LAJMI I FUNDIT:

Fakte tragjike për yjet e muzikës

Fakte tragjike për yjet e muzikës

Si kërcënohej GG Allin dhe si pësoi? Pse emri që lidhej me vdekjen i disa grupeve ishte fatale për shumicën e anëtarëve të tyre? Si u bë realitet ballina e një albumi të grupit “Lynard Skynard”? Pse një libër, dedikuar vrasjes së John Lennon-it, ofroi një të dhënë senzacionale? Çka shkruan në epitafet e disa rock-autorëve të njohur?

Rock që gjithnjë mundohej të shokonte publikun. GG Allin shpeshherë thoshte që synimi i tij final ishte që të bëjë vetëvrasje në skenë, para publikut, duke vrarë dikën më parë. E vërteta banale për të është që ky vdiq nga overdoza (përdorimi i tepruar i drogës) në vitin 1993. Ata që e ruanin kufomën e tij, në shenjë respekti ndaj GG Allin, ia lagnin kohë pas kohe buzët me uiski, sepse thoshin që atë me siguri e ka marrë malli për ta çuar ndonjë gotë.

Rock-grupet e njohura, të cilat, në një mënyrë apo tjetrën, asocionin vdekjen, si “Slaughter”, “Death”, “Christian Death”, “Drowning Pool”, “The Greatful Dead” dhe “Dead Boys”, kanë pësuar shumë. Shumica e anëtarëve të këtyre grupeve kanë vdekur të ri, pa i mbushur 40 vjet.

Jeff Porcaro, daullisti i pop-grupit të njohur “Toto”, ka vdekur në mënyrë bizare, ashtu siç i ka ndodhur atij në një rol filmik. Tetë vjet pas editimit të filmit, ky vdes nga pasojat fatale të përdorimit të një insekticidi.


Lisa Lopes ka qenë e përfshirë në tri aksidente të rënda. Në rastin e parë një fëmijë vdiq kur kishte rënë nga vetura e parkuar e Lisa Lopesit. Në rastin tjetër, po ashtu një fëmijë pësoi kur doli para veturës të cilën e ngiste Lopes. Ajo nuk ishte akuzuar për këto dy raste. Së fundit, Lisa Lopes vdiq në aksidentin në Honduras, në vitin 2002.

Në ballinën e albumit “Street Survivors” të vitit 1977, të bandit të shquar “Lynard Skynard”, anëtarët e grupit ishin fotografuar teksa i rrethonte flaka. Vetëm tri ditë pas editimit të këtij albumi, tre anëtarët e “Lynard Skynard” kanë vdekur në flakë, pas rrëzimit të aeroplanit të tyre.

Mamma Cass e grupit të njohur të viteve të 60-ta “The Mamas & The Papas” dhe Keith Moon, daullisti i grupit “The Who”, i cili po ashtu kulminacionin e popullaritetit e kishte mbërritur në vitet e 60-ta, kanë vdekur në të njëjtin apartament, me katër vjet dallim. Apartamenti në Curzon Place, London W1, ka qenë pronë e Harry Nilssonit, i cili ua jipte me qira kolegëve të tij.

Ky është vërtet një fakt për t’u mbajtur në mend. Derisa ishte gjallë 2Pac kishte edituar katër albume. Qëkur ka vdekur (2Pac, siç e dini është vrarë), në vitin 1996, 2Pac është shumë më “aktiv” sesa kur ishte gjallë: Ai ka edituar hiç më pak se 14 albume. Natyrisht, kemi të bëjmë me një biznes shumë të frytshëm, përmes “shiritëve të humbur” të këtij ylli.

Kitaristi Jerome Smith i grupit “KC & The Sunshine Band”, ka vdekur kur papritmas ka rënë prej buldozerit të cilin e ngiste. Ai ka rënë para dhëmbëzorëve të makinës e cila e kishte mbytur.

Varrimi i Notprious Big doli të ishte problematik po aq edhe sa jeta e tij. Ata që kishin ardhur në funeralin e tij nisën të zihen pa kurrfarë shkasi. Shtatë vetura u dëmtuan rëndë me këtë rast dhe dhjetë veta u arrestuan, në mesin e të cilëve u gjet edhe reporteri i ditores “The New York Times”.

Edhe ky është një shënim shumë interesant. Steve Lightfoot në librin e tij “Who Really Killed John Lennon” (siç dihet, Lennon u vra në dhjetor të vitit 1980, para hotelit “Dacota”, ku jetonte me gruan Yoko Ono), ka ngritur një teori tejet spektakulare: Sipas Lightfootit, vrasësi i vërtetë i Lennon-it është Stephen King, i cili vlen si autori më i njohur i rrëfimeve kriminalistike, shumë prej të cilave janë ekranizuar.

Kur këngëtari Dead (emri i vërtetë i tij ishte Per Ohlin) i grupit norvegjez “Mayhem”, vrau veten në vitin 1991, bendi i tij vendosi që fotografinë e tij (të kufomës) ta përdorë për ballinën e albumit të ri. Dy vjet më pas, kitaristi i grupit “Euronymous” u vra me thikë prej basistit të grupit “Varg Vikernes”.

Më 23 janar të vitit 1978, Terry Kath, kitaristi dhe këngëtari i grupit “Chicago”, ndër më të popullarizuarit në vitet e shtatëdhjeta, vendosi t’ia tregojë mikut të tij njërën prej revoleve nga koleksioni i tij i pasur i armëve. Kur miku i tij i tha që ai duhet të ketë kujdes, Kath ia ktheu: “Mos u bë merak, revolja është e zbrazët.” Më pas, ai afroi tytën te koka dhe shkrepi atë. Për fat të keq të tij, u dëshmua që në revole kishte mbetur edhe një plumb që ishte fatal për të.

Legjenda e country – muzikës, Waylon Jennings, është me siguri njëri prej më fatlumët në shoubiznesin e shekullit të kaluar. Ai ia kishte lëshuar vendin e tij në aeroplan Big Bopper-it, i cili udhëtonte tok me Buddy Holl-yn. Dihet që aeroplani i tyre u rrëzua për shkak të shtrëngatës së madhe.

Në fund të këtij shkrimi, përplot detale të pikëllueshme për rock dhe pop-yjet e ndryshme që përfunduan tragjikisht jetën dhe karrierën e tyre, po u sjellim epitafet në varret e disa nga yjet e njohura. Në varrin e Ian Curtis-it (këngëtarit të “Joy Division”) shkruan: “Love Will Tear us Apart” (titulli i këngës më të njohur të këtij grupi); në varrin e Andy Gibb-it (të Bee Gees): “An Everlasting Love”; në varrin e Karen Carpenterit: “A Star on Earth, A Star in Heaven.” /Telegrafi/