LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia franceze u rrit me 0.2%

Ekonomia franceze u rrit me 0.2%

Ekonomia franceze u rrit me 0.2 për qind gjatë tremujorit të tretë të vitit, në linjë me pritshmëritë e tregjeve. Pavarësisht rritjes në linjë me projeksionet, kërkesa e brendshme është zhytur në stanjacion.

Shpenzimet konsumatore u regjistruan të pandryshuara për të dytin tremujor me radhë. Kjo do të thotë se, kërkesa e brendshme, në rritje me 0.1 për qind, vjen vetëm si pasojë e një rritje të shpenzimeve qeveritare me 0.3 për qind gjatë periudhës në fjalë.

Tregtia e jashtme nga ana tjetër, “fshiu”, 0.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë tremujorit të tretë të vitit, pasi importet u rritën me një hap më të shpejtë se eksportet. Më herët gjatë muajit, qeveria franceze uli projeksionet e rritjes për vitin aktual në 1.4 për qind.


Kjo nivel shihet si minimumi i nevojshme për të nxitur një ulje të normës së papunësisë. Nga ana tjetër, këto projeksione janë lehtë më optimiste se ato të
Komisionit Europian apo organizmave të tjerë ndërkombëtarë.

Në rast se, rritja do të ngjitej në 0.4 për qind gjatë tremujorit të fundit të vitit, atëherë norma vjetore do të ngjitej në vetëm 1.2 për qind. Pra, gjasat që Franca të mbyllë një vit me një rritje ekonomike pranë 1.4 për qind, siç projekton qeveria, janë thuajse minimale. /Telegrafi/