LAJMI I FUNDIT:

Dija jonë: Për të huajt pak, për veten hiq

Dija jonë: Për të huajt pak, për veten hiq
Ilustrim

Pak kemi lexuar e mësuar deri tash se kush është Serbia, por për veten as nuk kemi filluar të lexojmë, siç duhet, se kush jemi.

Sa shumë lavde ia kemi thurur vetes, besa edhe tek-tuk edhe ndonjë i huaj na ka thurur lavde pa na njohur mirë.

Me ato fiset e moçme, që në histori quhen ilire, nuk u morëm më shumë , por vetëm i numëruam. Me siguri, jo të gjithat që i kishin studiuar – natyrisht të huajt së pari! Ne, si gjithmonë, pastaj citojmë. Për çudi, në shekullin XXI iu kthyem prapë fiseve, jo atyre ilire, po ca tjerave që janë më në modë. Shtrohet pyetja: A nuk i ruajtëm mjaftë për dy mijë vjet? Përgjigja është e thjeshtë: Fiset e tashme nuk kanë asgjë të përbashkët me fiset Ilire. Me gjasë, ato fise atëherë dhe këto tash kanë të përbashkët vetëm lavdet që ia thurin vetes, duke pretenduar së janë më të mirët. Dikush pretendon se ka trashëguar diçka nga një fis ilir, por si ta bëjë këtë të besueshme, kur ia hedh poshtë fisi tjetër i kësaj kohe. E, sa mund të shkruhet me fakte për ndarjet fisnore, dhe jo pak përgjakje e hasmëri të tmerrshme, gati-gati shfarosëse për ndonjë kullosë apo vadë uji diku.


Në shekullin e ri iu kthyem traditës, por harruam të krijojmë arkiv – së paku për luftën e fundit. Tendencat e të folmeve, të nëndialekteve, dialekteve, apo gjuhës së mëhallëve, që secila prej tyre me demek është më e bukura e këtij lloji, por që e kanë shkelur ata të fisit tjetër, mbetet temë për një rast tjetër. Megjithatë, sulmet mbi gjuhen e përbashkët të shkruar, tashmë kanë rrezikuar arritjen më të madhe të popullit shqiptar në histori: gjuhën letrare, standarde. Këta “bukuroshë” që synojnë diçka që u ka mbetur merak, tashmë kanë fituar goxha terren kur arsimi publik ia ka liruar rrugën gjuhës së mëhallëve.

Çka është për vajtim, edhe pas luftës së fundit, çdo dokument me vlerë përfundoi nëpër xhepa, ashtu sikurse janë zhdukur dokumentet e vjetra. Edhe me muze punët i kemi për “bukuri”!

Kur prisnim mysafir dikur, therej dashi, ndërsa askush nuk çante kokën a mbetej pak hirrë për fëmijët e familjes. Kështu bënim edhe për mikun, të cilit nuk i shkonte mendja se fëmijët e të zotit të shtëpisë flinin pa jorgan në ahur të lopëve. I kemi ruajtur të hollat, derisa janë zhdukur pa gjurmë, duke mos ua blerë fëmijëve as teshat e trupit.

Edhe historinë kur filluam ta shkruajmë, ia nisem nga vetja, duke thurur lavde që për lendine shiheshin se janë rrena. Me kalimin e kohës, atyre rrenave ua shtonim të tjerat, duke i ndërlidhur familjarët, fis pas fisi, të cilit i përket ai që ka nisur ta shkruaj historinë, duke pretenduar se historia fillon prej tij. Këtu nis tema e madhe. Sa dimë për fqinjin e sa për veten?

Pak për fqinjin e për veten hiq, mund të themi. Defekti ka emër. Nuk shkruajmë për atë që pamë e përjetuam, por filozofojmë. Me qindra faqe shkrimi, e në fund krejt pak fjalë për atë që pamë e përjetuam vet me trup e me shpirt.

Serbia pas 400 vjetëve të sundimit osman, e përkufizuar në Pashallëkun e Smederevës, nisi të shihet si njëfarë organizmi i njëfarë populli, ende të pa formuar si komb. Meqenëse kisha ortodokse serbe vepronte me autonomi, gjithnjë si vasale, brenda mureve të faltoreve kryente propagandën sekrete.

Shtrohet pyetja, çka bënin etnitë tjera që akoma nuk kishin shfaqur ambicie për shtetformim?

Për shekuj me radhë, lartmadhëria kishte shtrirë pushtetin dhe vendosur mëkëmbësit kudo. Ata i kryenin detyrat e veta dhe zbatonin pa hezitim urdhrat që vinin nga padishahu. Sa herë që sulltani kishte nevojë për numër të caktuar ushtarësh, vasalët ia dërgonin. Niveli arsimor dhe ekonomik i popullatës që shtrihej në kufijtë e atyre organizimeve shoqërore, ishte tepër i ulët. As që mund të flitej për ndonjë rebelim ushtarak. Krejt çka mund të bënin vendasit ishte ndonjë vrasje ushtari turk, pas shpine, apo plaçkitje e ndonjë karvani të vogël mallrash. Tepër vonë, pas katërqind vjetësh pushtimi, nuk mund të thotë askush me një fakt të vetëm se ky apo ai popull i sotëm i Ballkanit bëri ndonjë rezistencë kundër ushtrisë osmane, që për kohën ishte ndër më të fuqishmet e më të organizuarat në botë.

Serbia nisi nga Pashallëku i Smederevës. Duke parë apo dëgjuar lajmet për zgjimin e popujve evropian, kishte filluar të konstruktonte ëndrrat se edhe vet mund të behet shtet si gjermanët apo edhe italianët. Derisa gjermanët e italianët kishin njohur një histori zhvillimi të ca shteteve më të vogla apo më të mëdha e më të zhvilluara deri atëherë, Serbia as që kishte prekur ndonjë shkallë të tillë zhvillimi që do të mund të synonte bashkimin e pashallëqeve që rrethonin Smedervën. Duke parë pasivitetin e popujve përreth, të cilët kleri ortodoks i njihte mirë dhe vazhdonte të bënte plane për eliminimin fizik të tyre, apo asimilimin – fill pas krijimit të kushteve për një rebelim, nën udhëheqjen ruse – në hapin e parë filluan zgjerimin e Pashallëkut të Smederevës, jo përtej Danubi, andej nga veriu, sepse nuk kishin asnjë gjasë, por drejt jugut ku ato vise populloheshin kryesisht nga shqiptarë myslimanë dhe etni, popuj e fise të ndryshme.

Shumica prej këtyre grupeve kishin marrë emra të ndryshëm, sa për t’u dalluar nga fqinji. Një studim pak më serioz nxjerr në pah se fjala ishte për ndarjen e grupimeve fisnore nga i njëjti trung i origjinës. Mund të gjenden dokumente me bollëk në arkivat turke për këtë, por askush deri sot nuk është marr seriozisht me këtë temë.

Meqenëse toponimet në gjuhën turke ishin krejt tjera, orientimi sot, sipas atyre hartave, është i zorshëm, pasi ato emërtime vendbanimesh kanë ndryshuar sipas atyre që fituan. Pas rënies së Perandorisë Osmane në Ballkan, vazhdoi dëbimi me dhunë i krejt popujve myslimanë, sidomos shqiptarëve.

Derisa serbëve u prinin rusët në këtë marshim të zgjerimit të territoreve, shqiptarët akoma ishin larg çfarëdo organizimi të njëmendtë. Ndërsa, sa i përket formimit të ndonjë ushtrie, as që behej fjalë. Në vitin 1912, kur me plot gojë thuhet se shqiptarët çliruan Shkupin, askush nuk thotë anën tjetër të asaj mase njerëzish që u tubuan për të shkuar deri në Shkup dhe për tu kthyer apo për të mos u kthye kurrë në shtëpi. Aty hyri Ushtria serbe në krye me oficerët rusë dhe me plan të caktuar, ndërsa masa shqiptare asokohe nuk kishte asnjë predispozitë për rezistencë më të gjatë e më serioze.

Qëkur bëri hapin e parë për shtetformim, Serbia 100 vjet imitoi mbretërinë e paarritshme, por në Ballkan gjeti hapësirën dhe momentin e duhur.

Është parë e vërtetuar se qindra-mijëra njerëz nuk kanë pasur as ide se cilit komb i takojnë. Me shekuj ka dominuar organizimi fisnor, e pastaj edhe ai i bajraqeve. Përkatësinë e njërit fis kundruall tjetrit e bënin sipas gjuhës, e cila dallohej jo vetëm nga fisi në fis, por edhe nga mëhalla në mëhallë. Me kalimin e kohës dallimi behej sipas përkatësisë fetare, por ky dallim nuk arriti ta dominojë gjuhën amtare. Në Ballkan nuk mund të gjenden shënime të sakta se kur filloi të përhapet besimi islam. Për kohë të gjatë në Ballkan, njerëzit jetonin të përzier në trevat e njëjta. Zënkat e imëta mes etnive të ndryshme, konsideroheshin si normale. Kishte edhe shumë martesa të përziera, sado që ato janë mohuar në vazhdimësi. Kishte edhe jo pak raste kur pjesëtari i një fisi rrëmbente vajzën e etnie tjetër. Kishte raste kur familja nuk pranonte një martesë të tillë dhe e përjashtonin mashkullin nga familja. Ai zakonisht më nuk i kthehej trungut. Vrasjet mes fiseve kryesisht kanë përfunduar me hakmarrje gjaku, ngjashëm me vrasjet apo gjakmarrjen brenda fisit.. Perandoria, incidentet mes ushtrisë së saj dhe popullatës lokale i zgjidhte pa vonuar.

Popullata që jetonte larg rrugëve të zakonshme, kryesisht në viset e largëta malore, rrallë vizitohej nga pushtetarët e kohës. Nuk ishin pak njerëz që jetonin larg qendrave më të urbanizuara dhe ata nuk ishin përfshirë në ndonjë regjistrim. Ata, edhe në rast të ndonjë konflikti më serioz, janë masakruar e zhdukur pa hyrë kurrë në ndonjë evidencë. Kjo pjesë e popullatës, zakonisht me origjinë shqiptare, duke jetuar e izoluar, me kohë merrte tipare të një fisi apo etnie tjetër.

Për thuaja 500 vjet me radhë, fiset shqiptare nuk bënë ndonjë hap bashkimi. Sado që kemi mjaftë përralla nëpër libra, për alfabetin dhe gjuhën, vonë nisi organizimi me përmasat e nevojshme për të arritur sukses. Sa i përket temave të mëdha të organizimit të mirëfilltë, ato do të shihen tepër vonë, atëherë kur pësimet ishin tragjike. Për bashkimin e fiseve shqiptare as që mund të behej fjalë, për 400 vjet rresht. Organizimin e bajraqeve e solli Perandoria Osmane, për fiset që akoma mbijetonin thellë në viset malore. Bajraqet iu dhanë forcë individëve të caktuar, që ishin në shërbim të padishahut. Sot dikush mendon gabimisht se bajraqet kishin flamur shqiptar. Asnjë bajraktar, për dekada, nuk ka pasur flamur shqiptar, por osman.

Serbia i nisi ëndrrat për zgjerim duke u mbështetur në dobësitë e popujve fqinj në Ballkan, veçanërisht mbi dobësitë e shqiptarëve që nuk gjenin dot gjuhë për organizimin e tyre. Humbjet e perandorisë që kishin filluar të duken me të madhe në front, Serbia i shfrytëzonte përditë e më shumë.

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori