LAJMI I FUNDIT:

Dr. Hajriz. S. Rudari, Mr. Sci., Kirurg vaskular

Dr. Hajriz. S. Rudari, Mr. Sci., Kirurg vaskular

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Hajriz. S. Rudari, Mr. Sci.
Kirurg vaskular
tel. 044 136 108


Doktor, kam probleme me vena që nga mosha 13 vjeçare. Tash i kam 15. Kur dua të vesh ndonjë fustan apo diçka tjetër, i shoh ato dhe menjëherë më vjen të qaj. Gjithashtu e kam pulpin e këmbës shumë të madh, ngase kam ushtruar hendboll dy vite.


PËRGJIGJE:
Së pari, ju preferoj që të mos shqetësoheni për faktin që keni vena të theksuara. Kjo, sepse tani ky problem i venave të zgjeruara trajtohet me metoda siç janë: sclerotizim me shkumë, laser, radiofrekuencë, varësisht çfarë shkalle të theksuar gjenden, por edhe intervenimi kirurgjik. Por, ju nuk keni treguar a keni vena të shprehura në të dy këmbët që është dukuri më e rrallë, apo vetëm në njerën këmbë? Dhe, nëse e keni pulpin më të trashë sesa është trashësia normale, kjo varet a jeni djathtiste apo majtiste. Nëse jeni djathtiste është normale të keni dallim për 1cm ekstremitetin e djathtë nga ai i majti, apo anasjelltas.
Venat jashtme nuk e trashin pulpin vetëm tek sëmundja kronike e tyre, edhe atë të shkallës së trete-katërt që, besoj se tek ju në këtë moshë, normalisht nuk ekziston. Por, që të sigurohemi, duhet të ekzaminohen venat e brendshme, të cilat, nëse kemi të bëjmë me patologji të tyre, këmba është më e trashë (edematoze) së bashku me të jashtmet.
Ju rekomandoj që gjithsesi të konsultoheni me kirurgun vaskular në mënyrë që të siguroheni, si dhe të largoni shqetësimin tuaj.


Përshëndetje. Kam një problem me penis. Më duket se damarët janë zgjeruar, nganjëherë normalizohen, mirëpo sidomos pas seksit zgjerohen. Më tepër është i theksuar damari kryesor në pjesën e sipërme, kurse në pjesën poshtë penisit, marrin forma të ndryshme. Nuk kam dhimbje, nuk kam pengesa në urinim si dhe asnjë problem tjetër, përveçse shqetësohem se nganjëherë janë shumë të zmadhuara. A ka ndonjë rrezik konkret, ju lutem?

PËRGJIJE:
Ajo që ju përshkruani, është normale. Tek disa meshkuj, janë më të theksuara venat në pjesën e sipërme (dorzale ) dhe nuk paraqet kurrfarë rreziku, andaj edhe me vet faktin që tregoni se nuk keni asnjë lloj pengese. Megjithatë, për çdo lloj paqartësie, ju sugjeroj konsultim me urologun dhe kirurgun vaskular.


Përshëndetje, jam 22 vjeçe; më ënjtet këmba e djathtë nga lart deri tek gjuri zakonisht kur bëhem nervoze ose kam ndonjë stres. Gjithashtu, para ose pas ciklit menstrual. Dhembjet me fillojnë nga beli.
Jam në pritje të përgjigjes suaj.

PËRGJIGJE:
Sipas jush, edema e këmbës deri tek gjuri, iu shfaqet më shume kur jeni nervoz. Unë, ju kisha preferuar një vizitë tek kirurgu vaskular, për arsye se edema e këmbës, nuk lidhet me nervozë e as shprehja apo theksimi i venave në këmbë. Andaj, duhet të bëhet ekzaminimi nga ana e kirurgut vaskular që të eliminohet edema apo dhembja vaskulare apo e ndonjë natyre tjetër.


I nderuar. Në nëngjurin e këmbës së djathtë, më është paraqitur një venë, por tash ka formë të rrumbullakë dhe është pak e skuqur jashtë. Kam pak dhimbje ose fare.
Të përshëndes.

PËRGJIGJE:
Ju duhet të bëni një eho dopler (ultrazë) të regjionit të nëngjurit, e nëse kemi të bëjmë me natyrë vaskulare, apo venë, ju sugjerojmë për mjekimin e duhur. Nëse kemi të bëjmë me vena, varësisht prej zgjerimit të tyre indikohet edhe intervenimi adekuat nga specialisti i kirurgjisë vaskulare.


