LAJMI I FUNDIT:

E keqja e shqiptarit nga mendësia “kështu e don politika”

E keqja e shqiptarit nga mendësia “kështu e don politika”
Henderik Reimers, kapiteni holandezë i xhandarmarisë ndërkombëtare, zënë rob prej rebelëve të Haxhi Qamilit (qershor 1914)

Nga: Tafil Boletini (nga vepra Kujtime I, pjesët Përgatitje për në Epir dhe Rebelët sulmojnë Durrësin – tituli i mësipërm është i redaksisë së Telegrafit)

Në muajin maj 1914, kryeministri Turhan Pasha iu ban një apel Isa Boletinit dhe Bajram Currit në emën të patriotizmit, për me iu shkue në ndihmë vllaznëve në Korçë e Gjirokastër që e kishte pushtue greku, ku bandat terroriste me torturat ma barbare e çnjerëzore digjnin, piqnin dhe masakronin gra e fëmijë për me shfarosë popullin shqiptar muhamedan. Me një fjalë, një pjesë e Korçës dhe e Gjirokastrës ishin ba kasaphanë njerëzish, që coptoheshin me thika simbas zakonit alla grek.

Sado që me Esad Pashën nuk bashkoheshin, për këtë çështje thjesht patriotike, për me shpëtue atë pjesë të atdheut apeli u pranua me gjithë qejf dhe përnjëherë filluem t’i tubojmë në Shkodër njerëzit. Po ashtu, edhe Bajram Curri lajmëron Malsinë e Gjakovës.


Nji ditë Bajram Curri e pyeti axhën Isa: “Cilin prej nipave po e merr me veti”? Ai tha: “Jonuzin”. Bajram begu: “Ani, ti merre Jonuzin e unë po e marrë Tafilin” dhe m’u drejtue. Unë që kesha ndej jashtë dëshire, menxi pritsha me shkue, e shiqova axhën Isa. Ky, kur pa se po kam qejf me shkue, tha: “Po mirë, edhe ti hajde me neve”. S’përshkruhet gëzimi im që po shkoj edhe unë.

Në ato ditë nëpër Shkodër ishte hapë fjala për nji farësoj lëvizjesh në Shqipni të Mesme. Esadistët e turkofilët e quenin “Ehlikijam”, d.m.th. lëvizje populli [fjala është për lëvizjen famëkeqe të Haxhi Qamilit – shën. i red.), po jo me atë kuptim të keq që i napin rebelizmit, por si emër që u jepet lëvizjeve atdhetare fetare. Dhe, na thonin: “Juve nuk ju liron rrugën ehlikijami me shkue në Epir”.

Na çuditeshim: “Çka janë e kush janë ata që na pengojnë rrugën për me shku kundër armikut që na shkel vendin e po na masakron mbarë popullin”? “Po kështu e don politika” – na gjegjeshin.

Për me organizue rrebelizmin (Ehlikijamin) ishin ardhë prej Stambolli në Shkodër, të dërguem nga xhonturqit disa oficera shkodranë, Shefqet Peja, Abdullah Puka, Hamid Efendiu etj.

Tamam në ma të mirin qejf, tue u ba gati për Epir, erdhën nga Durrsi dy telegrame urgjente: “Bajram Currit e Isa Boletinit. Esadi iku për Itali. Rebelët po sulmojnë Durrësin. Me fuqitë që keni gati, lutem menjëherë nisuni për Durrës nga Shëngjini, me det”.

Më duket sikur po e shof Bajram Begun me telegram në dorë e tue qesh, kur erdhi te axha Isa: “Sihariq i madh – thonte – tradhtari theu qafën në Itali”. Axha Isa: “Mjaft mirë, por mbasi ka shpëtue gjallë këtu e mrapa asht loja, për të keqen e Shqipnisë ka me gjet mjaft miq e përkrahje”.

