LAJMI I FUNDIT:

Drogë në autobusin Fier-Athinë

Drogë në autobusin Fier-Athinë

Rreth 13 kg marijuanë e presuar është kapur në autobusin e linjës ndërkombëtare Fier-Athinë nga kontrollorët e Policisë së Kakavijes.

Burimet zyrtare, pohojnë se poseduesi i marijuanës është arrestuar në flagrancë dhe ndaj tij rëndon vepra penale e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Erijon Trifoni 25 vjeç, emigrant në Athinë kishte siguruar sasinë e marijuanës në kohën kur ndodhej tek të afërmit e tij në Fier dhe kishte për qëllim ta conte drejt kryeqytetit grek duke fituar nga shitja e saj rreth 13 mijë euro.

Për të mos rënë në sy, ai kishte zgjedhur të udhëtonte jo me mjetin personal, por me linjën e autobuzit nga Fieri drejt Athinës që i përkliste shoqërisë “Likometaj”. Lëvizjet e 25 vjecarit fierak, dukej se ishin diktuar nga Policia e Shtetit, e cila ishte vënë në lëvizje për të bllokuar trafikun ndërkombëtar të marijuanës.

Ka qenë ora 23:00 e të premtes ku në Kakavije mbërriti autobuzi i cili transportonte marijuanën së bashku me disponuesin e saj. Sapo është afruar në qendrën e kontrollit fizik të mjeteve, autobuzi është kontrolluar imtësisht nga shërbimet e Policisë Kufitare përfshirë edhe kontrollin e të gjitha çantave dhe valixheve që ndodheshin në bagazhin e tij dhe ky veprim është ndërmarrë në prezencë të çdo pasagjeri.


Në fund të kontrollit, ka mbetur pa “zot” një valixhe brenda të cilës kishte sasinë e marijuanës. Pas disa minutave policët kufitarë, arritën të identifikonin 25 vjeçarin fierak si personin që kishte në pronësi valixhen së bashku me mallin narkotik në brendësi të saj, raportoi Panorama.

Në momentin final, i riu, ka arritur të shkruajë një sms me destinacion një numër shqiptar, ku lajmëronte një individ se e kapën së bashku me drogën. Pasi është vërtetuar se droga i përkiste Trifonit, ai është arrestuar menjëherë dhe materialet u përcollën për ndjekje penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kryeqytet. /Telegrafi/