Përshëndetje doktor. Përse në këmbët e mia poshtë në shputa, më bëhen disa pika të kuqe sikur shenja. Kur, ato i ngreh lart, më hiqen. Më kanë thënë që ka të bëjë me qarkullimin e gjakut. A është diçka serioze?

PËRGJIGJE:
Ju, nuk më keni treguar se çfarë moshe keni, a pini duhan, a keni vena të zgjeruara?
Konsultoni kirurgun vaskular për një ekzaminim të gjendjes venoze si dhe arteriale ose edhe jashtë kësaj natyre.


Jam 32 vjeçe, i kam venat në këmbën e majtë. Vetëm verës kam probleme, dhimbje. Këto vene, më janë formuar gjatë shtatzënisë.
Çfarë mund të më sugjeroni për periudhën kur më shfaqen problemet e tilla?

PËRGJIGJE:
Shtatzënia ndihmon të shfaqen venat, por nuk i shkakton apo bën zgjerimin e tyre.
Këshilloj që të bëni vizitë te kirurgu vaskular, në mënyrë që të merrni këshillat se si t’i largoni apo prevenoni, varësisht nga shkalla e zhvillimit të tyre.


Kam dhimbje në këmbën e majtë, fillon përmbi gju nga ana e kundërt, deri nën thembër. Po ashtu kam dhimbje në gjoks dhe shkon nga ana e majtë dhe më dhemb dora e majtë. Nganjëherë edhe venat kryesore në qafë më japin dhimbje. Kam qenë tek kardiologu edhe pas të gjitha analizave del që me zemër është gjithçka në rregull.
Doktor, nga më vijnë këto simptoma, sepse nuk jam rahat dhe kam dhimbje, sidomos me ndërrimin e kohës.
Ju lus për përgjigje. Që më parë ju falënderoj.

PËRGJIGJE:
Së pari, dhembjen e këmbës nuk e keni përshkruar nëse është nga ana e jashtme e këmbës (prej ijëve deri në thembër- pjesa e jashtme), apo pjesa e pasme e këmbës (prej gropës së pasme të këmbës nën gju deri tek thembra).
Venat e qafës nuk japin dhembje. Sipas përshkrimit tuaj, ju keni probleme me unaza të qafës dhe të belit, edhe pse nuk keni dhënë të dhëna për peshën dhe moshën.
Ju rekomandoj që të bëni RTG të apertures së sipërme të toraksit dhe unazave të qafës në dy drejtime, si dhe analizat rutinore të gjakut duke përfshirë edhe testet reumatizmale dhe, të lajmëroheni për vizitë.


Unë kam ulkus cruris në këmbën e majtë. Isha në klinikë të kirurgu vaskular, i cili preferonte vetëm lidhjen me fasha çdo të dytën ditë dhe çorapet. Megjithatë varra nuk po qetësohet.
Çka më preferoni të bë
j?

PËRGJIGJJE:
Shërimi i ulcerës venoze (ulcus cruris) kërkon ndërmarrje të masave të posaçme terapeutike. Sëmundja kalon në faza të zhvillimit. Faza akute tek e cila këshillohet qëndrimi në shtrat me ngritje të ekstremitetit më së paku pesë deri shtatë ditë, i nevojshëm për tërheqje të edemes. Infeksioni trajtohet me antibiotik oralë ose intravenozë, sipas antibiogramit. Pastrohet me antiseptik, shpërlahet me kamomil dhe vendosen gaza të thata. Gjithashtu kortikosteroidë për trajtim të dermatitit rreth ulcerës dhe assesi në plagë. Pas tërheqjes së infeksionit, edemes, përdoren çorape elasike sipas presionit të caktuar (CCL3). Nëse ulcera është përsëritur dhe është ekstensive, ekzistojnë një numër preparatesh për mjekim lokal, të cilat përmbajnë antibiotik, antiseptik, preparate të jodit, antagonist të serotonines dhe amnion human, gazrat ocluzive hidrokolide, këpucët Una, deri tek transplantimi i lëkurës- zbulimet e lëkurës ‘’artificiale’’përfituar me inxhiniering gjenetik dhe aplikim lokal të faktorëve të rritjes.
Andaj, ju preferojmë një vizitë tek kirurgu vaskular në mënyrë që të verifikohet faza e zhvillimit të ulcerës.


