LAJMI I FUNDIT:

Fazliu: E kam ndier që do të shpërthej

Fazliu: E kam ndier që do të shpërthej

U largua në heshtje nga Prishtina, dhe hiç shumë nuk u bë e madhe. Mirëpo, tash në maksimum “bardhekaltrit” i kanë rënë pishman që nuk e kanë këtë futbollist në radhët e veta. Fjala është për sulmuesin e Ferizajt, Astrit Fazliu, i cili një javë para se të mbyllet faza e parë e kampionatit është lider i golashënuesve me gjithsejtë 9 të tilla.

“E kam ndier që do të shpërthej sivjet. Kemi punuar shumë si ekip dhe kjo më ka bërë të besoj në vete. Kam shënuar goxha shumë gola, por edhe kam pasur shumë asistime dhe kjo më bën të them që jam i kënaqur me këtë paraqitje”, tha Fazliu, i cili për sukseset e skuadrës thotë se ndoshta kanë mundur edhe më shumë, por lëshimet në fushën e vet e kanë bërë të veten.

“Kemi bërë disa lëshime në fushën tonë, siç ishte humbja me Dritën pastaj barazimet me Llamkosin e Ferronikelin. Kjo ka bërë që të mos jemi lider të Superligës. Gjithsesi, këto dështime në fushën tonë i kemi kompensuar me fitoret jashtë, por kur jemi në luftë për titull nuk guxojmë të bëjmë lëshime të tilla”, tha Fazliu.

“Na ka mbetur edhe një ndeshje, ajo në Vushtrri me Llamkosin. Presim një ndeshje të fortë dhe unë po besoj se do t’ia dalim të tregojmë lojën tonë dhe të marrim pikë”, shtoi sulmuesi këmbëshpejtë që më pas ka komentuar edhe rezultatet e ish-skuadrës së tij, Prishtinës.


“Nga Prishtina jemi larguar shumë lojtarë, madje ata që 4-5 vjet e kemi bartur barrën kryesore në ekip. Ardhja e lojtarëve të rinj ka ndikuar pasi që ende nuk janë komponuar. Ky është shkaku pse nuk kanë rezultate. Gjithsesi, unë besoj se ata në pranverë do të rikthehen pasi janë ekip i madh dhe diferenca e pikëve në krahasim me ndeshjet nuk është e madhe”, vlerësoi Fazliu.

Ai ende nuk e ka të sigurt se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm, nëse do të vazhdojë me Ferizajn apo do të ndërrojë mjedis. “Për këtë nuk e di, posa të përfundojë kampionati do të ulem me drejtuesit e klubit dhe të shohim si do të rrjedhin gjërat”, përfundoi Astrit Fazliu. /Zëri/Telegrafi/