LAJMI I FUNDIT:

Emini: Mini-Olimpiada, shumë e suksesshme

Emini: Mini-Olimpiada, shumë e suksesshme

Mini-Olimpiada e 13-t për Personat me Aftësi të Kufizuara nga Komiteti ParaOlimpik i Kosovës (KPOK) & OPFAKKOS “Prindi e fëmija” është mbajtur më 14-15 qershor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Organizatorët e kanë vlerësuar lart këtë MiniOlimpiadë, ku pjesëmarrës ishin rreth 500 persona nga e tërë Kosova.

MiniOlimpiada ishte gjithëpërfshirëse edhe nga komunitetet: romët, turqit dhe boshnjakët. Vlerat e solidaritetit, miqësisë, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë përshkuan frymën e bashkëpunimit që Komiteti ParaOlimpik i Kosovës dhe ekipi gjetën me partnerët. “Nëpërmjet organizimit të kësaj MiniOlimpiade me karakter tradicional, ua dërgojmë mesazhin e qartë institucioneve ndërkombëtare sportive se në Kosovë ka të rinj dhe të reja, të komunitetit me nevoja të veçanta, që i përkasin komunitetit sportiv mbarëbotëror dhe që zyrtarisht duan të bëhen pjesë e të gjithë sportistëve të botës për të kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë, të një bote më paqësore”, ka thënë Njomza Emini, presidente e Komiteti ParaOlimpik të Kosovës.

Në këtë edicion garat janë zhvilluar në 14 disiplina sportive, ku për vendet e para (I), dyta (II) dhe të treta (III) janë ndarë medalje dhe kupa, kurse garat janë zhvilluar në dy sisteme: ekipore dhe individuale. Për herë të parë janë zhvilluar tri (3) disiplina si: Vrapimi 100 m (të Verbrit), Mundja e Duarve dhe Futbolli i Vogël. Drejtuesit e Komitetit ParaOlimpik të Kosovës i kanë falënderuar Shpresa Muharremi nga OSCE, Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Policia e Kosovës, Vullnetarët nga Stafi i Akademisë dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë. /Epokaere/Telegrafi/