Ndonëse nga Malësia ende nuk kishin mbërritë fuqitë, Bajram Curri dhe Isa Boletini me 100 e ca kosovarë që kishin gati u nisën për në Lezhë. Aty gjetën Preng Pashën tue mbledhë fuqi.

Me 1 qershor në mbrëmje, Marka Gjoni me nja 700 mirditas, unë me 100 e ca kosovarë dhe Hysni Curri me disa gjakovas jemi nisë për në Durrës nga Shëngjini me vapor. Kemi mbërri më ora dy në mëngjes.

Kurse Preng Pasha, Bajram Curri e axha Isa ngelën në Lezhë, tue pritë fuqitë nga Malsia. Por, tue qenë se axha Isa ishte sëmurë nga malarja, mbrenda jave, me ata njerëz që i kishte mbajt me veti, erdhi në Durrës. Fort u kënaq pse kësi hovi gjeti si ministër të Punëve të Mrendshme mikun e ngushtë Aqif pashë Elbasanin në vend të Esad Toptanit.

Para se të shkojmë në Durrës, kishte nga nji luftë në Rashbull me rebelë, në të cilën fuqitë e pakta qeveritare ishin çkatrrue e dëmtue shumë. Ishin vra Cen Sharrja nga Vlora, Haki Glina, Augustin Prizreni etj. Randë ishin plagosë kapiten Meleq Frashëri, Ibrahim Tigani nga Peja e Arif Magjastena nga Llapi i Podijevës e shumë të tjerë. Nga paniku i madh edhe Princ Vidi pat lan pallatin e ishte hi në vaporet gjermane të luftës, “Geoben” e “Bresllau”, që qindronin në skelë qysh me ardhjen e tij. Por, mbas pak kohe ishte kthyem në pallat.

Kur vamë në Durrës, pyetëm: “Mbasi e rrethuet në shpi Esadin, pse e lëshuet të gjallë”? “E kush me luftue? Disa intelektualë që s’kishin përdor urrë armë”?

Sa e lezetshme ishte koha kur na kallxonte Kostandin Boshnjaku për luftën që ish ba. “Kur i ra oficeri hollandez me top shpisë së Esadit, edhe unë, që isha me shok në rrethim, shtina njiher kundër shpisë së tij, por mbasandej nuk dinja si me luejt llozin e me fut fishekun që të shtinja edhe një herë. Unë shtina nji herë, po tani si me ia fut fishekun që të shtie edhe nji herë”?! Hollandezi prej gazepi filloi me shkul flokët e me piskatë: ‘More, çfarë pune mund të baj me juve’”.

Qe, kësi far luftëtarësh kanë qenë në rrethimin e shpisë së Esadit, që ministri italian e nxorri nga shpija dhe e futi në vaporin italjan.

Më 15 ose 16 qershor 1914, dita e hanë në mëngjez duke gëdhi, na zgjoi bubullima e topave nga kalaja, që qëllonin kundër rebelëve që kalonin Urën e Dajlanit dhe sulmonin Durrsinsë të tërbuem, një fuqi tjetër, të primë prej Hamdi Shijakut, sulmonte nga ana e Spitallës.

Vlonte lufta rreth e rrotull qytetit. Goditeshin pozitat tona nga buza e detit e deri te kodrinat e Spitallës e të kazermës me nji formë harku.

Axha Isa, ndonëse pa qejf, u çue. Me shpejtësi jemi dalë nga hotel “Kosova”. Njerzit që i keshim të vendosun në shkollën greke na pritshin në Shesh të Lirisë, të gjithë gati. Axha, me gjithë që nuk e dinte mirë pozicionin e vendit, vështroi rreth e rrotull dhe në moment tha: “Këtu drejt terreni i hapët qenka në rrezik”. Kemi vrapue drejt rrugës. Prapa mullinit të Konomit, ishin mështetë Marka Gjoni e Bajram Daklani. Vetë me shokë vijova tamam para depos së vajgurit, në të dy krahët e rrugës, në nji hendek.

Kapiten Ismail Haki Peqini, ashtu si u ka hije oficerave trima, me atë pak fuqi gjindarësh rezistonte para nji fuqie të madhe rebelash, që iu kish afrue e sulmonin si të çmendun. Me nji fjalë, pengimi i rebelave pa u fut në qytet, përderisa jemi shkue na iu dedikohet këtyne dy oficirave, por mbrenda disa minutash shumica e madhe do t’i kaplonte dhe vetë ata do të mbaronin. Na në atë kohë ende nuk e dallojshim veshjen e Shqipnisë së Mesme me atë të Mirditës. Kur i pashë rebelët të ecnin drejt fushës së hapët si pa gja të keqe, pa marrë parasysh zjarrmin e pushkëve e të mitralozave, as të artilerisë që i bombardonte nga Kalaja e Durrësit, pandeha se janë shokët tanë mirditas duke u tërheq në pozicionet tona dhe i them kapiten Ismail Hakiut, që vetë shtinte me mitroloz: “Mos more, se janë shokët tanë”. Kur ai me nji za të thekshëm: “Bjeru ore, se rebelët janë”. Në këto fjalë e sipër nga shokët që i kisha pranë meje, Ibrahim Bugari nga Lugu i Baranit m’u vra vdekun, dhe Arif Bajrami i Isniqit u plagos randë. Atëherë filloi përleshja.

Unë, mbasi e lashë axhën Isa me Jonuzin te mullini, s’kesha gajle, por ai nuk qindron ku e lashë dhe me gjithë Jonuzin vjen mbas meje. Edhe ky, bash si unë, pandehu se janë mirditasit dhe me za të naltë thotë: “Mos shtini se janë shokët tanë”. Ahere unë. “Bjeru axhë, se rebelët janë. Qe ku më vranë dy shokë”. Zjarrmi filloi mbarë e ballë për ballë, jo ma larg se 200 metra. Qe besa, iu dukeshin duertë tue luejt llozin e pushkës kur i shtinin fishekët. Të gjithë sulmonin në kambë, të dehun të shkretit nga propaganda fetare e tradhtare. Na sulmonin sikur të ishin bagti me hajmali (nuska) në qafë të shkrueme nga sheh Hamdija duke thirrë: “Përpara, burra, për din e iman, se nuk na shpon plumbi i qafirit”! Kishte njerëz me pushkë të vjetra me çakmak, po edhe me kosare.

Më ka takue me ndodh në lufta, me ushtri turke, serbe e malazeze, po nji sulm i tillë i çmendun me të ardhë drejt e në grykë të pushkës si të tërbuem nuk më ka ndodhë ndonjiherë. Pse kalojshin përmbi kufomat e të vramëve të tyne, me të cilat ishte mbush fusha si duejt nëpër ara, as që u bante përshtypje, veç se vraponin drejt vdekjes. Aty kah dreka menzi ua kemi ndalue hovin e sulmit. Kur panë se pavarësisht nga çdo sakrificë dhe humbjet e mëdha në këtë drejtim nuk mundën me hi në qytet, sulmuan majtas buzës detit. Kjo ka qenë edhe ma e çuditshme. Rebelët vrapojshin anës së majtë të vijës së hendekut që na ndante si derra të egër, kurse na anës së djathtë tue luftue brijaz iu duelëm para e i ndaluem buzës detit pa hi në qytet.

Vonë mbas dreke menxi i kemi qitë përtej urës së Dajlanit, tue luftue herë në nji krah e herë në tjetrin me sulme e kundërsulme. Nga ana e Spitallës, kodrinave, në atë krah sulmonte sheh Hamdiu. Këtë hallë e mbronin mirditasit, që kishin nxanë pozicion po në kodrinë mbi kazerma. Ma poshtë, në periferi, para kazermave rrugën e Spitallës e mbronte kapiten Taib Shkodra me gjindarë që ka ba mrekulli qindrese. Mbasi iu kanë vra 4-5 vetë e ka përdorë mitralozin deri sa u plagos edhe vetë, por edhe sheh Hamdiut ia dha 5-6 plumba.

Në kohë dreke, mirditasit në kodrina tronditen e bajnë sikur me u tërhek nga pozicioni. Për fat aty u ndodh kapiten Kamber Sejdini nga Elbasani me 7-8 shokë. Me sakrifica shpirti i kurajon e prapë i vendos nëpër pozicione. Po të futeshin rebelët në qytet nga ajo anë, do të bahesh nji kasaphane në njerëz.

I ndjeri kapiten Kamberi, frontin e mbajti, por vetë me gjithë Durmish Preshevën e me të tjerë shokë ra dëshmor. Prej shokëve të tij, vetëm Sulejman Kusari nga Gjakova ka shpëtue.

Në frontin ke depua e vajgurit, në të himë të Durrësit, ku ishim na, asht vra kolonel Thomsoni, hollandez, organizator i gjindarmërisë shqiptare. Para dreke, bash kur bahesh ma e madhja kacafytje, ka ardhë drejt rrugës në vijë të luftës dhe, tue qenë ende në kambë, e kam pa me sy kur batarja e rebelëve, që ende kishim shumë afër, e shtriu përdhe atë farë burri, që aq fort interesohesh për Shqipni. Kurse nga mirditasit asnji nuk u përgjak.

Në këto luftime në Durrës na kanë vra pesë vetë kosovarë e 10 na u kanë plagosë. Të vramë ishin: 1. Ajdin Draga; 2. Augustin Prizreni; 3. Ahmet Gega nga Isniqi; 4. Ibrahim Bugari nga Lugu i Baranit të Pejës; 5. Durmish Çaushi nga Presheva. Kurse u plagosën: 1. Im vëlla, Jonuz Boletini; 2. Arif Bajrami nga Isniqi; 3. Mustafa Emin Prishtina; 4. Muhrrem Haxhi Latifi nga Peja; 5. Ibrahim Tigani nga Peja; 6. Arif Maqestena nga Llapi; 7. Hasan Mahmut Batusha nga Reka e Gjakovës; 8. Hamdi Ahmeti nga Podgori i Pejës; 9. Agush Prishtina; 10. Abedin Rahoveci.

Dita e nesërme, më 16, kaloi me varrimin e dëshmorëve. Në mëngjesin e kësaj dite na kanë ardhë në ndihmë prej Lezhje me vapor 1000 e ca mirditas me Ndue Gjonin në krye. Në atë mbramje parisë e fuqive vullnetare iu shtrue nji darkë nga qeveria në hotelin “Ruejal”. Meqë axha Isa ishte sëmurë, më çoi mue në atë darkë.

Duket se mirditasit (paria) ishin prekur për shkak të luftës së kësaj dite, për rezistencën e nji pakice kosovare karshi gjithë asaj fuqie rebele në nji terren të hapët, nëpër lëndina e rrugëve brophoritesh nga populli e baheshin lavdata nga të huejt. Në pije e sipër shifesh nervoziteti i tyne, sidomos prej fjalëve të Ndue Gjonit që ishte qenë shumë ma i trashë se Marka Gjoni. Ndër atë pari Zef Ndoci dukesh si ma i zgjueti.

Tue hangër e pi mirë, në pije e sipër vendosën që të nesërmen me e sulmue Rrashbullin, në kundërshtim me mendimin e qeverisë. Sado që L. Gurakuqi me shokë u lodh për me i ndalue, përderisa pak a shumë të organizoheshim disi, ku ndigjonte koka e Ndue Gjonit rregull e disiplinë. Kur u shpërndamë prej darke, Gurakuqi më tha të lajmërojsha axhën Isa për sa u vendos. I thash: “Ai asht me ethe, por unë me njerëz dal herët ku ta dojë nevoja”.

U ktheva në hotel, por nuk ia prisha gjumin axhës Isa. Shokët i lajmërova të jenë gati. Në feks mbërrini me nji pushkë në krah edhe Gurakuqi dhe e lajmëroi axhën Isa për sa kishin vendos paria e Mirditës. Ndonëse axha ishte me ethe, iu lut të dilte. Ashtu i sëmurë doli dhe me telefon e pyeti kryeaxhutantin Eqrem Libohovën, i cili përgjegji: “Po, kanë vendos me krye të vet, pa pëlqimin e qeverisë, po ju kujdesuni, mbase i rregulloni disi”.

Mirditasit u mblodhën në shesh të kazermës. Mjaft u munduem me i ndalue deri në nji përgatitje ma të mirë, por pa dobi. Ku dëgjonte Ndue Gjoni i pirë. U nisën për në Rashbull, drejt rrugës, pa kurrfarë taktike, grumbull sikur shkonin në dasëm e tue thanë se Mirdita din me luftue vetë, e s’ka nevojë për këshilla taktike.

Pallati, tue pa atë çrregullim e pabindësi të tyne, ndoshta formoi ndonji dyshim, ndaj iu lutën axhës Isa që me kosovarë të qëndronte te Ura e Dajlanit, pranë artilerisë së komandueme prej kapiten Abdullah Elbasanit për me pasë kujdes krahin e Kavajës. Dhe, ashtu u vendos. Unë me njerëz u rreshtova në të djathtë të anës së detit, në atë krah.

Artileria filloi me rrah pozicionet rebele të fortifikueme në kodrinën e Rrashbullit. Mirditasit, ma se 500 burra, drejt rrugës grumbull, i afroheshin llogoreve të rebelve. Oficerat turq, tue pa se sulmuesat po afrohen pa kurrfarë taktike luftarake, nuk lejuen me shti deri sa mirditasit iu afruen 100 metra e iu kapën stomit përpjetë. Përnjëherë filloi zjarri dhe breshni i plumbave të pushkës e i mitrolozave korrte pa mëshirë në atë tufë të shkretë. U ba kërdia, u mbush rruga me kufoma e të plagosun.

Çka me pa? Djemtë trima të Mirditës, pa shikue se kush po vritet, sulmojshin drejt atij zjarri me trimni të madhe. Dhe u vranë me qindra, ma të mirët djem të bajraqeve, nga pakujdesia e parisë së tyne injorante e të bastardueme, që për interesat e tyne i hidhnin në zjarr ata farë sokolash pa kurrfarë dhimtëje! Vetë e kam pa Marka Gjonin me nji kalë dori tue hikun pyllit të Shkozetit e popullin e la përfyt në Rrashbull me rebelë pa pas kush me i udhëzue. Nji të vramë ose të plagosun, 20-30 burra e përcillshin për në spital. Me ata që i këshillonin se mjaft janë 3-4 vetë e tjerët me u kthye te shokët se po zbrazet froni, ishin gati me u vra. Me gjithë këtë lufta vazhdonte me tërbim të madh. Ndërkohë, Mon Picari, nji prej krenve të rebelave e luftar i njoftun, me nji fuqi, për t’u përbri mirditasve në Shkozet, tue përfitue nga derformimi i terrenit e i xhunglave, po u afrohesh fshehurazi. Me këtë goditje në befasi mund t’iu priste edhe rrugën e tërheqjes në Durrës.

Kur rebelët panë se drejtimi i tyne në atë krah ishte nxanë prej nesh, po fshehurazi, në mënyrën e sipërtregueme na afrohen shumë afër për të na ra në befasi e me na çkatrrue. Fati i bardhë që shoku i jonë Sabedin Borshi i shef e më thotë: “Të vranë”. Isha në krye të rreshtit e në kambë tue shique me turbi zhvillimin e luftës në Rrashbull. Shiqova në të djathtë. Të gjithë rebelat i kam pa tue i drejtue pushkët në mue. Si vetëtima jam shtri. Nji breshër plumba, që do të më korrshin, në sekondë kaluen mbi mue. Shokët në rresht buzëz detit, prapa meje, pandehën se u vrash. Qe, sikur të mos shihte S. Borshi, sot nuk isha gjallë.

