LAJMI I FUNDIT:

Dy të vërteta nuk mund të jenë

E vërteta është se problemi në veri të Kosovës ekziston që prej vitit 1999 dhe ai kërkon trajtim dhe zgjidhje të drejtë. Ai është rikonfirmuar gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës në Vjenë (duke u trajtuar si çështje e veçantë brenda Pakos së Ahtisarit) dhe legjitimuar në Kuvendin e Kosovës (kur kjo pako është miratuar nga deputetët kosovarë). Kështu që fajtor për gjendjen atje, as më pak dhe as më shumë se Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk janë as zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët kanë pranuar që veriu të trajtohet si çështje në vete.

Dhe, për shkak të këtyre lëshimeve brenda Pakos së Ahtisarit dje, dhe atyre që po i shohim të ndodhin sot, ne nuk jemi në gjendje as të tërheqim dhe as të këpusim, ngase dikush tjetër po vendos dhe udhëheq procesin negociator. Këtu duket se është dorëzuar edhe Kryeministri Thaçi, i cili po deklaron se më 4 mars do të mund t’ia "këpusim" litarin veriut, për ta shpëtuar nga "vdekja". Por, imazhi i "fotografisë" që po na tregohet për veriun, lë përshtypjen se edhe pas shkuarjes së Hashim Thaçi nga pozita e kryeministrit, shoqëria kosovare të vazhdojmë të torturohet dhe sprovohet nga "zgjidhjet" që ai po i pranon sot në Bruksel.

Me këtë po vërtetohet teza se kryeministrit Thaçi i ka rrëshqitur nga dora rrjedha e procesit negociator dhe po e humb çdo ditë e më shumë kredibilitetin e tij politik për t’iu kundërvënë palëve me të cilat po dialogon. Ai, duke ndjekur pas propozimet që po i ofrohen, nuk do të jetë në gjendje që nga ky proces të nxjerr ndonjë zgjidhje triumfuese për shtetin e tij. Ka qenë "kryeministër" (i qeverisë së përkohshme), edhe në vitin 1999, kohë kur ka zënë fill problemi në veri dhe është pak e pritshme që nga një bashkëpjesëmarrës në krijimin e problemit në veri dje, të na shpallet si hero sot. Thaçi do të na ndihmonte shumë më shumë sikur t’u sqaronte bashkëqytetarëve të tij se pse dhe si mbeti veriu i Kosovës në këtë gjendje për 13 vjet? Këtë e ka edhe më të lehtë tani, pasi që brenda partisë së tij (PDK) janë rreshtuar pothuajse të gjithë protagonistët e ngjarjeve në vitin 1999.


Kjo nuk duhet nënkuptuar se po kërkohet me ngulmë ndalja e bisedimeve dhe kërkimi i zgjidhjeve për problemet që na rrethojnë dhe mbajnë pezull për vite të tëra, sepse sa më shumë që zvarriten ato bëhen më të vështira për t’u zgjidhur. Shqetësimi ka të bëjë me faktin që këtë situatë të vështirë dhe të ndjeshme po e degradojnë në një çështje të parëndësishme, ku tani po bisedohet krejtësisht për çështjet të brendshme dhe rregullimin juridik e kushtetues të Kosovës. Me këtë, Thaçi ka pranuar që ta kërkojë zgjidhjen e problemeve në shtetin e tij mbi bazën e kriterit etnik, çka po i bënë favor Serbisë.

Në vend të zgjidhjeve që rrezikojnë pavarësinë dhe sovranitetin e vendit, siç është krijimi i asociacionit të komunave në veri mbi bazën e kriterit etnik, Kosova ka nevojë për t’i forcuar ato parime dhe për të krijuar një shoqëri kompakte, bashkëpunuese dhe pajtuese. Qasja e tanishme e imponimit të zgjidhjeve nga ana e bashkësisë ndërkombëtare nuk mund t’u ndihmojë këtyre synimeve dhe as të vlerësohen si "historike". Më shumë se të tilla, zgjidhjet që po na ofrohen dhe po pranohen nga negociatorët kosovarë mund të vlerësohen si "histerike".

Prandaj, për të mos na u shndërruar në zgjidhje "histerike" marrëveshjet që po synohen të arrihen në Bruksel, institucionet dhe shoqëria kosovare do të duhej arritur një pajtim, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur. Nëse nuk është e mundur që rrjedha e lumit të ndalet tërësisht, kahja ka mundësi t’i ndërrohet. Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të refuzojnë çfarëdo zgjidhje për problemet në Kosovë mbi bazën e kriterit etnik apo religjioz.

Ato duhet të refuzojnë të bisedojnë edhe për rregullimin e brendshëm administrativ dhe rendin juridik e kushtetues që ka sot Kosova. Duhet refuzuar të bisedohet për kufijtë dhe organizimin e sistemit politik në Kosovës. Po ashtu, duhet refuzuar bisedimet edhe për ndryshime në sistemin e sigurisë, drejtësisë, të mbrojtjes dhe politikës së jashtme, të cilat parime dëshmojnë nëse jeni apo nuk jeni shtet. Ndryshe, cila do të ishte rëndësia e pavarësisë së Kosovës e shpallur mbi bazën e pakos së Ahtisaarit?

Kështu, është naive të besohet se këtu mund të ketë dy të vërteta për të njëjtën çështje: një që mund ta prezantojë Hashim Thaçi para qytetarëve të tij në Kosovë dhe një tjetër të cilën mundet Ivica Daçiqi t’ua komunikoj serbëve në veri e Serbi. Derisa Hashim Thaçi nuk prezanton ndonjë dokument me të cilin e dëshmon të vërtetën e tij (por, vazhdon të përsëris frazat e njëjta patriotike në Kuvendin e Kosovës e para mediave), dyshimi mbi aftësinë e tij politike dhe negociatore do të vazhdojë, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë të gënjehen derisa dikush tjetër të mos na e thotë njërën të vërtetë.