LAJMI I FUNDIT:

Esch për zgjedhjet: Është në pyetje më shumë se posti i presidentit, shpresoj për një qeveri të qëndrueshme

Esch për zgjedhjet: Është në pyetje më shumë se posti i presidentit, shpresoj për një qeveri të qëndrueshme

Valeska Esch, zëvendësdrejtore e Institutit Aspen në Berlin shpreson që zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti të prodhojnë një qeveri të qëndrueshme me një shumicë solide parlamentare.

Esch në një intervistë për Deutsche Welle thekson se sfida më e madhe është para së gjithash arritja e pozicioni të përbashkët negociues brenda Kosovës për dialogun me Serbinë.

DW: Kosova përsëri po përballet me zgjedhje parlamentare. Cilat janë pritshmëritë tuaja?


Esch: Shpresoj shumë që zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti të prodhojnë një qeveri të qëndrueshme me një shumicë solide parlamentare. Është e rëndësishme për vendin dhe demokracinë e tij të re që këto zgjedhje të sjellin një qeveri më të qëndrueshme që mund të adresojë shumë sfida të ngutshme të vendit. Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të aftë për të vepruar. Ligji për rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë Covid-19, për shembull, kërkoi tre muaj për t’u miratuar përfundimisht në parlament, edhe pse kishte të bënte me ndihmë të shpejtë emergjente. Unë pres që të gjitha partitë politike ta marrin seriozisht mandatin zgjedhor dhe ta vendosin të ardhmen e vendit mbi interesat e tyre politike. Kjo nënkupton kapërcimin e hendekëve të thella politike dhe gatishmërinë për të formuar një koalicion qeveritar mbi bazën e ideve të përbashkëta për të ardhmen e vendit dhe jo që kjo të varet nga posti. Janë në pyetje më shumë çështje se kush do të jetë presidentja ose presidenti I ardhshëm i vendit, aq më tepër kur ky post, në bazë të Kushtetutës është mbipartiak. Është në pyetje luftimi i pandemisë dhe pasojave të saj, e cila është një sfidë e madhe për të gjitha vendet në botë. Është në pyetje që më në fund të vihen në jetë reforma të rëndësishme, jo për BE-në por për qytetarët në vend. Është në pyetje edhe zgjidhja përfundimtare e dialogut me Serbinë.

DW: Tri ditë më pas Kosova feston 13-vjetorin e lindjes. Shteti në moshë adoleshente lë pas një vit shumë të trazuar. Cili është bilanci juaj?

Esch: Unë mendoj se vendi ka humbur shumë kohë vitin e kaluar. Shpërthimi i pandemisë Covid-19 bllokoi shumë burime politike dhe financiare. Do të kishte qenë e rëndësishme që vendi të përqendrohej në gjërat thelbësore. Në vend të kësaj, në mars, as dy muaj pas krijimit të saj, qeveria e re u rrëzua përmes një vote mosbesimi dhe me një shumicë tepër të ngushtë në parlament. Prandaj vendi nuk ka bërë asnjë përparim as në reforma dhe as në dialogun me Serbinë. Sipas mendimit tim, është edhe më e rëndësishme që një qeveri e ardhshme të ketë mbështetjen e mjaftueshme për të trajtuar këto çështje të vështira dhe që opozita e ardhshme të jetë gjithashtu e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj dhe të luajë rol konstruktiv.

DW: Një nga sfidat më të mëdha për qeverinë e re është edhe zgjidhja e konfliktit me Serbinë. Gjermania dhe Franca deri më tani kanë luajtur rolin drejtues brenda BE-së. Sidoqoftë, javën e kaluar ishte një takim midis presidentit serb Vuçiq dhe atij francez Macron. Në Kosovë njerëzit tashmë kanë filluar të pyesin nëse Gjermania mund të jetë tërhequr. A do të merret më pak Gjermania me çështjen e Kosovës në vitin zgjedhor 2021?

Esch: Unë nuk mendoj se një takim dypalësh midis Presidentit Macron dhe Presidentit Vuçiq ka ndonjë domethënie mbi rolin e ardhshëm të Gjermanisë në dialog. Franca dhe Serbia tradicionalisht kanë marrëdhënie të mira dhe shkëmbimet dypalëshe nuk janë të pazakonta. Unë gjithashtu nuk shoh shenja se Gjermania është tërhequr. Qeveria Federale në mënyrë të përsëritur e ka bërë të qartë se personi kryesor përgjegjës për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës është Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, dhe si i tillë ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë. Ai vetë sapo ka raportuar për aktivitetet e tij në vendet anëtare të BE-së këto ditë dhe unë supozoj se mandati i tij do të zgjatet dhe se ai mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen aktive nga Berlini, pavarësisht nga zgjedhjet federale në vjeshtë të këtij viti.

