Nga: Nectar Gan dhe John Liu / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com
Më pak se një vit pas fillimit të luftës së parë tregtare të Donald Trumpit me Kinën, udhëheqësi kinez Xi Jinping bëri një vizitë të nivelit të lartë në një fabrikë të thjeshtë në Ganzhou, një qytet industrial i rrethuar nga kodrat në juglindje të vendit.
Gjatë një vizite në sallën e ekspozitës, në vitin 2019, Xi vëzhgoi ca rreshta me blloqe të zakonshme metali gri dhe deklaroi përpara një grupi zyrtarësh të Partisë Komuniste: “Mineralet e rralla janë burim jetik strategjik”.
Gati gjashtë vjet më vonë, dominimi i Kinës në zinxhirin e furnizimit me minerale të rralla është shfaqur si një ndër mjetet më të fuqishme në një luftë të re tregtare me presidentin e Shteteve të Bashkuara. Këto minerale – të domosdoshme për gjithçka, nga iPhone-at te automjetet elektrike – janë përbërës kyç për teknologjitë e avancuara që do të përcaktojnë të ardhmen.
Dhe, ndryshe nga tarifat, kjo është një fushë ku Trumpi ka pak hapësirë për kundërpërgjigje të barabartë.
Mineralet e rralla janë një grup prej 17 elementësh, më të shpërndara se ari, dhe që mund të gjenden në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Por, ato janë më problematike, më të shtrenjta dhe më ndotëse për t’u nxjerrë dhe përpunuar.
Për dekada të tëra, ShBA-ja dhe vendet e tjera kanë qenë të varura nga furnizimi i Pekinit me këto metale të përpunuara. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Kina përbën 61 për qind të prodhimit global të mineraleve të rralla të nxjerra nga toka, ndërsa kontrollon 92 për qind të fazës së përpunimit.
Më 4 prill, pas disa viteve me paralajmërime të tërthorta, qeveria kineze vendosi kufizime eksporti për shtatë lloje mineralesh të rralla, si pjesë e kundërpërgjigjes ndaj tarifave “reciproke” prej 34 për qind të vendosura nga Trumpi për mallrat kineze. Rregullat e reja kërkojnë që të gjitha kompanitë të marrin leje qeveritare për të eksportuar këto shtatë minerale dhe produktet e lidhura me to, përfshirë magnetët.

