LAJMI I FUNDIT:

Facebook-u, gazeta dhe shakaja me publikun!

Një herë e një kohë pandehnim se gazetarët ishin ata që duhet të kërkonin në vijimësi llogari ndaj pushtetmbajtësve. Por teksa kjo ëndërr demokracie erdhi edhe tek ne, nuk zgjati shumë dhe u shua si një meteor.

Kësisoj, pushteti i katërt është bërë një pushtet i dytë dhe i dyti është bërë një pushtet i katërt, ose më saktë një lloj kaçamaku të pa përzier mirë (pa cilësinë e duhur). Dy kahe të kundërta ose një segmentarizim thellësisht i pranishëm, kanë bërë që mediat tona të kenë secila një drejtim që përkon me dy lobet më të fuqishme politike në vend. Kjo nuk është më e re dhe e vështirë për t’u vunë re, teksa në darkë mjafton telekomanda për të parë një “anë të bardhë” dhe një “anë të zezë” të realitetit tonë.

I shërben kjo publikut? A mos ndoshta, tallja me shqiptarët vijon sot e kësaj dite? Qoftë e thënë e mos qoftë e bërë! Në këtë tërheqje zvarrë të kësaj karroce të prishur e të zhurmshme, gazetarët thjesht kanë pranuar faktin e kryer. Por, një alternativë tjetër është edhe dembelizmi profesional.


Nëse dikur, gazetarët shkonin deri në selitë e partive për të marrë deklaratën e shkruar shpesh me gabime të shumta drejtshkrimore, tanimë asnjë gazetari nuk ia ka ënda të udhëtojë mes rrëmujës së trafikut, për të dëgjuar deklaratat e thëna e të stërthana, krejt boshe në shumë raste, e pa pikë morali në të gjitha rastet. Po ç’e do që hapësira në gazetë duhet zënë! Teknologjia nga ana tjetër, po sjell një “fërkim duarsh” për shumë nga ata gazetar që denjojnë të shkojnë deri tek selitë.

Por gjithashtu, kjo teknologji është kaq masive, sa pak vend i mbetet njerëzve të medieve për të tejçuar në publik diçka që nuk është thënë më përpara. Së fundi, faqet e të përditshmeve, hapen me citate të lëna nga deputetë të partive në faqen sociale Facebook, që për fat, më shumë fansa ka një politikan se sa blerës një gazetë. Atëherë, a mos po merremi të gjithë me thashetheme?

Loja e asaj që thuhet në kafe, lihet në formë mesazhi në facebook shkruhet në gazetë dhe anasjelltas, po shndërrohet në diçka të zakonshme, teksa gazetarët thjesht mbajnë mbi shpatulla një titull të dalë boje. Politikanëve kjo ju shkon për shtat, e mbase në shumë raste qeshin me ironi se si batutat e tyre të lëna pa teklif në Facebook apo Twiter, zënë të nesërmen faqen e parë të gazetës.

Për ta, në këtë kohë kur flitet për krizë, e më së shumti për krizë idesh pa rrugëdalje, mjafton emri dhe mbiemri dhe prania në publik. Kur askush s’ka ndonjë gjë të re për të thënë, e teksa publiku duhet “mbajtur” nën presion, dy fjali të lëna me anë të telefonit nga restoranti ose në makinë mjaftojnë për të zgjidhur punë.

Sa për ilustrim, një kryetar i një partie modeste në opozitë, e kërcënoi seriozisht një deputet të opozitës që të “mblidhte mendjen” për mesazhin e këtij të fundit të lënë në facebook. Sigurisht që deputeti nuk e ka marrë seriozisht këtë kërcënim, ndërsa kryetari i partisë modeste, pati një dritare të vetën në një nga të përditshmet, teksa të gjitha idetë e tij kanë shteruar që në kohën e hipnotizimit komunist të Enver Hoxhës.