LAJMI I FUNDIT:

DAJA I VERDHË

DAJA I VERDHË

Nga: Andrea Grill
Përktheu nga gjermanishtja: Majlinda Çullhaj

Daja, sa herë që i jepte makinës, mbathte gjithnjë këpucë të posaçme. Ca këpucë shumë të buta me shollë të lëmuar dhe lëkurë italiane. Me to, sikurse thoshte ai, pedali i gazit dhe ai i friksionit ndihej shumë më mirë sesa me këpucë të tjera. Kishin ngjyrë kafe e ishin shumë elegante, s’kishin lidhëse, thjesht fusje këmbën dhe makinën ato asnjëherë s’e braktisën. Kur nuk i mbante veshur, i ruante në bagazh. Të tjerë me to, ndoshta, do të kishin shkuar për të kërcyer, kurse ai i jepte makinës. Çdoherë para se të hipte në makinë hapte si fillim bagazhin, nxirrte këpucët e lëkurta e i ndërronte me ato që mbante veshur. Kurrë s’e pashë në timon me këpucë të tjera përveçse me ato të makinës. Gjithnjë udhëtonte me makina japoneze thua se nuk kishte lloje të tjera. Daja kishte flokë të errët dhe me kalimin e viteve, një pjesë tullace mu në mes të kokës. Vishte përherë këmisha të hekurosura dhe shpeshherë edhe kravatë.

Kur ishte i ri kishte qejf të udhëtonte për në Itali, në Trieste dhe Venecia. Merrte shpesh të ëmën me vete. E bënin pazarin aty, blinin këpucë, këmisha e bluza italiane. Një nga këto bluza, që daja ia kish blerë gjyshes në një nga këto udhëtime, vazhdoj ta vesh edhe sot. Njëra prej tyre ka ngjyrë bojëqielli, tjetra është bezhë. “Bezhë”, këtë fjalë për herë të parë e dëgjova nga daja. Plot sekrete e kaq e huaj më tingë­lloi kjo fjalë kur ai e shqiptoi në praninë time. Me siguri po fliste për këmisha e këpucë dhe kombinimin e tyre. A shkonte kjo lloj “bezhe” me atë tjetrën.


Daja i dashuronte ngjyrat dhe i pëlqente bisedat për to. Megjithatë, daja vuante nga daltonizmi dhe kishte vështirësi t’i dallonte ato ngjyra që anonin nga e kuqja apo e blerta. Ndaj i përfshinte motrat në marrjen e vendimeve, nënën time dhe motrën e saj, kur donte të dinte nëse këmisha shkonte me pantallonat dhe këto të fundit me xhaketën. Daja ishte fëmija i dytë, nëna ime ishte më e vogla. Kishte mbaruar elektrikun dhe më vonë kishte filluar të punonte në një bankë, punë që nuk e ndryshoi më përgjatë gjithë jetës. Sidoqoftë, ia arriti të transferohej nga dega e vogël e bankës së fshatit në një filial në kryeqytet. Por, prapë, për krishtlindje kthehej gjithnjë për të varur tela me llamba të vogla ndriçuese rreth e përqark pemës së krishtlindjeve aty lart në kullën e kishës së fshatit. Këtë ritual e bëri për plot dyzet vjet. Por nuk mjaftohej vetëm me zbu­kurimin e pemës për çdo vit në kullën e kishës. Edhe bredhat e argjendtë në oborrin e nënës së vet që ishte veç një rrugë prerëse më tutje, se kisha i mbështillte me gjarpërinj dritash dhe po kështu ishte po ai që vendoste qirinj me ca kapëse argjendi në bredhin që ndodhej në dhomën e ndenjjes së prindërve në dhjetor. Thua të jetë tashmë vetë prifti ai që zbukuron pemën? Sidoqoftë vazhdon të jetë gjallë, dhe e di këtë me siguri sepse s’ka pak ditë që pashë se flitej për të në gazetë. Daja nuk jeton më.

Një ditë u bë fare verdhan. Nuk u bë gri në fytyrë ashtu siç bëhen njerëzit kur sëmuren e kur nuk ia rreh më ajri i pastër fytyrën e gjaku nuk i qarkullon më me vrull. Nuk u zverdh e as nuk mori ngjyrë limoni, por u bë verdhan si e verdha e një bananeje që kishte qëndruar gjatë, shumë gjatë, në dollapin e kuzhinës, e tani ishte pjekur tamam për t’u shijuar. Që nga ky çast unë nuk e takova më. Nuk donte të takonte më asnjë, asnjë nga familja të paktën. Veç rrallë e më rrallë vinte në oborrin e së ëmës. Në fillim kujtoja se nuk vinte ngaqë e ëma në oborr nuk ulej më. Shumë kohë më vonë m’u qartësua se ai në këtë kohë, thjesht, nuk mundej të vinte. Nuk mund t’i jepte më makinës. Këpucët e makinës qëndronin në bagazh të papërdo­rura prej javësh e ai në krevat në apartamentin e tij në kryeqytet, apartament që e shkela vetëm një herë kur isha katërmbëdhjetë vjeçe, kur kisha shkuar me mamanë që e kishte ndihmuar për vendosjen e perdeve. Me siguri ai sapo i kishte blerë ato atëherë dhe kishte nevojë për këshillim për ngjyrat. A shkonte “bezha” me tapetin dhe tapicerinë e kolltukëve? Po me jeshilen e divaneve?! E kujtoj çorape veshur sipër divanit, me krahët lart duke mbajtur perdet në mënyrë që e motra që kishte hipur sipër një karrigeje afër dritares të mund të fuste ullukët e perdeve në kornizë. Sa herë që mendimet më çojnë në apartamentin e dajës dhe në qytetin ku ky apartament ndodhet, më krijohet një ndjesi kaq e mirë edhe pse aty isha vetëm atëherë kur vumë perdet dhe qytetin vetë e vizitoj kaq rrallë.

Të gjitha kujtimet që kam për dajën ma risjellin atë para syve o me papuçe o me çorapë teksa qëndron sipërnjë divani apo kolltuku. Bënte gjithë qejf fotografi ndaj dhe hipte sipër ndonjë karrigeje, divani apo tavoline buke që të kishte një perspektivë tjetër fotografimi – siç thoshte ai. Me këmishën e tij me katrorë, nga ku vihej re mirë se sapo ishte hekurosur për merak, rrinte mbi karrige dhe na fotografonte ulur në tavolinën e kuzhinës ku mbllaçitnim ëmbëlsira. Ca gojë të fryra na dilnin nëpër këto foto, e të zbehtë dilnim prej blicit. Të zbehtë si çarçafët sipër të cilëve ai hekuroste këmishët e veta.

Çdo të diel pasdite e gjeje duke hekurosur në kuzhinën e së ëmës afër bufesë, siç e quante ajo këtë mobilie. Pranë tij një legen plot me rroba dhe një shishe spërkatjeje, një shishe plas­tike ngjyrë gurkali me tapë të kuqe plot me vrima si një enë ujitëse. Sipër bufesë ishte një mbulesë ngjyrë rozë me ca viza të bardha te cepat. Çdo këmishë që e nxirrte nga legeni e lagte mirë e mirë me shishen spërkatëse. Jakat dhe mëngët e mun­donin shumë. Kushedi sa herë e kalonte sipër hekurin e nxehtë për t’i lëmuar e kurrë nuk u lodh së përsërituri këtë gjë. Kur hekuroste pantallona i lagte ato ende më shumë dhe i linte për pak kohë poshtë një piceteje kuzhine me katrorë ngjyrë blu para se të fillontet’i hekuroste. “Epo unë punoj në bankë”, – më përgjigjej kur e pyesja për zellin e të hekurosurit. “Nuk mund t’ia lejoj vetes të bredh me rroba të pahekurosura nëpër bankë. Të gjithë te ne i ke të veshur me këmishë e kravatë, sidomos unë”. Meqë për çdo ditë nevojitej një këmishë e pastër, i binte të hekuroste minimumi shtatë këmi­sha çdo të diel. Por, ngandonjëherë, ishin tetë apo dhe madje dhjetë, kur kishte qëlluar të kishte edhe ndonjë seminar. Në një rast të tillë duhej veshur një tjetër këmishë e pastër në mbrëmje.

Daja ishte burri i parë që kam parë duke hekurosur. Ta kri­jonte përshtypjen se kjo punë i pëlqente e madje e bënte me gjithë qejf. Kur mbaronte së hekurosuri apo kur vendoste të bënte pak pushim, sidomos në ato ditë ku bëhej fjalë për më shumë se shtatë këmishë, e ëma rivendoste makinën e kafesë prapë në bufe, sepse përgjatë hekurosjes makina e kafesë zhvendosej sipër kaloriferit, pasi bufeja ishte plot çarçafë e këmisha. Sapo makina e kafes zinte vendin e vet, daja fillonte të mbushte filtrin prej letre plot me kafe, hidhte ujin dhe shtypte sustën. Dihej se pinte kafe pa fund dhe dihej, gjithashtu, se ishte kafebërësi më i mirë i familjes. Se si ia dilte të bënte kafen më të shijshme, do të mbetet enigmë pasi ishte e njëjta makinë kafeje, i njëjti ujë, e njëjta kafe dhe po kështu e njëjta sustë. Kur ishte ai në shtëpi dihej se kush do ta bënte kafen. Të tjerët as afër nuk i shkonin makinës së kafes. Shpesh pinte kafe edhe natën vonë, madje dhe pas mesnate. Edhe një filxhan me kafe shqeto, se ndryshe nga të tjerët që ua kishte qejfi të shtonin sa më shumë qumësht që të ishte e mundur, ai e pinte shqeto. Veç në raste shumë të rralla ia bënte qejfin së ëmës dhe e lejonte atë t’i hidhte ca pika qumësht. E ëma thoshte gjithnjë se me qumësht kafja të bënte mirë për shëndetin. Tepër vonë shkonte në shtrat. Lexonte deri në orët e para të mëngjesit romane policore ose shikonte filmat e Alfred Hiçkokut në televizor. Nga ai kam trashëguar dy dollapë plot me libra të Sherlok Holms-it dhe të Edgar Uollës. Në fundjavë rrinte shtrirë pa fund. Shfaqej për mëngjes në kuzhinë kur të tjerëve një tjetër drekë do t’i kishte shkuar mjaft për shtat, pastaj fillonte ta bënte kafen dhe sa gëzoheshin të gjithë, sepse në pikë të mëngjesit ishin mjaftuar me kafen që kishte lënë pa pirë gjatë natës.

Kur u rrita në moshë nganjëherë provoja ta bindja të më ftonte në apartamentin e vet në kryeqytet. E lajmë­roja se kur do të ndodhesha aty me punë ose kur doja të vizitoja një ekspozitë apo kisha ndonjë aktivitet tjetër, gjithnjë me shpresën se do të thoshte: “Po, eja më vizito!”. Asnjëherë nuk e tha. Teksa rri e mendoj tani, them me vete se e dyshimtë duhej të më ishte dukur kjo punë. Po aq i dyshimtë sa gjesti i dhurimit të luleve për çdo vajzë/grua në familje në ditën e Shën Valentinit. Aq i dyshimtë sa xixat e byzylykëve që na i dhuronte ne fëmijëve kur kthehej nga udhëtimet e tij nga Tailanda apo Kina. Aq e dyshimtë sa e vërteta që sillte pra me vete gjithë ato zbukurime, por asnjëherë një grua. Me thënë të drejtën, asnjëherë nuk erdhi me dikë tjetër në oborrin e së ëmës. Gjithmonë vetëm vinte. I vetëm zbriste nga makina e vet japoneze dhe po vetë i fuste këpucët e makinës në bagazh. I vetëm rrinte në krevat i rrethuar nga romanet policore. I vetëm zgjohej, na bënte kafen e po kaq i vetëm kthehej pastaj sërish në kryeqytet. Kështu ishte të paktën gjatë viteve të fundit. Më parë me siguri do të kish marrë herë po e herë jo të ëmën me vete, që do të kishte bujtur në shtëpinë e tij në kryeqytet, e do ta kishte ndihmuar t’i zgjidhte ngjyrat e duhura të çarçafëve dhe jorganëve, ose motrën më të madhe, tezen time, që bënte pazarin me të. Çuditërisht nuk më erdhi asnjëherë në mendje ta pyesja nëse mund t’i shkoja për vizitë ose si s’më shkoi në mendje, thjesht, të shkoja e t’i bija ziles pa e lajmëruar. Kush e di, ndoshta do ta kishte hapur derën!

