LAJMI I FUNDIT:

De Kermabon: Për planin gjashtëpikësh përgjegjës është UNMIK-u

De Kermabon: Për planin gjashtëpikësh përgjegjës është UNMIK-u

Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon ka deklaruar se misioni i Bashkimit Evropian është teknik dhe nuk është i përzier në çështjet që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës - pasi kjo punë – sipas tij – u takon vendeve anëtare të BE-së. Ai po ashtu ka thënë se për planin gjashtëpikësh përgjegjës është UNMIK-u.

"Baza ligjore e Misionit është Aksioni i Përbashkët, dokument të cilin e kanë miratuar 27 vendet anëtare të BE-së, përfshirë këtu dhe shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë de Kermabon në një intervistë për gazetën “Danas”.

Sipas tij, EULEX-i nuk ndodhet në Kosovë për të sjellë ligje, por për të ndihmuar në zbatimin e sundimit të ligjit në të mirë të të gjithë qytetarëve.

De Kermabon po ashtu ka shpjeguar se EULEX-i ka zinxhir unik komandues, që do të thotë se shefi i këtij misioni u raporton 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për punën e misionit, nëpërmjet përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë, sipas tij, do t’i ofrojë raporte sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, për funksionimin e Misionit.


De Kermabon gjithashtu ka shtuar se për gjashtë pikat, rreth të cilave janë marrë vesh OKB-ja dhe Beogradi, përgjegjës është UNMIK-u. /Telegrafi/