Përleshja filloi hundë për hundë, shumë afër. Pozicionin e kishim keq, pse na ishim rreshtue rend përball kodrave, kurse ata na ranë përbri nga buza e detit. Sikur mos t’i kesha shokët e provuem, që u orientuen shpejt, do të ishim në pozitë të vështirë me përballue atë befasi të fortë. Me largimin tonë nga ai pozicion, me iu ra fuqive qeveritare që sulmonin Rrashbullin, dhe me iu pre rrugën me Durrës.

Në këtë pozicion luftën e vazhduem deri mbas dreke, sa u tërhoqën mirditasit te ura e Dajlanit. Ahere edhe na, simbas urdhënit, jemi tërhekë kadalë, tue përcjell e rendi shoqi-shoqin, pa i lanë rebelët me përparue asnji kambë. Nga 10 shokët e plagosun, të gjithë emigranta, katër të fundit në luftën e kësaj dite m’u kanë plagosë.

Humbjet që pësuen rebelët me datë 15, i shpaguen më 17, për fajin e parisë së Mirditës, që për interes e kapriçio i sakrifikonte djemët e nanave pa kurrfarë dhimbje, sikur të ishin zogj pulash! Sa fatkeqësi e madhe, faj e pa faj, në të dy anët derdhesh gjaku i shqiptarit e, çka asht ma keq, në dobi të tradhtarëvet e në dam të atdheut e të kombit.

Në luftimet e datës 15 e 17, Bajram Curri e Prenk Pasha ende ndodheshin në Lezhë tue mbledh fuqi, që prej Lezhe, nëpër të thatë t’i drejtoheshin Shijakut. Mbasi pregatiten, me nji fuqi të konsiderueshme kalojnë Milotin. Po, për faqe të zezë, si veç të keqe ka malsorhanja, nisin me plaçkitë. Në Shllinza të Ishmit iu dalin përpara rebelët. Populli, i dishpruem prej plaçke që i bahesh, bashkohen me rebelë me nji kundërsulm i shpartallojnë keq saqë B. Curri e P. Pasha menxi shpëtojnë vetë e mundin me u kthye prapë në Lezhë. Na, tue pritë me padurim që, simbas planit, kur të afroheshin ata edhe nga Durrsi të sulmonim Rrashbullin, digjuem disfatën që kishin pësue.

Nga Shëngjini nëpër det erdhën në Durrës. Bajram Curri fuqinë malsore e solli me vete, kurse Prenk Pasha, jo që nuk pruni ndonji fuqi me veti, po simbas këshillave të ministrit italian në Durrës, të baron Aliotit, edhe ata mirditas që ishin ardhë me para i mori e iku nga Durrsi për në Lezhë.

Qe pra, a nuk asht për t’u dhimtë ai popull trim me tradita fisnikërie kombëtare që pasha i tyne i përdor për vegël e mjet tregtie në dam të kombit dhe mundin e gjakun a shfrytëzon për qejfe e interesa personale si me qenë të ardhun nga çifliku?

Me largimin e Preng Pashës me mirditas nuk u mërzitëm, për arsye se, siç e kam përmend ma nalt, qysh në luftën e 15 qershorit, por edhe aty e mbrapa, nga propaganda që bahesh me çdo mjet e intrigë për me na përça e me na ngatrrue, na krijuem nji grindje ndërmjet veti që për pak ditë sa ndejtëm në Durrës disa herë gati jemi ba lesh e li ndër veti. Kurse, me largimin e mirditasve e të atyne që dyshoheshin si esadista e nën influencën e të hujve, mbetëm rehat, pa xhibla brenda. Na me emigranta, B. Curri me malsorë të Gjakovës, pra vetëm fuqi kosovare, për nji qëllim e për çdo gja në harmoni të plotë, qindruem derisa u largua Princ Vidi më 4 shtator 1914. /Telegrafi/