Sot (2 prill) është Dita Botërore e Autizmit, e cila u kushtohet të gjithë personave me këtë çrregullim.

Çfarë është autizmi?

Spektri i çrregullimit të autizmit (ASD) është një term i gjerë që përdoret për të përshkruar një grup të çrregullimeve neuro-zhvillimore.


Këto çrregullime karakterizohen me probleme me komunikim dhe ndërveprim shoqëror.

Ky çrregullim i prek individët në të gjithë botën, pavarësisht racës, kulturës apo prapavijës ekonomike.

Megjithatë, sipas Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, autizmi bën dallime gjinore, ku është më i shpeshtë te djemtë sesa te vajzat, me një proporcion prej 4 me 1.

Sipas qendrës së lartcekur, vetëm në vitin 2014, 1 në 59 fëmijë janë diagnostikuar me autizëm.

Cilat janë simptomat e autizmit?

Simptomat e autizmit zakonisht bëhen të qarta në fëmijërinë e hershme, mes 12 dhe 24 muajve të moshës. Sidoqoftë, simptomat mund të shfaqen edhe më herët ose më vonë.

Simptomat e hershme mund të përfshijnë një vonesë në zhvillimin social ose në gjuhë.

Megjithatë, simptomat e autizmit mund të ndahen në dy kategori: 1) problemet me komunikim dhe ndërveprim shoqëror; 2) aktivitete apo sjellje të përsëritura apo të kufizuara.

Problemet me komunikim dhe ndërveprim shoqëror përfshijnë:

- Probleme me komunikim, duke përfshirë vështirësitë për t’i ndarë emocionet, interesat e përbashkët apo për ta mbajtur të gjallë një bisedë
- Problemet me komunikim joverbal, siç janë vështirësitë për të mbajtur kontakt me sy apo për ta lexuar gjuhën e trupit
- Vështirësitë për të zhvilluar apo mbajtur lidhje

Problemet me sjellje apo aktivitete të përsëritura/kufizuara përfshijnë:

- Lëvizje apo fjalë të përsëritshme
- Interesa apo preokupime të fiksuara

Çfarë e shkakton autizmin?

Shkaktari i saktë i autizmit nuk dihet. Hulumtimet e tanishme thonë se nuk ka shkaktar të vetëm.

Disa prej faktorëve të dyshuar të rrezikut për autizëm përfshijnë:

- Të pasurit një anëtar familjar me autizëm
- Mutacionet gjenetike
- Çrregullime tjera gjenetike
- Të pasurit prind shumë të vjetër
- Pesha e ulët gjatë lindjes
- Mosbalancimet metabolike
- Ekspozimi në metale të rënda apo toksina ambientale
- Historia me infeksione virale, etj.

Çfarë teste kryhen për ta diagnostikuar autizmin?

Diagnostikimi i autizmit përfshinë disa incizime të ndryshme, teste gjenetike dhe vlerësime tjera.

Si trajtohet autizmi?

Nuk ka ndonjë ilaç që e shëron autizmin, por ka terapi dhe tretmane tjera të cilat i ndihmojnë njerëz të ndihen më të mirë ose t’ua lehtësojnë simptomat.

Disa prej terapive janë:

- Terapia me loja
- Terapia fizike
- Terapia me komunikim, etj. /Telegrafi/