LAJMI I FUNDIT:

Fair Play Financiar dhe Futbolli

Dëgjojmë shpesh të flitet e përflitet se si do të jetë futbolli pas aplikimit të ligjit të ri për financa të aprovuar nga UEFA, pra Fair Play Financiar. Flitet se shumë klube nuk do të mund të garojnë në gara evropiane, disa thonë se prapë do të kemi sjellje të njëjtë financiare nga klubet e shumë çka tjetër flitet për këtë rregull të re.
Por cilat janë efektet e këtij rregulli të ri që do të revolucionarizojë futbollin? Çka dhe si do të jetë futbolli pasi të zbatohet kjo rregull e re? A do të kemi lëvizje të çmendura merkatoje për vlera multi milionëshe?

Jemi dëshmitarë se si shumë klube futbolli filluan të adaptohen me rregullat e reja që imponon ligji i ri. Se Fair Play Financiar do të ndryshojë futbollin kjo u dëshmua që në merkaton e verës 2010 e gjithashtu në merkaton e janarit dhe të verës së 2011-ës. Ishim dëshmitarë të një merkatoje të varfër me pak lëvizje futbollistësh, përjashto lëvizjet që u bënë nga disa klube të mëdha me ndihmën e “bosëve” të tyre, ndihmë kjo që nuk do të zgjatë shumë. Pra, patëm shumë shkëmbime lojtarësh, huazime, e forma tjera bashkëpronësie që kohëve të fundit kanë hyrë shumë në “modë”.

Klubet e lodhura nga gara e shpenzimeve në rritje, shpenzime që më parë i kishin rritur vet e tani nuk mund ti ndalin më, pasi që do të jetë gjithnjë një “boss” që do të shpenzojë shuma marramendëse dhe do të prish ekuilibrat edhe ashtu të ç’ekuilibruar të merkatos, pra do të jetë dikush që vazhdimisht do të ndikoj në rritjen e shpenzimeve në futboll. Kjo do të jetë kështu deri sa një rregull do të pamundësojë shpenzime të “çmendura” në transfere dhe rroga të lojtarëve.


Ideja e Fair Play Financiar është kjo: të mos shpenzosh më shumë se sa ke të hyra. Por a munden klubet evropiane të futbollit të kenë bilance financiare të rregullta që tani?

Jo absolutisht, jo që nga sot. Janë shumë klube të mëdha evropiane që do të mbeteshin jashtë garave evropiane po të mos kishte periudhë kalimtare, periudhë përshtatjeje me rregullat e reja financiare. Pra, kjo rregull parasheh çdo situatë dhe është krijuar që t’u ndihmojë klubeve të futbollit.
Benefiti kryesor qëndron në faktin se po vendosen disa vlera të shëndosha financiare në futboll që do të kenë efekt pozitiv në zhvillimin e lojës së futbollit në të gjithë Evropën e jo vetëm në shtetet e mëdha.

Por, para se të shpjegohen fazat dhe aplikimi i Fair Play Financiar është me rëndësi të sqarohen disa elemente shumë të rëndësishme që ndikojnë në financat e klubeve të futbollit: tatimi në rrogë, menaxhimi i stadiumeve, si dhe të drejtat televizive, pasi që këto tri elemente kanë efektin më të madh në të hyrat dhe shpenzimet e një klubi futbolli.

Fillojmë me tatimin në rroga/paga. Për pagat e lojtarëve paguhen tatime kësisoj: Italia 43% ( me ligjin e ri që do të hyjë në fuqi me 2012 do të jetë 48%), Anglia 50%, Spanja 43% (deri me janar 2010 ishte 24%), Gjermania 45%, Franca 45%. Jo për rastësi në verën e vitit 2009 në Spanjë janë bërë blerjet më të larta të asaj periudhe transferimi: Ronaldo 94 ml, Kaka 67,5 ml, Ibrahimovic 75 ml (Eto’o i vlerësuar 25 ml plus 50 ml kesh), si dhe janë paguar ekstra rroga për lojtarët (Ronaldo 12 ml, Kaka 9 ml, Ibrahimovic 9 ml), pra është fjala për rrogë neto (rroga pas tatimit). Kjo ka ndodhur në Spanjë pasi që në fuqi ishte “Ligji Beckham” që u mundësonte klubeve të paguajnë vetëm 24% tatim në rrogë për lojtarët e huaj. Pra për të siguruar një rrogë 12 milionëshe për Ronaldon, Reali duhej të paguante atë kohë (verë 2009) diku afër 16 milion euro, ndërsa klubet nga Anglia apo Italia për të siguruar rrogë të tillë neto, duhej të paguanin afër 24 milion euro.

Duke parë këto vlera financiare edhe e shohim mundësinë e artë të Realit për të paguar rrogë aq të lartë si dhe të ketë mundësi të paguaj vlerë të lartë për kartonin e lojtarit, edhe pse duhet marrë parasysh që në vlerën e kartonit të lojtarit kanë rëndësi apo ndikojnë shumë faktorë, siç janë: kohëzgjatja e kontratës që ai lojtar ka me klubin ekzistues (sa më e gjatë kontrata aq më shumë duhet të paguhet për ta shkëputur atë kontratë), fama e tij, si dhe natyrisht cilësitë futbollistike dhe mosha e tij.

Gjithashtu, shtete të ndryshme kanë edhe dallime sa i përket menaxhimit të stadiumeve. Këtu për të mirë prijnë Gjermanija, Anglia, e pas tyre Spanja, ndërsa në situatë të keqe ndodhet Italia (përjashto Juventusin që ka një stadium ultra-modern në pronësi). Në Itali fatkeqësisht ende ligjet ua pamundësojnë ose janë jo të favorshme për klubet që të kenë stadiume në pronësi (mirëpo është shumë afër miratimi i ligjit të ri që do të përmirësojë këtë çështje).

Faktori tjetër i rëndësishëm në financat e futbollit është mënyra se si shiten të drejtat televizive. Në Spanjë të drejtat televizive shiten në mënyrë individuale nga klubet, pra klube si Reali apo Barca marrin shuma të mëdha parash, por dëmtohen shumë klubet tjera (prandaj tani e për shumë vite me radhë në Spanjë do të jenë gjithnjë “vetëm” dy skuadra, Reali dhe Barca). Ndërsa ligat tjera bëjnë shitjen e të drejtave në mënyrë kolektive, e kjo ndikon që klube të mëdha të marrin më pak se ato të Spanjës, por e mira e saj është që në ligën Angleze, Italiane e Gjermane ka më shumë skuadra që luftojnë më njëra tjetrën, pra kemi më shumë skuadra në nivel të përafërt.

I përmenda këto fakte rreth tatimit në paga, menaxhimit të stadiumeve dhe të drejtave televizive pasi Fair Play Financiar synon që klubet të shpenzojnë aq sa edhe kanë të hyra. Nga kjo shohim se faturimin më të lartë do ta realizojnë klubet nga Spanja (dy klube), klubet e Anglisë, Gjermanisë, ndërsa ato të Italisë do të ngecin prapa (përveç AC Milan dhe Juventus që do të vazhdojnë të jenë në top 10 klubet që kanë më shumë të hyra në Evropë). Klubet italiane mund të kenë rritje në të hyra vetëm nëse ndryshon ligji rreth pronësisë së stadiumeve (shpresohet të ndryshojë më 2012)dhe fillohet të shfrytëzohen stadiumet edhe si vende biznesi siç bëhet në Gjermani e Angli, e më pak në Spanjë.

Të kthehemi pak në retrospektivë rreth asaj se pse është i rëndësishëm ky ligj i ri për futbollin. Viteve të fundit klubet evropiane kanë deklaruar shuma marramendëse deficiti (humbjeje), si dhe me miliarda euro të shpenzuara për rrogat e lojtarëve (edhe pse lojtarët meritojnë të paguhen por jo edhe në këtë masë). Prandaj duke parë këtë deficit të tmerrshëm me të vërtetë duhej të bëhej diçka për të evituar që klubet të vetëshkatërroheshin. Ky projekt lindi si nevojë dhe kërkesë e vetë klubeve evropiane të futbollit. Presidenti i UEFA-së, Michel Platini deklaron se “Ishin vetë presidentët e klubeve të mëdha evropiane ata që kërkuan nga unë rregulla që i mbrojnë investimet e tyre, pra rregulla që imponojnë shpenzime më të vogla.”

Fair Play Financiar u trajtua dhe u debatua gjerë e gjatë në shumë takime të ekspertëve të futbollit, ekspertëve financiar e politikë, pasi që rregulla si e tillë duhej të ishte në harmoni me ligjet e Bashkimit Evropian.
Meqenëse një nga qëllimet e Fair Play Financiar është ulja e shpenzimeve në futboll, atëherë shtrohet pyetja si do të arrihet kjo? Kush dhe çka llogaritet shpenzim sipas këtij ligji financiar futbolli? Si do të regjistrohen investimet e ndryshme?
Fillimisht duhet të sqarojmë se deficit është kur shpenzimet kalojnë të hyrat në bilancin financiar të një klubi.
Por, në bilanc nuk llogariten të gjitha si shpenzime.

Fair Play Financiar përcakton si llogari negative veçanërisht blerjet (transferet) dhe rrogat e lojtarëve, të cilat edhe e rëndojnë në pjesën më të madhe bilancin e një klubi. Ndërsa si shpenzime nuk llogariten: investimet në stadiume të reja ose ristrukturimi i tyre, investimet në sektorin e të rinjve (në vitet në vazhdim klubet do të orientohen më shumë tek të rinjtë, e këtu Kosova ka potencial të mirë njerëzor që duhet gjithsesi të shfrytëzohet në vitet në vazhdim, pasi klubet e mëdha evropiane do të kërkojnë lojtarë të rinj gjithandej botës), si dhe investimet në projekte sociale (investime për ambient më të pastër në hapësira sportive etj.).

Tjetër sqarim, këtu flitet për deficit e jo për debit (borxh) ndaj bankave, klubeve tjera, lojtarëve, aksionarëve etj. Pra, klubet mund të kenë borxhe (hua), por hua të menaxhueshme dhe që kanë një risk financiar tejet të vogël.

Si do të implementohet Fair Play Financiar?

Implementimi i këtij ligji ndahet në dy faza tejet të rëndësishme që ndryshe mund të quhen edhe si faza “përshtatjeje” me rregullat e reja:

1. Periudha apo bilancet e klubeve prej sezonit aktual 2011-2012 deri më 2014-2015 – në këtë periudhë përshtatjeje klubeve u lejohet që të kenë një deficit prej 45 milion euro (pra deficiti i përgjithshëm brenda këtyre tri sezoneve nuk guxon të kalojë 45 milionë euro). Gjatë kësaj periudhe klubet do të kenë mundësi të bëjnë investime edhe pse shumica e investimeve do të jenë të drejtuara kah lojtarët e rinj apo akademia e klubit si dhe në kushte më të mira në stadiume në mënyrë që të tërheqin më shumë tifoz nëpër stadiume (më shumë tifozë do të thotë edhe çmime më të larta biletash që nënkupton të hyra më të mëdha për klubet), por në të njëjtën kohë duhet të mendojmë rreth zvogëlimit të shpenzimeve operative (rrogave të lojtarëve etj.) e blerjeve të çmendura.

2. Periudha apo bilancet e klubeve për sezonet 2014-2015 deri me 2017-2018 – gjatë kësaj periudhe klubeve u lejohet të kenë deficit prej 30 milion euro. Faza e dytë do të jetë vazhdimësi e të parës mirëpo me rregulla apo deficit të lejuar edhe më rigoroz.

Pra, një klub mund të investojë 100 milion euro në blerjen e lojtarëve për sezonin 2011-2012 por duhet të bëjë mirë llogaritjet e përfitimeve pasi që brenda 3 viteve/sezoneve futbollistike duhet të gjenerojë fitim prej minimum 55 milion euro në mënyrë që të jetë brenda kufijve të lejuar nga Fair Play Financiar.

Çka ndodh nëse një klub ka deficit më të lartë se 45 milion euro gjatë sezoneve të lartë cekura?

Ai klub do të përjashtohet nga garat evropiane automatikisht. Si dhe sa do që të jetë deficiti (minusi në bilanc) për një klub, ai deficit duhet të kompensohet patjetër.

Si do të paguhet? Me rritje të kapitalit ose donacion, por assesi deficiti nuk mund të mbulohet me hua (borxh).Pronari apo aksionarët e klubit duhet të dhurojnë para tek klubi i tyre, pra klubi nuk është i obliguar që të kthejë ato para më vonë.

Cili është dallimi nëse një pronar “dhuron” ose “huazon” para tek klubi i tij?

Përgjigja është shumë e thjeshtë, nëse një ditë pronari i një klubi vendos ta lërë atë, atëherë ai mund të kërkojë t’i kthehet huaja, ndoshta edhe duke shkaktuar falimentimin e klubit, por nëse ai obligohet që të bëjë donacion atëherë ai nuk do të mund t’i kërkojë më ato para nga klubi edhe nëse vendos të largohet. Por, si do që të jetë, donacion apo huazim, që të dyja krijojnë mundësi që të ketë më shumë para në qarkullim, më shumë blerje të shtrenjta të lojtarëve. Prandaj, UEFA e ka vendosur këtë ligj dhe ka lejuar këtë deficit (45, 30 ml €) si periudhë kalimtare, në mënyrë që klubet të kenë më shumë aksionarë, pra mos të jenë ndërmarrje të vetëm një personi. Pasi që dihet shumë mirë prapa investimit të ndonjë pronari shpesh kemi të bëjmë me qëllime jashtë-futbollit, siç janë publiciteti për të hyrë në politikë, si dhe pastrimi i parave. Ndërsa, me ligjin e ri kjo është më e pamundur të ndodhë.

Objektivi i madh: Barazimi i bilancit prej 2017-2018 e më tutje

Pra, që nga sezoni 2017-2018 klubet mund të shpenzojnë vetëm aq sa edhe arkëtojnë, përjashtime mund të bëhen për shuma të vogla deficiti si dhe nëse klubi që ka deficit paraqet një plan të shëndetshëm financiar për rikuperimin e atij deficiti në afat të shkurtër dhe nëse bëhet fjalë për një klub që ka të hyra të mëdha.
Përveç kësaj, UEFA ka menduar edhe për mega-sponsorizimet që mund të ndodhin. Pasi që shtrohej pyetja: Çka ndodh nëse sheikët e Manchester City vendosin të paguajnë shuma marramendëse në sponsorizim të klubit të tyre (ETIHAD është kompani e pronarëve të Manchester City), në mënyrë që të rrisin të hyrat e klubit anglez?

Për raste të tilla UEFA ka paraparë procedim disiplinor, pra do të jetë një panel që do të kontrollojë sponsorizimet (se a janë vlera reale tregu ato shifra të paguara), dhe nëse ka shkelje klubet dhe “sponsorët” mund të dënohen në mënyra të ndryshme, deri edhe tek përjashtimi nga garat evropiane i klubeve.

Pra, ngadalë por sigurt po u vije fundi shpenzimeve të çmendura e shpesh herë edhe pa koncept futbolli, që domosdo e kanë ndryshuar futbollin që ne përjetojmë ditëve të sotme. Futbolli është sport, shihet si art dhe gjithashtu është biznes, ndërsa ligji i ri financiar do të vendos rregulla shumë të qarta që në të ardhmen do ta bëjnë të dallohen sportistët e mirë, ata që krijojnë vlera “artistike futbolli”, e po ashtu edhe biznesmenët.

Neve na mbetet vetëm ta shijojmë nga televizioni futbollin evropian në vitet në vazhdim, duke shpresuar që klubet tona kosovare të arrijnë standardet e kërkuara për licencim dhe të jenë të afta të veprojnë në harmoni me ligjet e UEFA-së. Dihet apriori se së pari nevojitet anëtarësimi në FIFA e UEFA i FFK-së, mirëpo për plotësimin e kritereve klubet nuk duhet të presin, duhet të fillojnë që tani, sepse janë shumë larg në këtë aspekt.

Rruga drejt UEFA-së është shumë e gjatë, me plotë rregulla dhe sfida…!!!