I nderuar doktor. Tash e tri vite kam problem me vena në këmbë. Jam 22 vjeçare dhe në këmbën e majtë më është shfaqur një venë e dalë jashtë. Poashtu edhe në këmbën e djathtë, lartë, më është paraqitur një venë me madhësi mjaft të madhe.
Nëse ka mundësi, më tregoni se çka të përdori për t’i larguar dhimbjet dhe venat.
Pres përgjigjen dhe jam shumë mirënjohëse.

PËRGJIGJE:
Sipas asaj që keni shkruar, ju keni probleme me venat e jashtme, që ndryshe quhen vena varikoze. Preferohet vizita tek kirurgu vaskular, në mënyrë që të kuptohet nëse këto vena janë për trajtim kirurgjikal-intervenim, apo për t’i larguar dhimbjet duhet të përdorni çorape kompresive, terapeutike si dhe gel për vena varikoze dhe analgjetikë.


Me burrin jemi qe 14 vjet në lidhje martesore. Gjatë kësaj kohe bënim seks 2-3 here në muaj. Por, ka disa muaj që burri ka probleme me potencën. Ose nuk është i gatshëm për seks, ose pas 2-3 minutave e humb fuqinë dhe nuk arrin të vazhdojë. Në këtë gjendje është qe 3-4 vjet. Unë fare rrallë kënaqem dhe tani raportet tona nuk janë më si përpara.
Meqenëse është pak temperament, është konsultuar me psikiatrin dhe kur merr viagra, cialis, kamagra, e mban ereksionin të ngritur. Ai nuk është i intersuar të vazhojë kështu, sepse pas përdorimit të këtyre ilaçeve, ka kokëdhembje dhe i rriten të rrahurat në zemër.
Doktori urolog i ka propozuar që të kërkojë ndihmën e kirurgut vaskular, por ai ka fobi nga operacioni.
Prandaj, doktor ju pyes, nëse përjashtohet faktori psikik, ushtrimet, ushqimin, pilulat, mjeku vaskular çfarë zgjidhje operative mund të bëjë për potencën e ulët?
Harrova të shkruaj se burri im është 42 vjeç.

PËRGJIGJE:
Në bazë të përshkrimit, ne nuk kemi informacion nëse bashkëshorti juaj ka Diabet ose ka Lipidogramin të rritur. Preferohen analiza paraprake dhe kontrollë tek kirurgu vaskular. Nëse përjashtohet komponenta neurogjene, preferojmë marrjen e ampulave në organin gjenital mashkullor. Nëse kjo nuk ka sukses, atëherë vjen në shprehje intervenimi-operimi.


Jam 22 vjeçar dhe në testisin e majtë, poshtë tij, me dorë ndjejë disa "vena" që më duken jo normale. Për këtë arsye, testisi i majtë duket të jetë më poshtë, por që janë ato "vena" që e bëjnë të duket kështu!
Ju lutem, më tregoni se çfarë problemi mund të kem!
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Në bazë të përshkrimit, ju keni të bëni me zgjerim të venave në skrotum (qese), përndryshe në mjekësi e njohur si Varikocela testis. Mirëpo, duhet të bëni vizitë tek urologu, e pse jo dhe tek kirurgu vaskular, kjo për arsye se ju duhet t’i nënshtroheni një intervenimi kirurgjikal, në mënyrë që të parandalohet steriliteti.
Tjetër, ju nuk keni dhënë informacione nëse jeni i martuar ose jo. Nëse po, a keni fëmijë? Përndryshe, kemi raste që kanë qenë të martuar dhe me këtë problematikë deri pas intervenimit nuk kanë pasur fëmijë.


Përshëndetje doktor. Kohët e fundit kam filluar t’i vërej më shumë venat dhe kapilarët e gjakut në këmbë. Nganjëherë ndjej dhembje dhe shtrëngim.
Desha të jem e informuar se cilat janë simptomat nëse më paraqiten venat dhe si mund t’i parandaloj me kohë?
Pres përgjigjen tuaj, faleminderit.

PËRGJIGJE:
Sipas përshkrimit të simptomave, kuptohet se ju vuani nga venat varikoze. Preferohet që t’i nënshtroheni kontrollit tek kirurgu vaskular në mënyrë që të kuptohet cila është shkalla e varikozitetit. Pastaj mund të sugjerohet trajtimi dhe preventiva.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori