LAJMI I FUNDIT:

Derbi pa gola

Derbi pa gola

Derbi më i madh në futbollin kosovar, ai lokal i Ligës së Parë mes K.F. Gjilanit dhe K.F Dritës ka përfunduar pa gola, në një sfidë e cila kryesisht u përshkua nga tifozeritë e bukura të të dyja skuadrave.

Nga njëra anë Skifterët dhe nga ana tjetër Intelektualët bënë që takimi të jetë i nivelit më të lartë, një e dielë tipike futbollistike.

Ndeshja filloi në mënyrë të zjarrtë, por pos disa gjysmërasteve, asgjë tjetër nuk mund të veçojmë veçse ndërprerjes dy herë ta takimit nga gjyqtari i sfidës për shkak të hedhjes së mjeteve piroteknike në fushën e lojës.


Gola nuk pati në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë të dyja skuadrat u përpoqën, megjithëse nuk ia dolën dot t’i tundin rrjetat. Pos anëve pozitive të këtij takimi, mund të veçojmë lëndimin e rëndë të ikonës së K.F. Gjilanit, Liridon Hasanit, i cili nga një duel në ajër u transportua në gjendje të rëndë në spital.

Sipas korespondentëve tanë, gjendja e tij megjithëse e rëndë ka filluar të përmirësohet dhe aktualisht gjendet për shërim të mëtutjeshëm në QKUK.

Dritës i konvenon ky barazim pasi mund të konsiderohet edhe zyrtarisht si skuadër që do të garojë për sezonin e ardhshëm në Superligë, pasi vështirë se do të lëshojë epërsinë prej gjashtë pikësh që ka ndaj përcjellësit të parë, Gjilanit në pozitën e dytë me 33 pikë. /Telegrafi/