Nuk më kujtohet më se kur e pashë për herë të fundit. Ndoshta në ceremoninë e varrimit të të atit. Ose në kuzhinën e së ëmës ku s’hipte më sipër karrigeve apo hekuroste po, thjesht, ulej në tavolinë për ta pirë kafenë si gjithë të tjerët. Kafenë e sapobluar vazhdonte ta hidhte po ai në filtër, në mos gaboj. Ka shumë gjasa të ketë qenë në kuzhinën e së ëmës. Ishte ky kryesisht vendi ku unë e takoja atë. Për ne vende të tjera nuk kishte. Atëherë kur e pashë për herë të fundit ishte verdhan.

Pa pritur e pa kujtuar erdhi vdekja e tij. Në fakt, çdo vdekje vjen pa pritur e pa kujtuar, por kjo e tij ishte më e papritur se të tjerat. Askush s’e dinte sesa i sëmurë paskësh qenë. Askush nuk u përkujdes për të. Askush nuk i tha lamtumirë.

Kur ishte gjallë s’më kishte shkuar në mendje ta njihja më mirë. Tani që nuk jeton më, zbulova se sa të përbashkëta kishim. Veprat e Çaikovskit, për shembull,që i kishim kolek­sionuar të dy. Një udhërrëfyes operash. Shami hundësh me vrima te cepat. Se si i linte librat hapur sa andej-këndej e për shenjë leximi për­dorte gërshërë apo hapëse shishesh. Zbulova se i kalonte mbrëmjet në një lokal në të dalë të qytetit. Një kafe me tavan prej druri e stola bari me sfungjer, ku takonte njerëz që nuk mbanin veshur as këmishë e as pantallona të hekurosura, por një buzëqeshje rrezëlluesekur e shihnin dajën të ulur në vendin e tij të zakonshëm. Ata nuk punonin në ndonjë bankë e nuk dëgjo­nin seminare, përveç atyre që ai ua ofronte ndërsa ata nuk e vinin re nën shoqërimin e një gote vere kështu – en passant, siç do të kishte thënë daja që vdiste për fjalë shik. Zbulova se në kohën e tij të lirë i mësonte mate­matikë një të burgosuri. Kishte tasa filxhani plot me lule dhe me një vizë ari të buza dhe gota prej kristali.

Pikërisht tani që vdiq solli dikë me vete. Dhe ky dikush nuk ishte çdokush, e në oborrin e gjyshes ai sigurisht nuk erdhi kurrë. Ishte një djalë i ri dhe ishte i bukur. Sipas njerëzve, ishte ky ai që ia hëngri lekët dajës, po ai që e katandisi të shkretin në atë mizerje, e ngriheshin zërat që e dinin, që besonin se, që e kishin dëgjuar se në ç’gjendje kishte qenë apartamenti i dajës në fund. Gjithandej rroba të palara, gjitha­ndej enë të palara, e as krevati nuk kishte qenë i pastër. Çfarë turpi ta lësh njeriun të katandiset kështu – tregonin ata plot pasion dhe ishin gati t’ia tregonin çdokujt që donte t’i dëgjonte. Motrat i dëgjuan thashethemet dhe u tmerruan e heshtën.

Prania e djalit të bukur që kishte qenë prej vitesh afër me dajën, sikurse tregoi ai vetë, i tmerroi më shumë se rrëmuja e apartamentit. Në muajt e fundit madje kishte banuar me të. Unë vetë u tmerrova nga fakti që ky dajë nuk ishte fare ai daja që kisha njohur, që përgjatë tridhjetë vjetëve që unë e kisha njohur, nuk kisha vënë re kurrë që daja shoqërohej më me qejf me burra sesa me gra. Isha rritur me mijëra pyetje, por asnjë­herë me pyetjen se pse daja ishte i vetmi burrë në familje që nuk ishte martuar të paktën një herë. Dhe ajo që më nevri­koste më shumë ishte, se nëse daja vazhdonte të ishte gjallë, unë ende nuk do ta dija e, ndoshta, do të më duhej ta kisha arritur moshën e dajës për ta nuhatur këtë vetë. Sepse askush nuk do të ma kishte treguar. Tmerri ia la vendin habisë. Dhe tashmë kur daja ishte i paarritshëm e s’ishte më aty për të sqaruar, u ngjir farefisi duke folur për kënaqësitë e çuditshme të tij. Për ato kënaqësi të çuditshme në kohën që mbetej pas asaj të hekurosjes dhe qëndrimit në oborrin e së ëmës.

Veç tani më erdhi në mendje se gjithë ato foto të tij nëpër gjithë ato udhëtime që na i tregonte për orë të tëra në tavo­linën e kuzhinës s’do të kishte mundur t’i shkrepte vetë. Ama në foto nuk kishte asnjëherë dikë tjetër. Ai me bluzë me lule, me një gjarpër gjigand rreth e përqark qafës. Ai para një tem­pulli shumëngjyrësh në bali. Ai ulur në një shezlong tajlandez duke shijuar diellin. Ai me kapele kashte në kokë. Ai me aparatin fotografik që i varej në kraharor. Ai para piramidave. Ai para një kupe të stërmadhe me akullore me fruta. Asnjë shok apo miqësi e krijuar përgjatë udhëtimeve. Dhe kishte qenë, sidoqoftë, herë një djalë i ri e herë një tjetër nëpër të gjitha këto udhëtime. Ama fotot e tyre ai s’na i tregoi asnjëherë.

Një ndër ta ende kishte çelësat e apartamentit të dajës. Atij i vihej faji sa herë që mungonte diçka gjatë zbrazjes së aparat­mentit edhe pse thellë-thellë dyshimi se diku do të gjendej ishte. A ishte i pikëlluar i huaji nga vdekja e dajës, apo a mos kishte ai dëshirë a ndoshta të drejtë për të trashëguar ndonjë rrip ore ose pajisje dëgjimi? Këtë pyetje nuk e ngrinte asnjë.

Varrimi u bë në fshat. I gjithë farefisi dhe shoqëria nga qyteti erdhi kastile për këtë në fshat. Zunë vend në varreza që ishte ende më ngjitur me shtëpinë e së ëmës sesa kisha. Shumë fjalë tha dhe prifti, që i duhet tashmë të gjejë dikë tjetër për t’i zbukuruar bredhin për çdo vit.

Varreza ndodhej në rrugën që të çonte në mal. Aty ku mba­ronin varret fillonte pylli. Një pyll i dendur me bredha. Daja u varros në një copë tokë gjysmë metri larg të atit i cili ishte varrosur veç pak kohë më parë në të njëjtën sipërfaqe toke pylli prej katër metrash katrorë. Pas disa ditëve para kryqit prej druri të çelët, ku tashmë ishin shkruar emrat dhe mbiemrat që i kishin njësoj, u vendos një pllakë varri me dy fotografi me korniza në formë vezore.

Sapo u krye lutja e fundit djaloshi i bukur u largua me shpejtësi. Pronarja e lokalit të zakonshëm të dajës, aty në të dalë të qytetit, u ftua në restorant. Pas varrimit shkohet gjithnjë në restorant që – në varësi të stinës apo motit – të shplodhesh nga i ftohti apo i ngrohti si dhe lodhjet e tjera që një ngjarje e tillë sjell me vete. Bashkë me pronaren erdhën dhe ca burra e gra, po kështu klientë bazë të lokalit që unë s’do t’i kisha përfytyruar kurrë si njerëz me të cilët daja kalonte kohën. Kishin pamje qyteti, fytyra shumëngjyrëshe, e veç bezhë nuk ishin. Sa të dashur ishin të gjithë, e veç gjëra të bukura tregonin për dajën.

Edhe djaloshi me siguri do të më kishte pëlqyer, por s’e pashë kurrë më. Një ditë më telefonoi një punonjës nga banka për të cilën kishte punuar daja. Për mua ishte një librezë kursimi në dispozicion, por ama që të mund të bëja veprime me të më duhet të dija kodin. Unë fjalën e dija shumë mirë. Ishte emri i të atit. /Revista “Akademia”/Telegrafi/