Magnetët e bërë nga mineralet e rralla mundësojnë motorët dhe gjeneratorët më të vegjël dhe më efikasë që përdoren në telefonat inteligjentë, motorët e makinave dhe aeroplanëve, si dhe në aparatet rezonancës magnetike. Ata janë gjithashtu përbërës thelbësorë në një sërë armësh të shtrenjta, që nga aeroplanët padukshëm luftarakë F-35 deri te nëndetëset sulmuese me energji bërthamore.
“Është një tregues se si Kina mund të ushtrojë një forcë të jashtëzakonshme ekonomike duke qenë strategjike … dhe precize, duke goditur me saktësi industrinë amerikane atje ku i dhemb më shumë”, ka thënë Justin Wolfers, profesor i ekonomisë dhe politikave publike në Universitetin e Miçiganit.
Të martën, Trumpi urdhëroi një hetim për tarifat e mundshme mbi mineralet kritike – një kategori më e gjerë burimesh që përfshin edhe elementët e rrallë tokësorë – me qëllim vlerësimin e ndikimit të këtyre importeve në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Amerikës.
“Varësia e Shteteve të Bashkuara nga importet dhe cenueshmëria e zinxhirëve tanë të furnizimit, rrit rrezikun potencial për sigurinë kombëtare, gatishmërinë mbrojtëse, stabilitetin e çmimeve dhe mirëqenien e qëndrueshme ekonomike”, tha Trump në një urdhër ekzekutiv.
Që nga administrata e parë e Trumpit, ShBA-ja është përpjekur të kapë ritmin dhe të ndërtojë një zinxhir të brendshëm furnizimi për mineralet e rralla. Tri kompani amerikane të industrisë së mineraleve të rralla i thanë CNN-it se janë në proces të zgjerimit të kapaciteteve prodhuese dhe të sigurimit të materialeve nga aleatët dhe partnerët e ShBA-së.
Por, këto përpjekje do të kërkojnë vite për të përmbushur kërkesën e madhe të industrive kryesore amerikane.
Për momentin, ndikimi i kufizimeve të Pekinit, mbi eksportet, po ndihet menjëherë në terren.
John Ormerod, themelues i firmës konsulente për magnetët e mineraleve të rralla, JOC, i tha CNN-it se dërgesat e magnetëve të mineraleve të rralla, që i përkisnin të paktën pesë kompanive amerikane dhe evropiane, janë ndaluar në Kinë që pas hyrjes në fuqi të urdhrit.
“U kapën në befasi, kështu që ka shumë pasiguri nga ana e tyre dhe kanë nevojë për sqarime nga autoritetet mbi atë që kërkohet (për të marrë licencat e nevojshme të eksportit)”, tha ai.
Joshua Ballard, drejtor ekzekutiv i kompanisë USA Rare Earth, tha se kufizimet e eksportit përqendrohen te mineralet e rralla të rëndatë cilat kontrollohen në masën 98 për qind nga Kina. (Mineralet e rralla të rënda janë më të pakta, më të vështira për t’u përpunuar dhe më të vlefshme.) Kjo do të thotë se tani kompanitë duhet të kërkojnë miratimin e Pekinit për të furnizuar industritë kryesore amerikane, me këto materiale kritike, shtoi ai.
“Aktualisht, këto eksporte po pezullohen në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Ballard. “Ne nuk kemi ndonjë rezervë të konsiderueshme për këto materiale, këtu në ShBA … Ky është hapi më i fortë i Kinës. Ata nuk kanë shumë levë për tarifat ndaj nesh, por këtu kanë padyshim avantazh”.
Kontrollet e reja të eksporteve nuk synojnë vetëm materialet individuale, por edhe aliazhet dhe produktet që përmbajnë elementë të rrallë edhe në sasi minimale, tha Thomas Kruemmer, drejtor i firmës me bazë në Singapor që merret zinxhirin e furnizimit me minerale dhe metale, Ginger International Trade and Investment. “Tashmë, shumë eksporte përfshihen nën këtë sistem licencimi”, shtoi ai, duke theksuar se priten disa vonesa derisa eksportuesit përpiqen të përshtaten me sistemin e ri.
Sipas mediave shtetërore, Kina nisi nxjerrjen e elementëve të rrallë që në vitet ’50 [të shekullit XX], por industria filloi të zhvillohej realisht vetëm në fund të viteve ’70 [të shekullit XX].
Gjatë asaj periudhe, Kina kombinoi kostot e ulëta të punës dhe standardet relativisht të ulëta mjedisore me adoptimin e teknologjive të huaja, thotë Stan Trout, themelues i firmës konsulente për materiale magnetike dhe minerale të rralla, Spontaneous Materials.
“Shumica e teknologjive që sollën, vinin nga ShBA-ja, Japonia apo Evropa”, tha ai. “Dhe, me kalimin e kohës, jam i sigurt që i kanë përmirësuar ato”.
Me rritjen e prodhimit të mineraleve të rralla, Pekini kuptoi gradualisht rëndësinë strategjike të këtyre materialeve. “U krijua një ndërgjegjësim se kjo mund të ishte një teknologji shumë e rëndësishme për ta zotëruar”, shtoi Trout.
Në vitin 1992, gjatë një vizite në një nga qendrat kryesore të prodhimit të mineraleve të rralla në Mongolinë e Brendshme, Deng Xiaoping, ish-udhëheqësi kinez që udhëhoqi reformat ekonomike të vendit, tha fjalën e famshme: “Ashtu siç ka naftë Lindja e Mesme, Kina ka mineralet e rralla”. Sot, Kina e ka realizuar vizionin e Dengut, duke dominuar të gjithë zinxhirin e furnizimit me këto materiale.
Edhe pse tani kostot e punës në Kinë janë më të larta, kontrolli i saj mbi industrinë është forcuar për shkak të “gatishmërisë për të investuar në teknologji, kërkim dhe zhvillim, si dhe në automatizim” në një industri që kërkon investime shumë të mëdha, thotë Ormerod.
Dikur, edhe në ShBA kishte kompani që prodhonin magnetë nga mineralet e rralla. Por, sipas Ormerodit, ato dolën gradualisht nga tregu me shfaqjen e alternativave më të lira kineze.
“Kemi humbur njohuritë teknike, kemi humbur kapacitetin njerëzor dhe kjo është një industri me kosto shumë të lartë kapitale”, tha ai.
Tani është shumë e vështirë të konkurrosh me “çmimin kinez”, për shkak të përparësive që Kina ka nga shkalla e gjerë e prodhimit dhe nga ndihmat shtetërore që u japin edhe më shumë epërsi, shtoi Ormerod.
Sipas një raporti të Shërbimit Gjeologjik Amerikan, të publikuar këtë vit, midis viteve 2020 dhe 2023, ShBA-ja u mbështet te Kina për 70 për qind të importeve të saj të përbërjeve dhe metaleve të rralla.
Kontrollet e fundit të eksporteve nuk janë të parat që Pekini ka përdorur për dominim në këtë industri. Në vitin 2010, Kina pezulloi dërgesat e mineraleve të rralla për në Japoni, për gati dy muaj, për shkak të një mosmarrëveshjeje territoriale. Në fund të vitit 2023, Pekini vendosi ndalim për eksportin e teknologjive të nxjerrjes dhe ndarjes së mineraleve të rralla.
Pekini ka kufizuar gjithashtu eksportet e mineraleve të tjera kritike, të cilat janë thelbësore për ekonominë dhe zinxhirët globalë të furnizimit.
Ekspertë dhe akterë të industrisë thonë se kontrollet e eksporteve nga Kina e kanë lënë pjesën tjetër të botës me shumë pak alternativa. Por, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të mbushin boshllëkun.
Që nga viti 2020, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka dhënë mbi 439 milionë dollarë për të krijuar zinxhirë të brendshëm furnizimi për mineralet e rralla. Gjithashtu, ka vendosur si objektiv krijimin e një zinxhiri të qëndrueshëm – nga miniera te prodhimi i magnetëve – që të mbulojë të gjitha nevojat e mbrojtjes amerikane deri në vitin 2027.
Disa kompani amerikane e shohin kufizimin e eksporteve nga Kina si një mundësi për të përshpejtuar prodhimin vendas dhe për të shtyrë përpara krijimin e një zinxhiri furnizimi më të fortë jashtë Kinës.
Nicholas Myers, drejtor ekzekutiv i startap-kompanisë, Phoenix Tailings, me bazë në Masaçusets, ka thënë se kompania e tij ka zhvilluar një teknologji për përpunimin e mineraleve të rralla, pa asnjë mbetje dhe pa emetime ndotëse, duke i kthyer ato në metale dhe aliazh metalik, me materiale që vijnë nga burime vendase, si dhe nga Kanadaja dhe Australia.
Aktualisht, kompania e tij prodhon 40 tonelata metale dhe aliazhe të rralla në vit, dhe synon të arrijë në 400 tonelata me ndërtimin e një impianti të ri në Nju-Hempshir.
“Është një proces tërësisht vendas. Nuk varemi nga asgjë që vjen nga Kina”, tha ai.
“Shtetet e Bashkuara kanë absolutisht kapacitetet për të prodhuar metalet e rralla brenda afateve që na duhen vërtet. Thjesht, duhet të sigurohemi që të gjithë klientët dhe politikbërësit janë të përqendruar në mbështetjen e kësaj industrie për ta rritur atë sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi Myers.
Edhe bizneset amerikane po bëjnë përparime në pjesë të tjera të zinxhirit të furnizimit.
USA Rare Earth po ndërton një fabrikë për prodhimin e magnetëve në Teksas, me synimin për të prodhuar pesë mijë tonelata të magnetëve nga mineralet e rralla në vit. Sipas Ballardit, drejtorit ekzekutiv, kompania zotëron gjithashtu një depozitë të pasur me elementë të rrallë të rëndë në Perëndim të Teksasit – përfshirë të gjithë mineralet që ndodhen në listën e fundit të kontrolleve të eksportit të Kinës. (Depozita është gjithashtu e pasur me galium, një material kritik të cilin Kina ndaloi të eksportohej në ShBA në dhjetor të vitit të kaluar.)
Por, kompania është ende duke punuar për zhvillimin e teknologjisë së përpunimit, për të nxjerrë mineralet nga shkëmbinjtë, tha Ballard.
“Pyetja është: si mund ta bëjmë këtë më shpejt? Si mund të zhbllokojmë këto burime që kemi në ShBA, sado të pakta që të jenë? Duhet të zhbllokojmë atë që kemi dhe të ndërtojmë sa më shpejt që të mundemi”, tha ai.
Pas vitesh të tëra diskutimesh, kompanitë amerikane mund të kenë më në fund shtysën që u nevojitet për të ndërmarrë punën e vështirë të rindërtimit të industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të lëndëve të para – një komponent kyç për të fituar garën teknologjike me Kinën. /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Shoferët mbi 65 vjeç përballen me rregull të ri, BE shkurton vlefshmërinë e patentës së tyre

Trump takohet me presidentin sirian Ahmad al Sharaa, ka pesë kërkesa për të

Cilat janë analizat e gjakut që na tregojnë gjendjen e përgjithshme? Flet hematologu Gashi

Sondazhi i Telegrafit: Lexuesit fajësojnë LVV-në për dështimet në konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Ekstradimi i Masuricës në SHBA, Haxhiu: Dëshmi e forcimit të ligjit në Kosovë

“Mashtrimi ka emër: FSHF”, Tifozat Kuq e Zi dalin me reagim për biletat e ndeshjes Shqipëri -Serbi

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Kompletohu dhe shkëlqe në mbrëmjen e maturës me marrëveshjen mes Telegrafit dhe Melodia PX!

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Më të lexuarat

Deco fillon negociatat me yllin që po pëlqehet shumë nga Florentino Perez

Mbappes ia ofruan topin që ta marrë në shtëpi pas het-trikut, francezi befasoi stafin e Real Madridit

Arabia Saudite i jep Trumpit një shije të shtëpisë, i sjell edhe një McDonald’s në rrota

A i lejohet Trumpit të pranojë si dhuratë aeroplanin luksoz 400 milionë dollarësh nga Riadi?

Zyrtare: Shqipëria kualifikohet në finalen e madhe të 'Eurovision 2025'

Sirianët në të gjithë vendin festojnë pasi Trump heq të gjitha sanksionet