fuqinë e mendjes dhe arsyes, është pjesë përbërëse e vlerave të përgjithshme, shprehje dhe ideal, armë e fuqishme e cila kontribuon për realizimin e intencës: nihil humani a me alienum puto.
Filozofia islame mendon se emancipimi i mendjes së njeriut është kusht për emancipimin e tij fizik. Me përkushtim punon në realizimin e këtij akti, sepse ajo është dritë dhe alternativë për zgjedhjen e çështjeve të lidhura me kompleksin e emancipimit të përgjithshëm të njeriut. Ajo është vlerë që ndihmon shtjellimin e temave në mënyrën më të përshtatshme, sepse, për substancë ka moralin e përqendruar mbi tri baza të forta: fe, dije, dhe norma të larta etike.
Filozofia në përgjithësi është edhe një dije më shumë për t’u ngjitur shkallëve të jetës që çojnë kah pushtimi i zemrës së gjërave. Ajo është zëri i matur, por i qartë dhe i mprehtë që korrigjon përmbajtjen dhe formën e asaj që e pranojmë, që i besojmë dhe që e refuzojmë.
Diku dhe dikur filozofinë e ndanë prej religjionit; të ndarë mundohen ta mbajnë edhe sot. I njëjti akt atëbotë nuk vlente për filozofinë islame, e nuk vlen as sot. Varfërimi i jetës shpirtërore që po e ndjen shoqëria jonë, është derivat edhe i moskuptimit të fesë, i refuzimit të filozofisë. Pjesa ontologjike e filozofisë, që studion natyrën dhe ligjet e saj, sidomos tek ne, është lënë pas dore. Mësimi mbi moralin si pjesa më e rëndësishme e filozofisë ose nuk përmendet në shkollat tona ose kalimthi kalohet nëpër të.
Qasja ndaj fesë, një segment me rëndësi i filozofisë, është deformuar dhe qëllimisht keqinterpretohet. Ka edhe shumë filozofema tjera që janë zhdukur nga fjalori i inteligjencisë shqiptare. Gjuha e papërmbajtur e politikës, me gjithë thashethemet e saj, janë bërë tipar i gjuhës së shoqërisë. Sfera e filozofisë që është aq e gjerë, tek ne është ngushtuar në maksimum. Ajo më nuk po konkurron në spektaklin e proceseve dinamike të shoqërisë, jo pse s’mundet apo nuk ka aftësinë, por se injoranca është në skenë. Si shumicë ajo është gjithkund, edhe në skajet më të largëta të shoqërisë sonë. Në vend se dialektika, si sferë me rëndësi e filozofisë të jetë mjet yni në zgjidhjen e kundërthënieve që i hasim kudo, që të zbërthejë maksimat dhe komplekset e jetës sonë, në valle janë ekstremistët që kanë tërheq rininë drejt skajeve – të gjitha të dëmshme për vendin dhe për kombin tonë.
Sot, gjithandej në hapësirën shqiptare, është një gjendje alarmante për filozofinë. Ajo po shikohet me përbuzje nga ata që flasin në emër të fesë, nga ata që flasin për fenë dhe nga ata që janë kundër fesë. Me përbuzje flasin për filozofinë sidomos ata që nuk e njohin vlerën e saj. Kundër filozofisë janë çuar edhe ata që nuk e kuptojnë dhe që gabimisht i janë qasur jetës.
A duhet të durohet kjo gjendje nënçmimi që i bëhet dritares së jetës?
Jo, nuk duhet. Disharmonia e marrëdhënieve brenda shoqërisë na argumenton nevojën për filozofinë e cila tmerrësisht po përbuzet. Sidomos, teologët duhet t’i dalin në krah filozofisë, se ata janë të thirrur të përhapin harmoninë mes njerëzve, jo zënkat. Minimizimi i dimensioneve të konflikteve me pasoja negative për zhvillimin, arrihet edhe nëpërmes mësimeve të filozofisë.
Fryma humane e mbretërisë së mendjes, që është filozofia, na mëson se kuptimi i jetës është koherent me të. Edhe njohuritë mbi jetën janë produkt i saj. Madhështore është metoda e nxënies së dijes që ajo na mëson. Sipas mësimeve të saj, përparimi material dhe shpirtëror është vepër subordinare e mendjes. Atëherë, si mund të nënçmohet një vlerë historike? Si mund të mohohet një maksimë e progresit shoqëror se duhet të drejtohemi sipas parimeve të arsyes, në të gjitha sferat e konflikteve me jetën, për ta mundur atë?
Me të drejt thuhet që filozofia njeh njeriun të jetë qenie biologjike-sociabile. Nëse njeriu përnjëmend është problemi i fundit biologjik dhe faktori fillestar sociologjik, atëherë si qenie biologjike, që ka nevojë për sigurimin e ekzistencës, sikur të gjitha qeniet tjera të gjalla, vetëm ana morfologjike dhe materiale e plotësimit të nevojave nuk mjafton. Është edhe ana tjetër që njeriun e njerizon, që e bënë anëtar aktiv të shoqërisë, që e bënë zoon politikon – qenie historiko-shoqërore. Atë anë e përbëjnë vlerat shpirtërore: feja, krijimet e gjithanshme shkencore, letrare, artistike. Mbështetëse dhe inspirim i të gjitha këtyre është filozofia.
Për fat të keq, tek ne është krijuar një tendencë se filozofia është e panevojshme dhe e dëmshme. Si rezultat i kësaj tendence, janë paraqitur shpjegime të shtrembëruara mbi fenë, mbi shoqërinë dhe jetën. Askush nuk mund të mohojë faktin se mësimet e filozofisë po i mungojnë shoqërisë sonë. Po e përsëris: Filozofia islame ka aftësinë të jetë një fenar ndriçues mbi mjegullat sociale, politike, fetare e ideologjike që na kanë mbuluar.
Përkundër nevojës së myslimanëve për filozofinë islame, për çudi, një numër i konsiderueshëm i tyre edhe më tutje ose nënvlerësojnë rëndësinë e saj, ose e mohojnë fare. Ky qëndrim i çoroditur i kësaj pjese të paditur të myslimanëve, arsyetohet me pretendimin se Islami si fe e shpallur nga Zoti nuk ka nevojë për filozofinë dhe se, meqë ajo si shkencë e terminologji ka prejardhjen nga jashtë, është e dëmshme për fenë islame.
Në fakt, ky qëndrim ndaj filozofisë islame nuk është rezultat i ndonjë analize të mirëfilltë që i është bërë asaj. Mohuesit e vërtetë të saj janë kundërshtarët tendenciozë të fesë islame. Duke u mohuar pjesa racionale e fesë sonë, dogmatizmi ka kapluar çdo segment të saj. Edhe shpjegimet më paushalle të fesë islame i prezantojnë si dogma që s’guxojnë të preken. Ç’është e vërteta, pranimi symbyllazi i këtyre interpretimeve është sukses i keqpërdoruesve të fesë dhe dështim i të tjerëve që po pranojnë dogmat e tilla.
Athua kur do të vijë koha që shqiptarët të mund të bërtasin: Eureka!? Kur do të dalim matanë këtij deti, në breg, atje ku Eureka bërtitet pas sukseseve që i kem arritur?
Atje do të ndjehemi qytetarë të denjë të këtij vendi. E di se nuk e kemi lehtë, por nuk është e pamundur. Ne duhet të krijojmë mendje të reja dhe t’u besojmë atyre, duhet të krijojmë prototipin e ri jo të sojit që sot na korrupton, na vjedh e na çnjerëzon, si besimtarë, si qytetarë dhe si qenie njerëzore.
Është koha pra për vlerësime të logjikshme, të pranueshme dhe domosdo të arsyeshme për fenë dhe shoqërinë shqiptare. Interpretimi që po ngulfat fenë islame, duhet ndërruar me interpretime të reja, aso që i do Zoti, që i obligon Kurani dhe që i kërkon dinamika e jetës moderne.
Në këtë drejtim, filozofia islame që është e gatshme të jep kontributin e saj, duhet vënë në shërbim të këtij nënqielli. Mjafton t’i krijohen kushtet dhe hapësira për të vepruar…!
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë