LAJMI I FUNDIT:

Ekskluzive: Norvegjia “rrëmben” Oltin!

Ekskluzive: Norvegjia “rrëmben” Oltin!

Njëri ndër hendbollistët më të mirë në Kosovë, Oltion Beshiri, të dielën me 6 prill do të udhëtojë për në Norvegji ku do të sprovohet tek njëra ndër skuadrat më të mëdha të këtij vendi, Drammen HK.

Trajneri i kësaj skuadre, Rene Hamann, i cili e sheh Beshirin si përforcim tejet të nevojshëm për skuadrën e tij, i ka dërguar këtij të fundit një ftesë zyrtare me të gjitha shpenzimet e mbuluara. Gjasat janë shumë të mëdha që Olti të nënshkruajë kontratë me ta, pasi që kjo skuadër ka mungesë të një lojtari të pozitës “Alo e majtë”.

Vëzhguesit e talenteve të kësaj skuadre e kanë përcjellur me vëmendje Beshirin muajt e fundit dhe kanë mbetur të mahnitur me përformancat e tij në Superligën e Kosovës, dhe menjëherë kanë vendosur që t’i bëjnë një ftesë zyrtare.

Redaksia e Telegrafit e ka kontaktuar menjëherë Beshirin, i cili me shumë modesti na zbuloi detajet e këtij udhëtimi në Norvegji, që është një mundësi e artë për karrierën e tij, në mënyrë që ta arrijë potencialin që të gjithë e dimë që e ka.


Kjo sigurisht se është një ndër sfidat më të mëdha në karrierën tënde, sa jeni i përgatitur për këtë provë?

“Është e vërtetë që kjo është një nga sfidat më të mëdha në jetën dhe karrierën time. Ka më shumë se një muaj që jam duke u përgatitur intensivisht për këtë udhëtim dhe këtë përvojë të re që po vie në jetën time”, u shpreh Olti fillimisht për Telegrafin.

Nëse arrin të nënshkruash kontratë me këtë klub, si e sheh të ardhmen tënde pastaj? A është i përgatitur Olti për sfidën e largësisë nga familja dhe shoqëria, si dhe për sfidën e ambientimit në një vend krejt të panjohur?

“Nëse arrij të nënshkruaj kontratë me siguri se do të jetë momenti më i mirë i jetës sime. Me siguri se që nga ai moment do të fillojë karriera ime profesionale evropiane dhe shpresoj të arrij majat e hendbollit. Por, nëse një njeri dëshiron të arrijë diçka në jetë, ai duhet të sakrifikojë diçka. Sidoqoftë, unë mbi të gjitha e kam përkrahjen e familjes, shoqërisë dhe të gjithë njerëzve tjerë që i kam afër”, shtoi ai.

A do ta harrosh Kosovën, apo do të vish sa herë që Përfaqësuesja jonë të thërret?

“Përfaqësuesja e Kosovës për mua gjithmonë do të jetë zgjedhja e parë dhe në çdo kohë dhe në çdo vend unë do ta përfaqësoj me nder dhe krenari vendin tim”, tha për fund Beshiri.

Redaksia e Telegrafit i uron sukses dhe fat Beshirit në aventurën e tij të radhës dhe shpresojmë që të nënshkruajë kontratë me klubin norvegjez dhe t’i tregojë botës që Kosova ka talentë të mëdhenj të hendbollit. /Telegrafi/

Për të mësuar më shumë për Oltin, klikoni këtu.