DW: Kosovarët presin që administrata e Bidenit t’i japë një impuls të ri zgjidhjes së dialogut me Serbinë. Cila do të jetë sfida më e madhe këtu?

Esch:  Sipas mendimit tim, sfida më e madhe është para së gjithash arritja e pozicioni të përbashkët negociues brenda Kosovës. Është e qartë se qëllimi i dialogut për qeverinë kosovare është njohja e pavarësisë së vendit nga Serbia. Kjo do të ishte gjithashtu e rëndësishme për të bindur mosnjohësit në radhët e BE-së. Në këtë qëllim, Kosova mbështetet nga SHBA, por edhe nga shumë shtete anëtare të BE-së. Vetëm BE-ja si organizatë duhet të sillet në një mënyrë neutrale ndaj statusit, por jo anëtarët e saj. Por Kosova gjithashtu do të duhet të bëjë kompromise, për shembull në lidhje Asociacionin e Komunave Serbe. Sipas mendimit tim, është e rëndësishme të gjenden mënyra për të zbatuar marrëveshjen që është arritur në një mënyrë të tillë që ajo të mos e shkelë as Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e as të mos i komplikojë proceset qendrore të vendimmarrjes në të ardhmen . Sipas mendimit tim, është pozitive që administrata e Biden mbështet qartë dialogun e udhëhequr nga BE dhe unë pres që do të ketë bashkëpunim më të ngushtë midis SHBA dhe BE në të ardhmen.

DW: Ish Presidenti i SHBA Donald Trump tashmë ka sjellë marrëdhënie diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit. Por me një çmim të lartë. A do të ketë ndikim (negativ) në marrëdhëniet BE-Kosovë?

Esch: Në parim, në lidhje me procesin e pranimit, BE pret afrim me qendrimet e saj në politikën e jashtme. BE i ka bërë të qarta këto pritmëri për këtë çështje. Unë vetëm se mund të spekuloj për efektet konkrete.

DW: Sipas disa raporteve të shtypit gjerman disa analistë tashmë janë duke kërkuar alternativa të reja për anëtarësimin e plotë në BE të vendeve të Ballkanit? Si i vlerësoni këto alternativa?

ESCH: Nuk ka asnjë alternativë ekuivalente me anëtarësimin e plotë në BE dhe të paktën në Gjermani perspektiva e anëtarësimit të plotë nuk vihet në pikëpyetje. Kryetari i sapo zgjedhur CDU-së, Armin Laschet, e ka bërë të qartë mbështetjen e tij për këtë perspektivë. Sidoqoftë, duhet natyrisht të pranohet që jo të gjithë anëtarët e BE mbështesin zgjerimin e BE-së me të njëjtën forcë si Gjermania dhe se vonesat e përsëritura për Maqedoninë e Veriut e kanë dëmtuar shumë besimin në këtë perspektivë. Sidoqoftë, strukturat vendimmarrëse të BE-së kërkojnë unanimitet për çështjet e zgjerimit dhe në këto rrethana çdo shtet anëtar mund të ndalojë progresin e tij. Kjo është një sfidë themelore për BE, jo vetëm në çështjet e zgjerimit. Në të njëjtën kohë, megjithatë, duhet të theksohet se, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut dhe pjesërisht të Shqipërisë, përparimi në rajon nuk ka qenë gjithmonë bindës në vitet e fundit. Bindja brenda shumë vendeve anëtare të BE-së është dhe mbetet se reformat janë kryesisht në interes të vetë vendeve, dhe në përputhje me rrethanat pritmëria është që gjërat të shkojnë përpara pa presion të vazhdueshëm nga jashtë. Ndoshta, megjithatë, duhet menduar për një integrim edhe më gradual të vendeve në strukturat evropiane, por jo si një alternativë për anëtarësimin e plotë.

Në trend Lajme

Më shumë
Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet babai i 14-vjeçarit: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë

Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet babai i 14-vjeçarit: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë

Lajme
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Lajme
Plagosja e dy personave në Prishtinë – policia arreston të dyshuarin

Plagosja e dy personave në Prishtinë – policia arreston të dyshuarin

Kronika e Zezë
Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon

Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon

Lajme
Gjendet pa shenja jete një person në Shtërpcë

Gjendet pa shenja jete një person në Shtërpcë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori