George Monbiot / The Guardian
Përktheu: Agron Shala /Telegrafi.com
Po, ka diçka që mund të bëjmë. Diçka që, qoftë edhe e vogël, ka kuptim. Lufta propagandistike ka qenë gjithmonë vendimtare për Vladimir Putinin. Ai i ka përdorur rrjedhat e dezinformatave për t’i ngatërruar dhe çorientuar njerëzit jashtë shtetit të tij dhe për ta forcuar mbështetjen në vendin e vet. Kremlini e di se çdo veprim e kërkon një aparat justifikimi. Rusia nuk mund ta vazhdojë luftën e saj të kushtueshme pa pëlqimin e trupave të saj dhe të shumë qytetarëve tjerë.
Njihen fabrikat e karremave të Putinit për nxjerrjen e pretendimeve mashtruese, por fuqia e tyre është e kufizuar nga mungesa e besueshmërisë. Ajo që i shërben atij mirë, siç sugjeron një studim i Institutit të Hulumtimit të Krimit dhe të Sigurisë në Universitetin e Kardifit, janë “komentet organike”: deklarata nga njerëz të vërtetë, duke përsëritur dhe përforcuar propagandën e tij. Këto janë pëlqyer ose mbivotuar nga botat e internetit e më pas janë riprodhuar në mediat ruse, për të krijuar përshtypjen se ka mbështetje të gjerë jashtë shtetit.
Natyrisht, njerëzit e vërtetë kanë të drejtë t’i shprehin mendimet e tyre, sado të gabuara. Por, duke e pasë parasysh dobinë e tyre për makinerinë ruse të dezinformimit, besoj se e kemi për detyrë t’i zhvlerësojmë dhe kundërshtojmë justifikimet mashtruese. Duke vepruar kështu ne mund ta ndihmojmë – në mënyrën tonë më të paktë – rezistencën në Ukrainë.
Kjo më vë në një situatë të vështirë. Ndër shpërndarësit më të këqij të propagandës së Kremlinit në Mbretërinë e Bashkuar janë njerëzit me të cilët në të kaluarën i kam ndarë platformat dhe kam bërë aleanca. E vërteta e zymtë është se, për vite me radhë, një segment i së majtës “anti-imperialiste” ka ricikluar dhe përforcuar gënjeshtrat e Putinit. Ky segment nuk është aspak përfaqësues: shumë të majtë të tjerë e kanë denoncuar me vendosmëri dhe vazhdimisht imperializmin rus, ashtu siç e denoncojnë me të drejtë imperializmin e ShBA-së dhe të Britanisë së Madhe. Por, mendoj unë, ka një gjë me rëndësi këtu.
Në fund të vitit të kaluar, shkrimtari dhe filmbërësi John Pilger pretendoi se “ishte ShBA-ja ajo që e përmbysi qeverinë e zgjedhur në Ukrainë, në vitin 2014, duke e lejuar NATO-n të marshonte deri në kufirin perëndimor të Rusisë”. Kjo është tema standarde e bisedës së Kremlinit, duke e hedhur poshtë revolucionin e duke e cilësuar si puç amerikan. Ukraina, natyrisht, nuk është anëtare e NATO-s.
Në mënyrë më të ashpër, sipas mendimit tim, ai pohon se në ditën e pushtimit “Putini thuhet se ofroi paqe, nëse Ukraina e përqafon neutralitetin dhe i refuzon armët e NATO-s”. Është vështirë të shihet se si kërkesa e Putinit për dorëzim mund të interpretohet si ofertë e vërtetë paqeje. Teksa tanket ruse silleshin përreth kufirit, Pilger kërkoi ta “imagjinonim një enklavë strategjike të britanikëve, të francezëve, të gjermanëve apo të amerikanëve nën një rrethim të dhunshëm – të bombarduar e të terrorizuar për tetë vjet”. Kjo del se po i bën jehonë fjalimit të Putinit të një natë më parë: “Qëllimi i këtij operacioni është të mbrojë njerëzit që për tetë vjet po përballen me poshtërimin dhe gjenocidin e kryer nga regjimi i Kievit”. BBC raporton se pretendimet e Pilgerit janë shpërndarë gjerësisht nga llogaritë që e përhapin propagandën ruse.
Letrën e 18 shkurtit të Koalicionit “Stop Luftës”, të nënshkruar nga shumë njerëz të mirë dhe të shquar, e shoh çuditërisht si të pabalancuar. Aty thuhet se e “kundërshton çdo luftë për Ukrainën”, por nuk tha asgjë për agresionin rus. Dukej se e fajësonte vetëm NATO-n dhe qeverinë britanike dhe se kërkonte që “të gjitha lëvizja kundër luftës të bashkohen mbi bazën e sfidimit të qëndrimit agresiv të qeverisë britanike e mbi të gjitha ta drejtonte fushatën e saj te ky qëllim”.
Koalicioni së fundmi ka prodhuar një hartë që e shfaq Krimenë pas aneksimit të paligjshëm, si pjesë të Rusisë. Zëvendëspresidenti Andrew Murray ka pohuar se është mit se Ukraina dëshiron paqe. Ai gjithashtu e ka riprodhuar një gënjeshtër klasike të Kremlinit: në Ukrainë “rusishtja është e ndaluar në sferën publike”. Fiona Edwards, anëtare e komitetit drejtues të këtij koalicioni, ka këmbëngulur se “NATO është agresor, jo Rusia”.
Është një pretendim i fuqishëm se NATO duhej të ishte shpërbërë në fund të Luftës së Ftohtë. Por, teksa mendësia e kërcënimit të Putinit del se është rritur nga zgjerimi i NATO-s dhe nga shkarja e këtij misioni, zgjerimi i NATO-s është nxitur pjesërisht edhe nga armiqësia e Putinit. A duhet të besojmë vërtet se Estonia dhe Letonia u bashkuan sepse donin ta sulmonin Rusinë? Përkundrazi, kjo ndodhi për shkak se kanë frikë nga sulmi. Teksa rritja e NATO-s ka të ngjarë të ketë kontribuar në këtë krizë, është qesharake të sugjerosh se Rusia nuk është agresor.
Ish-deputeti laburist Chris Williamson shkon edhe më tej. Teksa tanket e Putinit kaluan përtej kufirit të enjten e kaluar, e karakterizoi qeverinë e Ukrainës si “regjim të korruptuar, pas puçit të mbështetur neonazistët”, një shpifje kjo klasike e Kremlinit. “The Morning Star”, që ka dhënë një nga shumë shembuj të ngjashëm, e përshkruan në mënyrë të rreme administratën e presidentit Volodymyr Zelenskiy si një “qeveri fashiste”.
Sado e dëmshme të jetë kjo propagandë, mbështetja e majtë për një tjetër projekt të Putinit ka implikime edhe më serioze. Qëkur Rusia e vuri fuqinë e vet te regjimi i Bashar al-Assad në Siri, në vitin 2015, “anti-imperialistët” në vendet perëndimore, me ose pa dashje, kanë ndihmuar në retushimin e disa prej mizorive më të këqija në botë. Pilgeri, i ndjeri Robert Fisk dhe gazetari i njohur Seymour Hersh, që të gjithë kanë ndihmuar në minimin e raporteve të vërtetuara për përdorimin e armëve kimike nga Assadi.
Siç ka shpjeguar Peter Tatchell në “Independent”, koalicioni “Stop Luftës” ka një qasje të çuditshme e të njëanshme ndaj konfliktit, duke e përqendruar zemërimin ndaj ShBA-së, megjithëse shumica dërrmuese e mizorive janë kryer nga qeveria e Assadit dhe nga mbështetësit e tij rusë. Një grup profesorësh në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar, të cilët e quajnë veten Grupi i Punës për Sirinë, për Propagandën dhe Median, ka ndihmuar në përhapjen e pretendimeve shumë të rrezikshme e të pabazuara në lidhje me Helmetat e Bardha: forcë shpëtimi që nxjerr njerëzit nga rrënojat, pas sulmeve ajrore në Siri. Një anëtar i grupit të punës, profesor i gjenetikës në Universitetin e Edinburgut, i quajtur Paul McKeigue, ka thënë se Helmetat e Bardha mund të kenë organizuar “masakra të menaxhuara”, ndoshta duke përfshirë robër “të vrarë në një dhomë të improvizuar gazi”, trupat e të cilëve më pas u hodhën në tokë. I shoh teoritë e tilla konspirative si një lloj QAnon-i i majtë.
McKeigue i tha gjithashtu një hetuesi, që paraqitej si oficer i inteligjencës ruse – me të cilin mendonte se po bashkëpunonte – se ishte i lidhur me stafin e ambasadës ruse në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Holandë.
Informacioni i rremë për Sirinë përhapet me të madhe po ashtu nga botat e Kremlinit dhe përdoret për t’i justifikuar sulmet e Assadit. Ka gjasa që kjo ka ndikime në botën reale, pasi e zvogëlon koston politike të mizorive të regjimit. Biseda e pakujdesshme kushton me jetë.
Antiimperializëm i vërtetë do të thotë të kundërshtosh jo vetëm imperializmin e Perëndimit. Ka të bëjë me kundërshtimin e gjithë imperializmit, qoftë perëndimor, rus, kinez apo tjetër. Ka të bëjë me kundërshtimin e të gjitha luftërave agresive, pavarësisht se kush i zhvillon ato. Bëhet fjalë për t’i rezistuar tundimit për të besuar se armiku i armikut tuaj duhet të jetë miku juaj. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Përqindja e përkthyer në mandate, Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës

Lista Serbe do t'i dërgojë 500 njerëz në Beograd për ta mbrojtur Vuçiqin

Mandl në një linjë me kongresistin amerikan: Kosova nuk do të zhduket, është shembull i bashkëjetesës në Evropë

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Votat e diasporës, pesë kandidatët më të votuar deri tani nga LVV

"Kosova do të mbetet e pavarur", kongresisti demokrat Torres reagon ashpër ndaj zëvendës sekretares së shtypit Wilson

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA, e krahason me 'majmun kacavjerrës'

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Nga Instagrami i Gjestit e konfirmojnë që ai deshi të arratisej nga shtëpia e BBVA duke kapërcyer murin?

Cila është rruga e 'Gold Card' e Trump drejt shtetësisë dhe si mund të funksionojë?