LAJMI I FUNDIT:

Faruk Begolli, model që duhet të ndiqet nga artistët

Faruk Begolli, model që duhet të ndiqet nga artistët

Tek ngjitesh në katin e dytë e futesh në sallën “B” të teatrit “Dodona”, bie në sy një fotografi e përmasave mesatare që pasqyron portretin e aktorit të madh të skenës - Faruk Begolli. Nën të ndodhet skena e improvizuar dhe këngëtarët që presin sinjalin për të filluar interpretimin.

Te dera e sallës familjarë të aktorit ikonë mirëpresin mysafirët. Tri tavolina në skajet e dhomës janë të mbushura me ushqim e pije, e pranë tyre janë tubuar miq e familjarë të aktorit të ndjerë. Dikush rri ulur e pret të nisë ndeja e të tjerët me pije në dorë përshëndesin njëri-tjetrin. Në mesin e tyre nuk ka ndonjë përfaqësues të institucioneve.

Pak minuta pas orës 20:00, dritat fiken dhe ndizet ekrani i madh. Heshtja pushton sallën dhe Faruk Begolli shfaqet në ekran. Në pamje të parë ai shihet i veshur me kostumin e rolit të tij të fundit në skenë. Atë të Mbretit Lir. Xhirime të realizuara për një periudhë më shumë se 10-vjeçare, janë përmbledhur në një videomontazh rreth shtatë minutash. Pamjet nuk janë të kualitetit më të lartë, por ato dokumentojnë pjesë reale të jetës së tij.

Është aktori Faik Gashi, i cili ka ndjekur pas me kamerë në dorë një pjesë të madhe të aktiviteteve të Begollit. Shumica e xhirimeve janë bërë pikërisht në “Dodona”, por edhe në natyrë. Begolli shihet gjithmonë i rrethuar nga studentët. E trajtojnë me respekt dhe me dashuri. Dëgjohet tek u jep këshilla disave. Të tjerëve u tregon ndonjë shaka e me dikë flet seriozisht. Sikur nis, video përfundon me fjalët e tij të fundit tek bëhet gati të ngjitet në skenë. Këto pamje Gashi shpreson t’i shfrytëzojë për të realizuar një dokumentar për jetën dhe veprën e Begollit. Por, tash e dy vjet ai është në pritje të mbështetjes nga Qendra Kinematografike e Kosovës.


Me të përfunduar vidomontazhi, u ndezën dritat. Nisi edhe muzika e lehtë qytetare nga Behar Arllati e Nijazi Shala.

Begolli nuk i pëlqente fjalimet e as vajtimet. Prandaj, edhe stafi i teatrit “Dodona” tashmë përkujtimin e tij me muzikë e video e ka bërë traditë.

Aktori Luan Daka ka qenë i vetmi që ka folur shkurtimisht për Begollin, që ishte koleg e mik i tij i ngushtë.

“Këtë mbrëmje jemi takuar për ta përkujtuar me respekt, dashuri, në mënyrë shumë të sinqertë artistin, kolegun, pedagogun, shokun tonë të dashur Faruk Begollin”, ka thënë Daka, tek ka folur edhe në emër të kolegëve të tij, shkruan sot Koha Ditore, transmeton koha.net.

I pranishëm në këtë ndejë ishte edhe regjisori Agim Selimi, i cili ishte i afërt me Begollin, e i cili ka thënë se komuniteti artistik do të vazhdojë ta ndjejë mungesën e mjeshtrit të skenës.

“Mungesa e tij do të vërehet vazhdimisht. Unë shpesh them se me vdekjen e Faruk Begollit ka vdekur sinqeriteti në artin tonë, sepse ka qenë një njeri shumë i sinqertë, i drejtpërdrejtë. Sa ka qenë i afërt, ka ditur të jetë edhe refuzues kur njerëzit nuk kanë pasur krijimtari të mirë. Mirëpo, gjithmonë ka qenë i vendosur e me kritere”, ka thënë Selimi, tek e ka kujtuar edhe rolin e Begollit si pedagog dhe ka theksuar se Begolli vazhdon të mbetet inspirim për gjeneratat e reja të artistëve.

“Figura e tij duhet të jetë një shëmbëlltyrë të cilën krijuesit e rinj duhet ta ndjekin. Faruk Begolli është themelues i shkollës së aktrimit dhe Fakultetit të Arteve. Duhet patjetër ta kujtojmë si një shembull, i cili ka lënë gjurmë të mëdha në punën pedagogjike me studentë. Shumica e aktorëve e kanë vulën e Faruk Begollit”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Faik Gashi, i cili njëherësh i ndenji afër Begollit dhe punën e tij e dokumentoi me xhirimet që i ka bërë, ka thënë se dëshira e tij është që punën e bërë brenda aq vitesh ta përmbledhë në një dokumentar që përfshin tërë jetën e Begollit.

“Kam përcjellë shumë aktivitete të profesorit dhe kam shumë pamje”, ka thënë Gashi, teksa ka treguar se nuk ka qenë shumë e lehtë ta përcjellësh një njeri siç ishte Begolli. “Ka pasur raste kur ka thënë ‘ndale atë kamerë, se dua të rri shlirë’”.

Pamjet që ai posedon janë xhirime të realizuara para luftës e deri tek vitet e fundit të jetës së tij. Në dokumentar ai planifikon të përfshijë edhe materiale të filmave që gjenden në kinotekat e ish-Jugosllavisë.

“Në këtë mënyrë mendoj që të kompletohet sa më mirë vepra e një artisti, siç ishte Faruk Begolli. Kah mesi i shtatorit e kam intervistën për këtë dokumentar dhe nëse QKK-ja më përkrah, mendoj se do t’ia dal ta realizoj”, ka thënë Gashi.

Faruk Begolli u lind në Pejë më 14 shkurt 1944. Studioi në Akademinë e Filmit dhe të Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966. Ishte bashkëthemelues i Degës së Aktrimit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së aktrimit. Ai ishte drejtor shumëvjeçar i teatrit “Dodona”, ikonë e të cilit mbetet edhe sot.