LAJMI I FUNDIT:

FFK-ja ska para për trajnerët

FFK-ja ska para për trajnerët

Kanë kaluar më shumë se pesë muaj që kur përfundoi kampi nacional U-15, por trajnerët që morën pjesë në të, ende nuk janë paguar. Për herë të parë këtë vit atyre iu premtua se do t’u paguhen mëditjet, por në xhirollogaritë e trajnerëve të regjioneve vazhdon të mos dalë asnjë cent nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Trajnerët ankohen dhe njëkohësisht kanë frikën se premtimet e marra u shkuan huq. “Ne punojmë prej katër vitesh në këtë kamp, dhe në tri vitet e para e kemi ditur se nuk paguhemi. Por, këtë vit kemi marrë premtimet nga trajneri Ajet Shosholli se do të na paguhen mëditjet, dhe përkundër se na kanë marrë edhe xhirollogaritë zyrtari i FFK-së, Artan Govori, ne ende nuk jemi paguar”, ankohen trajnerët, të cilët nuk kanë dëshirë t’iu publikohet emri.

FFK: Nuk kemi mjete

Në anën tjetër, Artan Govori, zyrtar i FFK-së, arsyeton mos pagesën me mungesën e mjeteve financiare. “Për momentin nuk kemi mjete. Jemi duke pritur Departamentin i Sportit të Kosovës (DSK), të na lëshojë parat”, thekson Govori për Arenën. DSK vepron në kuadër të Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport. I pyetur se kur mund të ndodh kjo, Govori shpreson të ndodh deri në fund të këtij viti, edhe pse ka pak gjasa. “Parat do të paguhen, por nuk e dimë saktë se kur do të bëhet kjo”, shtoi ai.


Mëditja e trajnerëve për kampin ka qenë 22-23 euro, kurse borxhi ndaj një trajneri është rreth 80 euro, pasi kampi kishte zgjatur katër ditë. Në të morën pjesë rreth 15 trajnerë. Kampi organizohet çdo vit nga FFK. /Tribuna/Telegrafi/