LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët: Qeveria nuk kishte bazë ligjore për rastin e Klan Kosovës

Ekspertët: Qeveria nuk kishte bazë ligjore për rastin e Klan Kosovës

Njohës të fushës së drejtësisë në Kosovë thonë se qeveria nuk kishte bazë ligjore për t’i pezulluar certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova. Por Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë këmbënguli sërish të martën në mbrojtje të këtij veprimi.

Me 14 qershor qeveria e Kosovës vendosi pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, me pretendimin se në regjistrimin e biznesit shkruan “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Autoritetet thanë se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.


Avokati i çështjeve komerciale, Ardi Shita, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se ministria ka vepruar në kundërshtim me ligjin për shoqëritë tregtare, i cili siç tha rregullon të gjitha aspektet e korporatave në Kosovë.

“Sipas atij ligji si pikë e parë nuk ekziston koncepti i pezullimit të certifikatës së biznesit. Ligji thotë qartë, një biznes i cili është person juridik, në këtë rast korporatë apo shoqëri me përgjegjësi të kufizuara sic është Klan Kosova, është i pavarur nga aksionari i saj. Domethënë çfarëdo që ndodh me aksionarin, kontinuiteti i korporatës vazhdon për shkak se korporatat si strukturë janë të krijuara në atë mënyrë që duhet ta ruajnë kontinuitetin e t’i shërbejë shoqërisë pavarësisht çfarë ndodhë me pronarin”, thotë ai.

E pyetur nga Zëri i Amerikës për këtë çështje, ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, këmbënguli se veprimet e ministrisë që drejton gëzojnë bazë ligjore.

“Ligjshmëria më e plotë është e para Kushtetuta, por janë edhe ligjet për shoqëri tregtare, ligji për procedurën administrative dhe në këtë bazë ligjore ne kemi ndërmarrë veprimet. Nuk është e arsyeshme të quhet gabim teknik emërtimi i qytetit Gjakova – Serbia ose Pejë – Serbia. Është gabim antikushtetues, është shkelje në fakt e jo gabim, shkelje antikushtetuese”, tha ajo.

Shita thotë se të dhënat e publikuara janë nga regjistri publik i Maqedonisë së Veriut, në të cilin Kosova nuk ka ndonjë përgjegjësi.

“Regjistri publik i bizneseve të një shteti të huaj, mënyra se si listohen gjërat e çfarë shkruan nuk është përgjegjësi e jona si Republikë e Kosovës, e kemi të pamundshme ne të kontrollojmë se si publikon të dhënat e bizneseve një regjistër i huaj. Ne me ato të dhëna që na vijnë shërbehemi dhe nëse kanë qenë të papranueshme ARBK ka pasur mundësi që në momentin e parë që është bërë regjistrimi i parë i aksionarit nga Republika e Maqedonisë së Veriut mos ta pranojë dokumentacionin”, tha Shita.

Me 16 qershor Komisioni i Pavarur i Mediave miratoi një vendim që detyronte televizionin Klan Kosova të plotësonte dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës brenda 30 ditësh.

Klan Kosova thotë se ka paraqitur dokumentet e plotësuara me 21 qershor.

Në një dokument që ka siguruar të hënën Zëri i Amerikës nga regjistri qendror i Maqedonisë së Veriut, televizioni figuron i regjistruar me emërtimin Gjakovë – Kosovë. Të njëjtin dokument, por në gjuhën angleze, e ka publikuar edhe Klan Kosova duke këmbëngulur se nga 20 qershori i këtij viti në çdo dokument të kompanisë qëndron vetëm emërtimi Kosovë.

“Nëse aksionari ka dhënë informata me gabime, jo të sakta, jo të plota, jo të vërteta, janë mekanizma të tjerë në dispozicion nëpërmjet të cilëve ministria mund të kërkojë përmirësimin e atyre informatave. Zakonisht sipas ligjit për shoqëritë tregtare, kur kërkohet ndryshimi ose përmirësimi i informatave qoftë prej ministrisë qoftë prej vet biznesit, jipet një afat brenda të cilit duhet bërë ai korrigjim. Kur përfundon ai, biznesi do të vazhdojë të operojë sic ka operuar më herët, pra këtu kemi problem seriozz me interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të ligjit për shoqëritë tregtare”, thotë zoti Shita.

Pezullimi i certifikatës së biznesit të televioznit Klan Kosova nxiti reagime të ashpra në Kosovë duk u cilësuar si goditje e rëndë ndaj lirisë së medias. Por autoritetet këmbëngulin se zbatimi i ligjit kundër sipërmarrësve të fuqishëm që e shkelin atë për përftime financiare, nuk paraqet sulm ndaj lirisë së medias.

Të hënën ministria e Industrisë tha se u ka pezulluar certifikatat e biznesit edhe të paktën 5 kompanive të tjera që sipas saj, kanë emërtim kundërkushtetues, duke i paraqitur qytetet e Kosovës si pjesë të Serbisë.

Ilir Ibrahimi nga Klubi i Biznesve në Kosovë tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se qeveria me këto veprime po sulmon bizneset dhe se kjo situatë mund të sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit.

“Unë jam shumë i shqetësuar me gjendjen ekonomike në vend, ka rënë konsusmi, bizneset nuk janë duke investuar sepse janë duke u sulmuar nga qeveria dhe kjo do ta dërgoj Kosovën edhe në një krizë më të madhe ekonomike pas asaj të Covidit, luftës në Ukrainë. Problemin kryesor ekonomia kosovare e ka nga sulmet e brendshme që po vinë nga pushteti dhe nëse na ikin këto korporata të mëdhaja dhe shkojnë të investojnë diku tjetër të cilën ata mund ta bëjnë në çdo moment por është akt patriotik i tyre që vazhdojnë të qëndrojnë këtu atëherë unë e shoh ekonominë e Kosovës në kollaps”, tha ai.

Ibrahimi thotë se dështimi është te institucionet e Kosovës që nuk i kanë rregulluar si duhet procedurat e regjistrimit të bizneseve nga shtetet tjera.

“Kemi parë dje publikimin e një liste të bizneseve të cilat janë të regjistruara me pasaporta të huaja, në këtë rast nga Mali i Zi dhe vendbanimi shkruhet me shkronja serbe apo emërtime serbe mirëpo nuk është faji i individid i cili e ka regjistruar këtë. Është faji i institucioneve të Kosovës që nuk i kanë regjistruar këto në vende mike”, thotë ai.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, duke shprehur shqetësimin për situatën me Klan Kosovën tha të martën se shpreson që qeveria do ta zgjidhë këtë çështje në një mënyrë transparente, të drejtë, dhe të shpejtë.

“Bazuar në atë që kemi kuptuar nga pronarët e Klan Kosova, ata i kanë dorëzuar dokumentet e reja që trajtojnë shqetësimet specifike të paraqitura dhe unë thjesht dua të them se sa herë që qeveria merr një vendim që mund të ketë ndikim në aftësinë e medias apo organizatës së pavarur për të transmetuar, për të vepruar, është diçka që duhet bërë të paktën pas një rishikimi shumë të kujdesshëm dhe si zgjidhje e fundit sepse liria e medias është shumë e rëndësishme”, tha ai.

Pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nxiti reagime të ashpra nga diplomatë perëndimorë, shoqata gazetarësh, përfaqësues të mediave, por edhe përfaqësues të opozitës. /VoA/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Lajme
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Lajme
Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Siguri
Kalo në kategori