LAJMI I FUNDIT:

Çfarë u pëlqen femrave të vozisin

Çfarë u pëlqen femrave të vozisin

Femrat duan automobila të sigurt, të besueshëm dhe që shpenzojnë pak. Meshkujt, në anën tjetër, duan fuqi.

Përderisa këto dëshira duken klishe, ato janë të vërteta, duke u bazuar në një studim të Yahoo, që mori për bazë të dhëna nga më shumë se një milion automobila, shkruan “E Diela me Koha Ditore”.

Në studim pronarët e automobilave u pyetën nëse do të blinin automobilin e njëjtë nëse do të duhej ta bënin këtë edhe njëherë. Shumica e femrave thanë se do të blinin Subaru Forester, Toyota Highlander ose Toyta Prius.


Meshkujt preferonin modele më sportive si Chevrolet Corvette dhe disa lloje të Porsches. E vetmja veturë që mori nota të larta te të dy gjinitë ishte Tesla Model S. Ky ishte viti i parë që ky studim ndau veturat e preferuara të dy gjinive, transmeton Koha.net. I kryer nga “Consumer Reports National Research Center”, studimi është i limituar në modelet e tri vjetëve të fundit. Modelet hibride janë më të njohura te shoferet femra se te shoferët meshkuj.

Përpos Teslas, i vetmi model hibrid që hyri në listën e të preferuarve nga meshkujt ishte Honda Accord Hybrid. Por kjo nuk është për shkak të kursimeve në karburant. Edhe furgonët Chevrolet Silverado dhe Toyota Tacomo u vlerësuan lartë nga femrat.

Në kategorinë e automobilave luksozë, femrat treguan se do të ishin të lumtura të blinin ndonjë model Mercedes-Benz ose Lexus. Fakti më interesant ishte se femrat dolën më të dijshme në zgjedhjen e automobilave pasi shumica e modeleve të përzgjedhura nga to ishin të ngjashme me ato që morën pikët më të larta nga “Raporti i Konsumatorëve”. E njëjta gjë nuk vlen edhe për zgjedhjet e meshkujve.

Automobili më i pëlqyer – Tesla Model S

Një veturë e tillë kushton mes 76 mijë deri 106 mijë dollarë “Është vetura më e mirë”, është komenti me të cilin janë pajtuar të dy gjinitë. “Me këtë automobil ju fitoni një automobil elektrik të butë, luksoz dhe me interier me teknologjinë më të lartë. Po ashtu mund të vozisni 180 deri 225 milje me vetëm një mbushje”.

Automobili më i preferuar luksoz – Mercedes-Benz E-Class sedan

Një veturë e tillë kushton 53 mijë deri 102 mijë dollarë. “Vetura më e mirë. Një prej automobilave më të mirë në përgjithësi. Përkëdhelje dhe performanca”, thuhet në vlerësimin e pjesëmarrësve në studim.